'Bajrami i Fitrit' apo 'Fitër Bajrami'

 

Ilmi Rexhepi

 

 

Sipas rregullave drejtshkrimore të normëzuara më 1972, vetëm emrave të disa festave u duhet shkruar me të madhe nistorja ,si : Viti i Ri, Një Maji, Dita e Pavarësisë, por jo dhe emrave të festave që binin ndesh me ideologjinë komuniste, kuptohet, pashkët dhe bajrami bëjnë pjesë te këto të fundit. Tashmë është koha që Këshilli Ndërakademik, ndër rishikimet e shumta, të rishohë edhe këtë çështje brenda një kapitulli të tërë rishikimesh që mund të quhej si kapitull i rishikimeve pastruese nga ngarkesat  ideologjike të asaj kohe.

 

Por, në të njëjtën kohë, ne myslimanët shqiptarë bëjmë mirë që festën e sotit ta quajmë sipas natyrës së sintaksës shqipe ( s’ka gjë keq pse fjalët janë me prejardhje të huaj): “Bajrami i Fitrit”, dhe jo sipas natyrës së një gjuhe të huaj, aftësia shprehëse e së cilës është mëkat të krahasohet me  të gjuhës sonë: “Fitër Bajrami”.

 

Shqipja ka huazuar e huazon fjalë nga gjuhët e tjera dhe kjo përbën pasuri dhe pasurim  të saj, por në sintaksë ka kështjellat. Shkencëtarët bëjnë çudi për paprekshmërinë e saj në rrethana të së kaluares, në të duket dhe dokumentohet më së qarti  njësia jonë shqiptare, me të më shumë se me çdo gjë tjetër na ka nderuar dhe na ka  ngritur Zoti mbi kombet me të cilat kemi pasur kontakte gjuhësore.

 

Fatmirësisht emri i kësaj feste në gjuhën e Kuranit është si në shqip” iidulfitri-Festa e Fitrit”.

Të ruajmë dhe të nderojmë veçantitë natyrore të gjuhës sonë që na e fali Allahu! Quhet kjo punë si mirënjohje ndaj Allahut për begatitë e Tij, si njohje e urtësisë së Tij që fali shumë gjuhë dhe që nuk urdhëroi njësimin e tyre dhe që urren shfytyrimin njerëzor.