Islami si identiteti më i theksuar i Kosovës

 

Dr. Shefqet KRASNIQI

 

Javën e kaluar Enti i Statistikave ka bërë publike vetëm rezultatet e preliminare të regjistrimit të popullsisë, ndërsa gazeta Express ka siguruar të dhënat preliminare për të gjitha etnitetet e regjistruara në Kosovë. Përveç etniteteve, në listën e të dhënave që ka siguruar Express janë edhe qytetarët e regjistruar në bazë të përkatësisë fetare. Vlen të cekët se në Kosovë  jetojnë mbi 1.8 milion banorë. Nga këto të dhëna del se:

Shqiptar janë: 1.614.127 ose 93%

Serb: 25.718, ose 1.5%, duke mos përfshirë këtu edhe veriun i cili pati bojkotuar regjistrimin e popullsisë nga autoritetet kosovare.

Turq: 18.711 ose 1.1%

Boshnjak: 27.488 ose 1.6 %

Romë: 8.712, ose 0.5 %

Ashkalinjë: 15.216 ose 0.9 %

Egjiptian:11.500 ose 0.7 %

Goranë: 10.211 ose 0.6 %

Të tjerë: 2.22. ose 0.1 %

Numri i përgjithshëm i qytetarëve të regjistruar është 1.735.951, ndërsa nga kjo shifër, të regjistruar sipas përkatësisë fetare del se:

1.660.598 qytetarë të Kosovës, ose 96 % janë muslimanë

38.226 ose 2.2 % janë katolikë

25.685 ose 1.5 % janë ortodoksë.

Në formularët e regjistrimit të popullsisë ishte mundësia edhe të mos e tregonin besimin, po ashtu edhe t’i mohojnë të gjitha besimet. Kështu që 1209 qytetarë të Kosovës ose 0.1 % janë deklaruar se janë jofetarë. Ndërsa 7077 ose 0.4 %  nuk janë përgjigjur fare se cilës fe i takojnë. Këto dy grupe që nuk kanë deklaruar fenë apo janë deklaruar si jofetarë, bashkë nuk janë më shumë se 10.000 veta.

Konsideroj se publikimi i këtyre përqindjeve jo vetëm që flet për realitetin në Kosovë, porse është edhe grushti më i rëndë që në këto gjashtëdhjetë vitet e fundit i është dhënë ateistëve. Kam përmendur shumë herë se për ne fronti mbetet i hapur  me ateistët, ata janë armiqtë më të mëdhenj që kemi, por, falë ndihmës së Allahut të Madhëruar, ata janë duke u shuar nga dita në ditë. Janë minoriteti më i vogël në Kosovë që njëherësh janë në shkatërrim e sipër.

Jam shumë i bindur se këto përqindje do t’i zemërojnë tej mase ata dhe se luftën kundër Islamit, në veçanti, do ta zhvillojnë me mjete dhe metoda të reja. Madje tash ata janë në skenë por jo me identitetin origjinal. Ata kanë përvetësuar identitet të rremë, nën të cilin fshihen. E kanë ndërruar “gëzofin” e po e luftojnë identitetin tonë në emër të laicizmit dhe sekularizmit. Ata janë që ndikuan në ndalimin e bartjes së shamisë në shkollat fillore dhe të mesme, ata penguan votimin e ligjit për futjen e lëndës fetare nëpër shkolla publike në parlament vitin e kaluar, ata mjerisht i kanë në dorë disa media dhe kanë ndikim goxha të madh në qarqet politike. Por, siç thash më herët dhe siç po e vërteton ky rezultat i cekur më lartë i regjistrimit, ata për çdo ditë e më shumë po zhduken, po treten, sepse shoqëria jonë bile edhe tërë bota e moderuar nuk pranon shoqëri ateiste.

Ateistët janë ‘mbetja mortore’ e komunizmit që për gjysmë shekulli shtypi fenë. Por, siç mund ta vëreni, për vetëm një dekadë, aq sa ka që dolëm nga lufta, njerëzit i janë kthyer me të madhe fesë, ndërsa ateistët po humbin fare. Kam shumë shpresë se, duke u bazuar në këtë dhjetëvjeçarin e parë pas lufte, gjendja në dekadën vijuese, flas gjithnjë për aspektin shpirtëror, do të jetë shumë më e mirë. Kam përshtypjen se liderët e rinj, ndryshe nga paraardhësit e tyre, nuk do të ngurrojnë ta deklarojnë përkatësinë e tyre islame mu ashtu siç e shprehin identitetin kombëtar. Jam shumë optimist se gjendja po shkon drejt përmirësimit, drejt të mbarës, fal Zotit të Madhëruar.

Ajo çka bie në sy kur ta shohësh këtë përqindje të popullatës kosovare, është edhe fakti se feja Islame në Kosovë nuk është vetëm e shqiptarëve, por është fe e shumicës së komuniteteve që banojnë në Kosovë, përpos komunitetit serb dhe një pjese shqiptare katolike, që gjithsejtë nuk përbëjnë më shumë se 4 % e gjithë popullatës. Mirëpo ajo çka është shumë e vërtetë dhe shumë brengosëse për një numër shumë të madh të myslimanëve, është fakti se komuniteti katolik dhe ai ortodoks i kanë të gjitha kushtet e plotësuara, bile edhe të garantuara me pakon e Ahtisarit, siç është rasti i me komunitetin ortodoks serb. Ndërsa, në anën tjetër, muslimanët që përbëjnë 96 % nuk i kanë as kushtet minimale si komuniteti më i madh fetar dhe kombëtar në vend. Imagjino në ditët e sodit në këtë borë e ftohët të madh të falemi në oborr, sepse nuk kemi ku të falemi, sepse askush nuk qanë kokën për ne dhe atë midis Prishtine ku 99% janë muslimanë! A nuk është ky diskriminim fetar?! A nuk është kjo shkelje e të drejtave të njeriut?!

Neve asnjëherë nuk na mbetet hatri pse katolikët dhe ortodoksët kanë kushte të mira për adhurim dhe kryerje të ceremonive fetare, sepse edhe ata janë qytetarë të këtij shteti edhe ata duhet të trajtohen të barabartë si të tjerët, por na mbetet hatri pse ne të anashkalohemi në shkallë kaq poshtëruese e nënçmuese. Atje ta ndalojnë bartjen e shamisë, nuk lejojnë futjen e lëndës fetare nëpër shkolla, e në anën tjetër nuk të japin leje për ndërtimin e xhamive. ‘Punë me të lan mendtë’ -siç thotë populli.

Vlen të  ceket se këto ditë ka dalë në shtyp një deklaratë nga kuvendi komunal i Prishtinës për ndarjen e një parcele apo lokacioni për ndërtimin e një Xhamie tek Posta. Natyrisht se kuvendi komunal është vonuar tepër shumë me këtë vendim bile edhe këtë ende nuk e kanë zyrtarizuar. Pastaj ky vendim ka ardhur si rezultat i presionit të vazhdueshëm nga ana e xhematit dhe protestave të cilat janë zhvilluar qe dy vite dhe kërkesave të njëpasnjëshme nga ana jonë dhe nga ana e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë. Ky lokacion ani pse është një vend mjaft të mirë, sepse mbulon dy lagje tepër të rëndësishme të qytetit, atë të Ulpianës dhe Dardanisë, me gjithë atë nuk i plotëson kërkesat e parashtruara nga xhemati dhe BIRK-u, ngase ne të gjithë, e prej tyre edhe unë me tërë kapacitetin tim intelektual, kemi kërkuar që xhamia të ndërtohet në qendër të qytetit, diku afër dy kishave tjera të cilat janë aty pari, ajo katolike dhe ajo ortodokse. Andaj ne këtë lokacion nga kuvendi komunal do ta pranojmë si zgjidhjen më të hidhur, e në anën tjetër asnjëherë nuk do të ndalemi së kërkuari lokacionin e merituar në qendër të qytetit dhe atë me emër të Allahut do ta marrim, mos tani, më vonë gjithsesi. Nuk dyshoj në këtë aspak, e vitet në vijim do ta vërtetojnë këtë që po e them, sepse shumë kamë bindje të mëdha në këtë që po e them. Bile, shumë ka gjasë që lokacioni në të ardhmen do të propozohet nga vet qeveritarët pa presionin dhe kërkesën tonë, sepse gjendja është duke shkuar në atë drejtim.

Lusim Allahun e Madhëruar që xhamia tek parku i Postës të ndërtohet sa më shpejt, po edhe lokacioni tjetër në qendër të qytetit të na ndahet e të nderohet edhe aty një xhami, sepse nevoja e kërkon, e pushtetarët janë për t’i shërbyer qytetarëve. Allahu na i drejtoftë këta pushtetarë po edhe neve bashkë me ta.