Qentë endacakë dhe (pa)përgjegjësia

 

Dr. Shefqet Krasniqi

 

Që moti kam ngritur zërin se kryeqyteti ynë është shndërruar në çerdhe të qenve endacakë. Ata tashmë kanë vërshuar qytetin, i gjen kudo dhe në çdo kohë, në veçanti gjatë orëve të vona të natës, apo herët në mëngjes.

Qentë endacakë paraqesin rrezik të madh për qytetarët tanë, në veçanti për fëmijët, gratë, pleqtë apo personat me aftësi të kufizuara. Ata përpos që janë mjaft të pistë dhe mund të bartin sëmundje e viruse të ndryshme, janë edhe të rrezikshëm për jetë.

Këto ditë një plak u gjet i vdekur në parkun e qytetit si rezultat i kafshimit të qenve. Është vetëm rast për dëshmi, ndryshe raste të tilla ka shumë dhe gjithandej nëpër Kosovë. Qentë patën sulmuar më parë edhe një fëmijë në lagjen ‘Bregu i Diellit’, i cili, nga traumat që ka pësuar, edhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë probleme serioze.

Ndaj edhe shtrohet pyetja: Përgjegjësi e kujt është që të luftojë këtë dukuri tashmë të përhapur në çdo cep të Prishtinës?! Kush duhet të jap përgjigje dhe përgjegjësi për plakun e vdekur dhe për fëmijët e lënduar? Nga kush duhet kërkuar kompensimin/dëmshpërblimin e jetës së tij? Si është e mundur që të jetohet në një ‘qytet’ plot qenë e të mos mund të lëvizësh prej tyre.

Deri para disa vitesh qentë endacakë vriteshin, por tashmë ka njerëz dhe shoqata që çmojnë dhe vlerësojnë më shumë qentë sesa njerëzit. Këta të ‘moderuar’ kanë ekzagjeruar aq shumë vrasjen e qenve sa që si duket komuna e Prishtinës është ndikuar dhe nuk guxon të ndërmarrë aksion për vrasjen e tyre. Nuk arrij ta kuptoj, vallë pse e tërë kjo frikë dhe hezitim nga komuna për largimin e qenve nga qyteti. A mos vallë më të rëndësishëm janë qentë sesa jeta e qytetarëve! A më shumë kanë të drejtë qentë apo ne që të jetojmë në qytet! Na është ngushtuar jeta prej tyre. Ka jashtëzakonisht shumë ankesa nga qytetarët, në veçanti ata që zgjohen herët në mëngjes për të shkuar në xhami, në punë, në shkollë, apo për të shëtitur.

Nëse shoqatave për mbrojtjen e kafshëve iu dhimbsen qentë le t’i marrin në shtëpitë e tyre, falë u qofshin, madje jam në gjendje të organizoj mbledhjen dhe tubimin e tyre për t’ua dhuruar atyre ‘paqedashësve’ këta qenë endacakë pa asnjë centë, e pastaj ata le të bëjnë me ta çfarë të duan. Por qytetin tonë duhet ta pastrojmë nga qentë, e t’i lemë qytetarët të lëvizin lirshëm. Fundi i fundit jeta e një qytetari, mendoj, duhet të shikohet më e shtrenjtë sesa të gjithë qentë e botës. Imagjino sikur të kishte qenë plaku i vdekur apo fëmijët e lënduar, të afërm të përgjegjësve komunalë, apo qeveritarëve, si do ta ndjenin veten e tyre!

Para disa muajsh kuvendi komunal i Mitrovicës patë marrë një aksion për vrasjen e qenve endacakë dhe pastrimin e qytetit prej tyre. Në fakt pata falënderuar publikisht KK të Mitrovicës dhe që atëherë kam kërkuar, dhe kërkoj, edhe nga komuna e Prishtinës që të bëjë të njëjtën gjë, por si duket këta po presin që qentë t’ua sulmojnë ndonjë të afërm të tyre, apo ata vet të jenë viktima, e tek atëherë mund të alarmohet situata.

Për fund, u bëj thirrje organeve përgjegjëse të komunës së Prishtinës që sa më parë të ndërmarrin masat e duhura për largimin e qenve nga qyteti ynë, i cili edhe ashtu ka mjaft papastërti dhe pisllëqe. Shpresojmë se rasti i fundit i vrasjes së plakut nga sulmimi i qenve do të zgjojë sadopak ndërgjegjen e fjetur të përgjegjësve tanë komunalë.