Shkruan: Burim Sogojeva
Jemi në festën e Bajramit. Ne në Islam i kemi vetëm dy festa, pra vetëm dy Bajrame. Prandaj edhe duhet t’i shfrytëzojmë ato për tu kënaqur, madje duhet shijuar ato në maksimum.
Neve nuk na duhen, meqë nuk janë tonat, madje thënë më saktë e kemi haram ta festojmë çdo festë tjetër, pos këtyre të dyjave, duke filluar me - të shumë popullarizuarin edhe tek ne për fat të keq - vitin e ri, i cili aspak nuk ka të bëjë me fenë tonë të dashur.
Prandaj le t’i shndërrojmë në hare, zbukurim e lumturi këto dy festa tonat duke mos i harruar obligimet tona fillimisht ndaj Krijuesit tonë Madhështor, pastaj familjes, farefisit, e kështu me radhë, pra edhe duke i vizituar dhe kontaktuar ata. Fundja edhe Krijuesi i Gjithëpushtetshëm na ka urdhëruar t’i ruajmë lidhjet farefisnore, ndër të tjera në Kuran 4,1; 8,75 dhe 33,6.
Pra le t’i shfrytëzojmë të gjitha ditët e festës edhe duke u veshur më së bukuri. Sidomos ne që jetojmë në mërgim duhet kështu të tregojmë se ne kemi festë, kështu që të nxisim të tjerët të na pyesin se përse jemi veshur kështu veçantë, në mënyrë që këtë ta shfrytëzojmë duke bërë davet/thirrje në Islam përkatësisht së paku duke u munduar kështu me i luftuar paragjykimet që janë shumë të përhapura kundër Islamit paqësor dhe duke dhënë me shumë krenari shembull të mirë të një muslimani praktikues.
Mos të harrojmë, se ne që jemi në mërgim, meqë ligjet dhe kushtetutat e vendeve përkatëse na e garantojnë praktikimin e lirë të fesë sonë, madje edhe duke ndërtuar Xhamitë tona, e kështu me radhë, atëherë automatikisht menjëherë jemi të obliguar të bëjmë davet/thirrje në Islam, pra që të mundohemi të bëhemi shkak, që All-llahu i Lartësuar të udhëzojë të tjerët në rrugën e Xhenetit.
Fundja All-llahu i Lartësuar në lidhje me këtë na thotë si vijon në Kur'an:
41,33: E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “UNË JAM PREJ MUSLIMANËVE?
Konkretisht, në Gjermani është e rregulluar edhe çështja e Haxhxhit madje, edhe përmes vendimeve të gjykatave përkatëse. Pra nëse dikush ka mundësi dhe dëshiron ta kryej këtë obligim në kohën përkatëse, punëdhënësi është i obliguar ta liroj atë nga puna duke ia dhënë pushimin e tij vjetor dhe në rastin më të keq, ta liroj atë me pushim pa pagesë. Për këtë shiko edhe:
“§ 616 BGB“ si dhe „ArbG Köln, 17 Ca 51/08, 12.08.2008“.
Me rastin e kësaj feste le të dhurojmë pra sa më shumë lëmoshë/sadaka, të gëzohemi dhe të gëzojmë të tjerët, sidomos fëmijët dhe jo vetëm tanët, por se sidomos ata. Pra le ta shijojnë sidomos ata të vegjlit këtë festë duke e kuptuar se kjo është dita që duhet festuar, e jo ditëlindjet, e jo krishtlindjet, e kështu me radhë. Të urojmë edhe më tutje e të mos heshtim.
Për çudi tek ne shqiptarët ka mbetur thënia apo emërtimi i gabuar për këto dy festa dhe me sa kam konstatuar unë deri më sot, kjo na ka mbetur nga turqit, përkatësisht nga Perandoria Osmane, meqë edhe turqit e sotëm i quajnë ashtu gabim.
Pra e kam fjalën për atë se në popullatën tonë në përgjithësi, Fitër-Bajrami, i cili vjen pra pas përfundimit të muajit të bekuar të Ramazanit, quhet si Bajrami i madh, kurse Kurban-Bajrami, quhet Bajrami i vogël. Dhe kjo është plotësisht gabim, pasi që në të vërtetë është e kundërta dhe se Kurban-Bajrami është në të vërtetë ai i madhi, kurse Fitër-Bajrami i vogli.
Kjo madje në analizim të parë të bie në mendje se është në kundërthënie, meqë si mund të jetë Kurban-Bajrami ai i vogli, kur i ka katër ditë feste, përderisa Fitër-Bajrami i ka vetëm tre ditë!?
Pra urime festa e bekuar të gjithë muslimanëve dhe dashtë All-llahu i Lartësuar e të presim edhe shumë muaj të tjerë të bekuar të Ramazanit dhe Bajrame të tjera!
All-llahu Bujar na e pastë pranuar tërësisht agjërimin tonë dhe çdo adhurim tjetër enkas në këtë muaj të bekuar dhe na e shpërbleftë siç Ai din më së miri, duke na e shtuar devotshmërinë në maksimum në këtë dunja, duke na e bërë varrin prej kopshteve të Xhennetit dhe mbi të gjitha në ditën kur do të dalin para Tij, na mëshiroftë dhe na dhuroftë Xhennetin më të mirë, meqë atë mund ta fitojmë veç se me mëshirën e Tij dhe jo me meritën tonë.
Të gjitha lavdet, lavditë, madhështitë e falënderimet i takojnë Zotit tonë Bujar, që na ka bërë prej muslimanëve!
Paqja, bekimi dhe mëshira e All-llahut Madhështor qoftë me juve!