Shkruan: Dr. Shefqet KRASNIQI
Javën e kaluar u shënua përvjetori i parë i protestave arabe kundër pushteteve të dhunshme të tyre. U bë plot një vit që kur i riu tunizian, Bu Aziz, dogji veten në shenjë pakënaqësie ndaj pushtetit të atëhershëm diktatorial. Djegia e tij në fakt qe vetëm një ‘xixë’ e cila ndezi më pas beteja, dhe jo vetëm nga vendi i tij, por nga shumë vende arabe të dy kontinenteve, Afrikës dhe Azisë. Shëmbëlltyra e tij shënoi një epokë të re, që historia e quajti “pranverë arabe.”
Kaloi një vit i ankthit për pushtetet arabe, për diktatorët e mizorët të cilët ishin mësuar me dekada të udhëhiqnin popullin me dorë të hekurt. Ishin mësuar që mos të kenë opozitë fare, që zgjedhjet t’i fitojnë me mbi 90%, si Tito e Enveri në kohën e tyre. Ishin mësuar që të mos kishin rivalitet dhe konkurrencë në pushtet, e që atë t’ua lënë bijve të tyre më pas...Por, ky vit vërtetoi qartë se vullneti i popullit është më i fortë sesa tanket dhe aeroplanët e pushtetarëve dhe se jeta e tyre është më e gjatë se jeta e pushtetarëve. A nuk ishim dëshmitarë të gjallë të fundit të diktatorëve më të mëdhenj të shekullit, Zejnul Abidinit të Tunisit, Husni Mubarakut të Egjiptit, Gadafit të Libisë, Abdullah Bin Salihut të Jemenit, i cili ndonëse ka hequr dorë nga pushteti në këmbim të lirisë për të dhe familjen e tij, megjithëkëtë, herët a vonë do të gjykohet, ose do të ketë fatin e një të arratisuri, siç ndodhi me Bin Alin e Tunizisë.
Kujtoj, kur patën filluar protestat, pata shkruar një temë për pranverën arabe, e që ndër tjera pata theksuar se ky është fillimi i fundit të diktaturave në botën arabe. Fatbardhësisht, rezultatet e pranverës dhanë efektet e duhura por jo të gjitha. Revolucionet ende kanë punë. Madje ka gjasë që pranvera arabe të reflektojë edhe më gjerë dhe kjo të jetë fillim për një fund të madh, për një ndryshim rrënjësor të botës, për një rend të ri botëror, pa dhunë dhe diskriminim. Lindja dhe perëndimi janë pranë një ndryshimi të madh. Në Evropë dhe përgjithësi në perëndim pritet një ndryshim i madh për nga ana ekonomike, i cili veç është duke ndodhur, ndërsa në lindje një ndryshim politik, i cili veç ka ndodhë, ani pse jo ende tërësisht. Që të dy këto blloqe janë në ndryshim të vazhdueshëm, e të shohim se çka do të ndodh në të ardhmen, natyrisht vetëm Zoti e di, e askush tjetër.
Nuk dua të thellohem më tepër në këtë temë sepse i mbetet të ardhmes të vërtetojë nëse këto konstatime tona kanë qenë të sakta apo jo. Asaj që sot dua t’i kushtoj më shumë rëndësi dhe të fokusohem në të, e madje të tërheq paralele krahasimi me pushtetin e kasapit të Ballkanit, Millosheviqit, është pushteti i Sirisë, apo mbetjet e fundit të diktaturës në vendet arabe.
Të gjithëve na kujtohet sesi pushteti i Millosheviqit i shoqëruar me paramilitarët çetnikë vrisnin, mbysnin dhe masakronin shqiptarët, ndërsa për maltretime, rrahje, burgosje, plaçkitje e dëbim nga vendi nuk diskutohet fare. Krejt bota i thoshte Millosheviqit se ajo çka bënë ti është zullum dhe mizori, ndërsa ai ngulte këmbë se ai asgjë nuk po bënë, përpos që po i mbron civilët shqiptarë nga rebelët dhe nga grupet nacionaliste, terroriste e separatiste të UÇK-ës. Mendonte se ajo gënjeshtër do t’i kryej punë deri në pakufi. Mirëpo pas shumë presioneve të jashtme u detyrua të lëshoj pe për të ardhur në Kosovë një grup vëzhguesish nga jashtë, të cilët dalluan viktimat nga agresori, dhe për pasojë, NATO ndërmori sulme kundër Serbisë, që çuan në pavarësimin e Kosovës prej saj. Pushteti i Millosheviqit mori fund, e bashkë me të, edhe Millosheviqi.
E njëjta gjë është duke ndodhur në Siri, zaten nuk është edhe çudi sepse kanë qenë miq shumë të ngushtë mes veti dhe vazhdojnë të jenë. Dhe jo vetëm pushteti sirian, por të gjitha pushtetet diktatore arabe kanë pasur marrëdhënie të shkëlqyeshme me Titon në fillim, e më pas edhe me Serbinë dhe Millosheviqin. Pushteti sirian socialist qe sa muaj vret gra e fëmijë, pleq e të rinj pa farë mëshire, para gjithë botës demokratike, i përkrahur prej shteteve komuniste e zullumqare si Rusia e Kina e Serbia. Ku deri më tani afër gjashtë mijë të vrarë e dhjetëra mijë të plagosur dhe një numër i pacaktuar të zhdukurish, vetëm e vetëm se duan liri, të jetojnë lirshëm, të flasin lirshëm ashtu siç i takon çdo njeriu në këtë tokë. Megjithatë pushteti sirian ngulë këmbë se gjithë atë gjak janë duke e derdhur grupe terroriste të nxitura nga jashtë të cilat synojnë shkatërrimin e shtetit sirian dhe rrëzimin e pushtetit. Nuk lejon mediat për ta vëzhguar situatën nga afër, nuk lejon vëzhgues arab dhe jo arab, duke menduar se do ta shuaj kryengritjen. Mirëpo kur e pa se nuk është punë me shuajt këtë kryengritje dhe se çështja e Sirisë nga Liga Arabe ka mundësi të kaloi në Këshillin e Sigurimit nga i cili mund të merr “grusht” të rëndë, vendosi të lëshon pe për t’i lejuar Ligës Arabe që të dërgon rreth njëqind vëzhgues për ta vëzhguar situatën nga afër, gjithashtu për t’i lejuar mediat për të hyrë dhe përcjellë ngjarjet nga afër. Vëzhguesit ma herët e patën vulosur fatin e Millosheviqit, dhe me lejen e Allahut të Madhëruar, do ta vulosin edhe fatin e Beshar Esedit. Do të vërtetohen krimet kundër njerëzimit. Pushteti i tij do të merr fund, e ndoshta vet ai do të ketë fatin e Gadafit.
Si do që të jetë, ky vit filloi me Tunizinë,e po përfundon me Sirinë, për ta parë se çka do na sjelli viti tjetër, se çfarë “pranvere” do të na vijë, mendoj tek arabët njëherë që më së shumti ka nevojë për ndryshime, por edhe në Evropë, konkretisht nga çështja e ekonomisë dhe monedhës së tyre euros?
Edhe tek ne në Kosovë ky vit nuk ishte fare i qet e i rehatshëm. Po e lëmë këtë vit pas me shumë probleme duke filluar nga problemi i veriut i cili ka qen shumë aktual gjatë këtij viti, shumë kemi shpresuar se do të rregullohet ai problem, por si duket vetëm sa po përshkallëzohet .E më pas problemi ekonomik, problemet sociale, çështja e veteranëve të luftës, njohjet e Kosovës nga shtetet që ende nuk ende nuk e kanë njohur. Sfidë mbetet edhe liberalizimi i vizave.
Vlen të theksohet se viti që po lëmë pas do të jetë si në vit i hidhur në kujtesën e muslimanëve shqiptarë për shkak të qëndrimeve të disfavorshme të politikës dhe politikanëve ndaj të drejtave të tyre. U refuzua futja e lëndës për edukatë fetare sikur që vajzave me shamia iu mohua e drejta e shkollimit.
Se çka do të sjell viti tjetër për ne dhe mbar njerëzimin mbetet të presim e të shohim. Allahu e bëftë vitin tjetër më të mirë e më të begatshëm për ne dhe për mbar njerëzimin. Amin!
Me kaq po e përfundojmë këtë vit gjatë të cilit jemi munduar të kontribuojmë sado pak nëpërmjet gazetës “Epoka e re” të cilën jashtëzakonisht e falënderoj për bashkëpunim dhe për kontributin e saj për këtë shtet dhe këtë shoqëri, qëllim ky dhe i imi.
Zoti na ndihmoftë të gjithëve, suksese dhe çdo të mirë deri në vitin e ardhshëm! Selam alejkum!