Fisnik Kastrati
“Dua të ik nga këtu, dëgjova se ne Francë po pranonin azil, këtu më nuk jetohet...” Këto ishin fjalët që m’i thoshte një mik imi nga Prishtina.
Çfarë t’i thoja? Sado që mundohesha ta bind se jeta në kampe si azilkërkues nuk do jetë më e lehtë se ajo në Kosovë ai prapëseprapë insistonte. Nuk donte ta besonte sepse shumë nga mërgimtaret që vinin t’i kalonin pushimet në Kosovë i premtonin se po të dilte do t’i ndihmonin të gjente punë dhe se do ta merrte me shumë lehtësi lejeqëndrimin. Kështu, miku im atë ditë u largua nga unë pa përshëndetje dhe me një shikim përbuzës.
"E Vërteta e Hidhur"
E Shtunë, 24 Gusht 2013
Deri sa po shëtisja rrugëve të Lyonit me një mik timin, të cilin erdha ta vizitoj nga Gjermania, me ranë në sy disa tenda shumëngjyrëshe nën një urë në lagjen Perrache. U bëra kureshtar, andaj e pyeta mikun: “Çfarë janë ato tenda?” Përgjigjja që mora më habiti dhe më zemëroi aq shumë saqë fillova të dridhesha...
"Janë shqiptarë që kërkojnë azil, askush nuk kujdeset për ta." – ma ktheu ai.
U afrova dhe fillova të bëja fotografi, aty pashë gra me sy të përlotur, fëmijë të vegjël duke lozur afër tendave, burra dhe djem të rinj tek bisedonin me njëri-tjetrin. Nuk vonoi shumë dhe disa të rinj kërkuan të largohesha dhe të mos bëj më fotografi. U largova, por pamjet tmerruese nuk më hiqeshin nga mendja. Vëmendjen e kisha tek ata, ecja por as që dija si lëvizja, kaloja rrugët i heshtur duke pyetur veten: “A kanë ushqim për të ngrënë?! A kanë çfarë të veshin?! A kanë me se të mbulohen a ku të mjekohen...?! Kush i mbron nga të reshurat, nga të ftohtit, nga kriminelët?!”
Sa ma shumë vazhdoja, aq më shumë mbushesha urrejtje për shtetin francez, por gjithashtu edhe për Ambasadën Shqiptare e atë të Kosovës, të cilat me siguri janë në dijeni për këtë gjendje të tmerrshme, porse vazhdojnë të heshtin. Nuk është koha të heshtim, është koha të veprojmë! Kjo gjendje është krim, mbase është një mallkim që po bie mbi këtë popull, të cilit asnjëherë s’iu nda mjerimi...
Autobus të shumtë nisen nga dita në ditë nga Kosova për në Unionin Europian dhe, sipas dëshmitarëve, rasti i sipërpërmendur nuk është i vetmi. Kampe të tilla azilkërkuesish gjenden në gjithë territorin francez, por edhe në atë hungarez...
I apeloj Qeverisë së Kosovës dhe ambasadave, mos flini, njashtu si vraponi pas votave vraponi ta përmirësoni jetën e qytetarëve, ndërmerrni diçka për përmirësimin e gjendjes së azilkërkuesve. Për hir të Zotit, kjo gjendje duhet të ndalet...
"Shpesh ëndrrat na shtyjnë t’i kalojmë kufijtë, duke mos e ditur çfarë na pret përtej."
{gallery}images/stories/shembulli/zfotoshtese/kampi_france{/gallery}