Menubar

Në shenjë solidarizimi me restelicasit

 

Dr. Shefqet KRASNIQI 13.02.2012

 

Para dy ditësh në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit ndodhi një fatkeqësi e rëndë, e cila tronditi tërë vendin. Orteku i madh i borës mbuloi disa shtëpi duke lënë të vdekur nëntë persona dhe një të zhdukur. Familje e plotë shkuan brenda pak sekondave, la ilahe ilallah. Kur të vije exheli nuk ka kush që e ndal siç ka thënë Allahu xh.sh: “E kur të vijë afati (exheli) i tyre, për asnjë moment nuk mund ta vonojnë as ta ngutin” (Kur’an, Nahl: 61).

Po, të nderuar, atyre ju ka ardhur fundi, ju ka ardhur koha për të dalë nga kjo botë, e çdo njeriu padyshim se do t’i vijë fundi!

Vërtetë mënyra sesi kanë vdekur, pastaj numri i madh i anëtarëve të familjes, është e rëndë për ne të  gjithë, e në veçanti për familjarët e gjallë të tyre. Por në anën tjetër shumë shpresojmë të kenë shkuar shehid në veçanti kur ajo familje ka qenë fetare aq sa mësuam nga mediet. Ka thënë Pejgamberi a.s.: “ Ai që vdes nën gërmadha (nën objekt të rrënimit) është shehid”[1].

Aq sa jemi mërzitur të gjithë për ata anëtarë të vdekur, jemi gëzuar për vajzën e vogël të shpëtuar, të cilën e nxorën ushtria dhe policia nga gërmadhat pas një ditë të plotë kërkimi. Vërtetë një moment shumë i prekshëm për ata që ishin prezent kur kuptuan se vajza ishte e gjallë, bile shumë prekës edhe për neve kur e shikuam atë moment nëpërmjet mediave. Shumë njeriu ka qarë, e në mesin e tyre edhe unë. Fillova të qaj sepse ajo vajzë ka mbetur e vogël pesë vjeçare. Asaj që nga tani nuk i kujtohet asgjë, asaj nuk do t’i kujtohet asgjë as në të ardhmen. Ajo do të rritet jetim, e vetëm pa asnjë anëtar të familjes së ngushtë.

Eh sa vështirë është ta shohësh jetimin në atë gjendje!

Ah jetë e shkretë, sa e rëndë është kjo jetë, në veçanti për jetimët!

Në këtë rast nuk mundë të mos t’i falënderojmë banorët e tërë fshatit Restelicë në krye me hoxhën e nderuar, mikun tim Shaban Haxhiun, pastaj pjesëtarët e FSK-ës, të SHPK-ës dhe të gjithë ata që pa ndërprerë kanë bërë tërë atë që është e mundur për t’i nxjerrë viktimat nga ato shtëpi të rrënuara, duke shpresuar se do t’i gjejnë të gjallë, por ja që exheli ishte më i shpejt. Kështu ka qenë caktim, ata nuk mundën t’i shpëtojnë, përpos asaj bukuroshes së vogël, e ajo mjafton, sepse Allahu ka thënë: “....E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë një njeri gjallë) është si t'i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit” (Kur’an, Maide:32).

E të lumtë ata që janë bërë shkak për ta shpëtuar atë vajzë. Eh sa mirë është kur bëhesh shkak për ta ndihmuar dikë, e lëre më për t’ia shpëtuar jetën! E në këtë qastë më lejoni ta bëjmë një krahasim, se sa mirë e kënaqësi është ta shpëtosh dikë në këtë botë, po nëse bëhesh shkaktarë dhe e shpëton dikë nga vuajtjet e përhershme të xhehenemit, a ka më mirë?! Andaj siç jemi të kujdesshëm të  vrapojmë e të shpejtojmë për t’ju ndihmuar njerëzve që janë në hallë, e në veçanti kur është në pyetje me ua shpëtuar jetën. Ashtu duhet kujdesur që ti shpëtojmë edhe nga zjarri i xhehenemit. Po të nderuar vdekja është hakk, ringjallja është hakk, xheneti e xhehenemi janë hakk. Allahu na lehtësoftë vdekjen, na lehtësoftë edhe jetën pas vdekjes. Amin dhe selam alejkum.



[1] Ebu Davudi nr:188. Ka thënë Albani: sahih.