Edukimi fetar dhe kombëtar

 

Dr. Shefqet KRASNIQI

 

Edukimi fetar[1] është një çështje që nuk mund të trajtohet brenda një teme apo artikulli të shkurtër. Përkundrazi. Si temë, nëse kihet parasysh fakti se përfshin edhe aspektin e edukimit kombëtar, është shumë e gjerë por definitivisht edhe shumë e rëndësishme. Është një problematikë, për shkakun e neglizhimit të së cilës, bota po vuan shumë. E vërtetë, njerëzit nga vet natyra e tyre janë të pastër, lindin në natyrshmërinë e pastër në të cilën i krijon Zoti, gjë të cilën na e mëson edhe Kur’ani.

Përqendro vetveten tënde sinqerisht në fenë, i larguar prej çdo të kote, (e ajo fé), feja e All-llahut në të cilën i krijoi njerëzit, s'ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga All-llahu, ajo është feja e drejtë por shumica e njerëzve nuk e dinë.“ (err-Rrum, 30)

Po kështu edhe Pejgamberi [alejhis selam] ka thënë:

Çdo i porsalindur, lind në natyrshmëri...” (Transmetim unanim.)

E vërtetë, njeriu lind me natyrë të pastër, i pandikuar nga asgjë, pro e vërtetë është edhe ajo për të cilën flet hadithi në vazhdim:

Çdo i porsalindur, lind në natyrshmëri, por janë prindërit ata që e bëjnë të çifut, të krishterë...” (Transmetim unanim.)

Pra, po shohim se me të rritur, faktorët e jashtëm paskan ndikim determinues tek ai, po përcaktuakan në njëfarë forme sjelljet dhe veprimet e tij, dhe këtë sigurisht nga edukimi që merr.

Për këtë shkak, rëndësia e Islamit për jetën dhe sjelljet e njeriut është e pazëvendësueshme. Ai vjen për ta rregulluar këtë ‘avari’ shpirtërore e morale, këtë devijim dhe lajthitje, këtë humbje dhe degradim, vjen me parimet dhe mësimet e tij për ta kthyer njeriun në gjendjen e parë, në gjendjen e natyrshmërisë, pra në besimin e vërtetë. Allahu i Madhëruar ka thënë:

...Juve ju erdhi nga All-llahu dritë dhe libër i qartë. All-llahu e vë me atë (me Kur'anin) në rrugët e shpëtimit atë që ndjek kënaqësinë e tij dhe me ndihmën e Tij i nxjerr ata prej errësirave në dritë dhe i udhëzon në një rrugë që është e drejtë.“ (el-Maide, 15-16)

Po kështu, rol jetik në këtë drejtim ka edhe kumtuesi i Kur’anit, Muhammedi [alejhis selam], të cilin Allahu e lëvdoi pikërisht në Kur’an për moral të lartë:

4. Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!“ (el-Kalem, 4)

Është jetik ky rol ngase dërgimi i tij u bë për të edukuar njerëzit me edukatën që e kërkon prej tyre Krijuesi. Pra, për t’ua ndërruar ato doke dhe zakone, ato shprehi dhe tradita, që kanë lajthitur nga pastërtia në të cilën janë krijuar. Apo, edhe për të kultivuar moralin dhe edukatën, në mënyrë që të arrihen majat e tyre.

Jam dërguar për të përsosur moralet e mira!” (Hadithi është autentik. Shih: Sahihu-l-xhamii-s-sagir, 1/464.)

Edukata, në thelb, është diç e mirë, e këndshme. Me të përmendur fjalën ‘i edukuar’, njerëzit ndiejnë një lloj simpatie, ndihen më të sigurt, më të respektuar. Edukata është një urëlidhëse ndërmjet njeriut dhe Zotit por edhe ndërmjet njeriut dhe shoqërisë. Pra, ka një shtrirje vertikale, në raport me Allahun, dhe horizontale në raport me rrethin dhe shoqërinë. Në raport me Allahun, edukata në radhë të parë synon të vetëdijësojë njeriun karshi falënderimit të shumtë dhe të madh që duhet t’i bëjë Allahut për mirësitë e dhëna. Ky falënderim patjetër se duhet të shprehet në praktikë dhe botëkuptimet e tij duhet të reflektojnë në bindjet dhe veprimtarinë e njeriut. Nuk është e ndershme që adhurimin dhe lutjet t’ia përkushtosh idhujve dhe putave, yjeve dhe hënës, ndërsa ta mohosh Atë që të ka krijuar, të furnizon dhe tek i Cili është kthimi yt.

Edukatën ndaj Allahut duhet ta shprehim edhe në praktikë. Kur të kthehemi kah kibla për ta falur namazin, atëherë të përkujtojmë se para kujt po dalim, kujt po i drejtohemi, andaj të jemi në formën më të mirë. Po kështu edhe kur të lexojmë Kur’an. Le të mos thirremi në lejimet që kanë bërë dijetarët se lejohet të falesh kështu e ashtu, të lexosh Kur’anin në këtë e atë gjendje, por, në shenjë respekti dhe edukate, të dalim, respektivisht të qëndrojmë, në formën më të mirë të mundshme. Të mos harrojmë, e drejta e Allahut eshte para të drejtës së çdokujt.

Edukata në vijën horizontale, ndalesën e parë e bën tek vet njeriu. Ajo synon edukimin e tij për vetveten. Edukimin për shëndetin, shpirtëror, mendor e fizik, edukimin për rolin dhe rëndësinë e jetës, se ajo i është dhënë dhuratë nga Allahu dhe se askush për veç Tij, madje as vet njeriu, nuk ka të drejtë ta merr atë. Pastaj, edukata duhet të reflektohet dhe në sjelljet me prindër. Askund, besoj fuqishëm, nuk mund të gjesh respekt për prindin sikur në Islam. Në asnjë ligj të botës, në asnjë filozofi a kod etik dhe moral, nuk mund të gjen në Islam:

Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as "of - oh", as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).“ (el-Isra, 23)

Edukatën me bashkëshorten, atë të cilën e ke amanet, është një aspekt tjetër që Islami e trajton dhe i kushton vëmendje të madhe. Raportet ndërmjet bashkëshortëve duhet të jenë të ndërtuara mbi bazat e dashurisë dhe respektit të ndërsjellë. Burri duhet ta respektojë gruan por edhe gruaja nuk duhet ta harrojë obligim e madh që ka në respektimin e burrit, obligim ky nga i cili varet edhe kënaqësia e Allahut.

Islami edukatën e promovon edhe në raport me një shtresë njerëzish, të cilët kohës bashkëkohore janë duke ia parë sherrin më së shumti. Fjalën e kam për të moshuarit, për arrogancë ndaj të cilëve Pejgamberi [alejhis selam] ka kërcënuar me përjashtim moral –nëse mund të thuhet kështu. Pejgamberi [alejhis selam] thotë:

Kush nuk mëshiron të vegjlit tanë dhe nuk ia njeh të drejtën pleqve tanë, atëherë ai nuk është prej nesh!”(Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.)

Edukata përfshinë dhe fëmijët. Jo vetëm mëshira, por edhe mësimi i sjelljeve të duhura, fjalëve të hijshme, gjesteve të bukura, duhet të jenë në agjendën tonë për edukimin e fëmijës.

Islami ka dhe një tjetër edukatë, për mungesë të së cilës padrejtësisht akuzohet nga injorantët. Fjala është për edukatën me jomyslimanët. Ata po anashkalojnë qëllimshëm faktet. Ja se në ç’kontekst flet Kur’ani për këtë edukatë. Duke folur për urdhrat që i shin dhënë dy të Dërguarve të Zotit, Musasë dhe vëllait të tij, Harunit, [alejhimas selam] për të përcjellë thirrjen hyjnore tek njeriu më i keq përgjatë gjithë historisë së njerëzimit, Faraoni, Allahu thotë:

Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar. 44. Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet.“ (Taha, 43-44)

Imam Kurtubiu ka thënë: Allahu i Madhëruar urdhëroi Musanë [alejhis selam] të shkojë tek njeriu më i keq për ta ftuar në rrugën e Zotit, për çka e porositi maksimalisht të jetë i kujdesshëm dhe të tregojë edukatën e duhur, ngase qëllimi ynë është afrimi i njerëzve në fe e jo irritimi prej saj. Ne jemi të obliguar tua hijeshojmë njerëzve fenë e jo t’i zhysim edhe më thellë në humbje ngase ata tashmë veç janë fundosur në humnerën e saj. Ti nuk je më i mirë se Musai [alejhis selam] dhe as njerëzit nuk janë më të këqij se Faraoni!

Një aspekti tjetër që feja i kushton rëndësi të madhe edukimit përkatës është edhe fjalori. Fatkeqësisht, mund të hasësh në myslimanë që shajnë e flasin fjalë banale ndërsa ajo nuk përkon fare me karakterin dhe moralin e tyre. Një grup çifutësh thanë fjalë ofenduese për Muhammedin [alejhis selam], thanë ‘vdekja qoftë mbi ty!’ Pejgamberi [alejhis selam] ua ktheu: ‘Edhe mbi ju!’ Aisheja [Allahu qoftë i kënaqur me të] u prek nga kjo mungese edukate me Pejgamberin [alejhis selam] andaj edhe shfaqi hidhërimin e saj, ndërsa Pejgamberi [alejhis selam] e qetësonte duke i thënë se nuk ka për ta gjetur fjala e tyre ndërsa lutja e tij ndaj tyre kurrë nuk do të hiqet prej tyre. Ose thënë më thjesht, ç’dëm mund t’i shkaktojnë atij ato fjalë kur vdekja është në dorën e Allahut dhe ata nuk kanë as ndikimin më të vogël në të?! Pra, nuk ia vlen të merresh me ta për një gjë të tillë.

Edukata e Islamit nuk përkufizohet vetëm me botën njerëzore. Ajo përfshin edhe botën bimore dhe shtazore. Pejgamberin [alejhis selam] ka lëvduar ata që mbjellin pemë, me të cilat jo vetëm që ushqehen krijesat e Allahut, por edhe hijeshohet ambienti dhe natyra. Po kështu ka nxitur për mirësjellje me kafshët, duke përmendur shpërblim për të edukuarit dhe ndëshkim për arrogantët. Myslimanët e parë jetësuan në praktikë këto mësime. Ebu Derdaja në sëmundjen e vdekjes, i ishte afruar devesë së tij dhe i thoshte: Mos u anko për mua në Ditën e Kiametit! Ndërsa Adijj Ibn Ebi Hatim et-Taiu mblidhte thërrmijat e bukës dhe ua dërgonte buburrecave në vrimat e tyre duke thënë se këta i kemi fqinj dhe kemi obligim ndaj tyre.

Të nderuar,

Këtë moral dhe edukatë nuk do ta kishim nëse Islami nuk do të ishte feja jonë. Me këtë dua tua përkujtoj rëndësinë që ka kjo fe si dhuratë e Zotit për ne, andaj ta falënderojmë Atë ditën e natë dhe ta jetësojmë fenë e Tij në praktikën tonë, ngase vetëm kështu do të jemi të denjë të jemi përfaqësues të saj tek njerëzit. Mos çani kokën për ata që ua luftojnë fenë. Ata janë farësosur!

(Shkëputur nga tribuna e mbajtur në Pejë, 12.05.2012)



[1] Edukimin kombëtar, si temë, e ka trajtuar analisti Dr. Nexhmedin Spahiu, në të cilën tribunë pjesëmarrës ishte edhe ai si ligjërues.