Të mençurit edhe vetëm me gjeste kuptojnë

 

Dr. Shefqet Krasniqi

 

Fenomenet natyrore po përsëriten shpesh kohëve të fundit ndaj mu për këtë edhe e kam trajtuar disa herë këtë çështje në shkrimet e mia. Në cilësi të një këshilltari e ndjej obligim moral ta trajtoj përsëri këtë temë duke marrë si shkas vërshimet e fundit në Ballkan.

Patëm një dimër shumë të thatë që për shumë kë ishte shenjë ogurzezë se thatësia verës do të jetë e papërballueshme. Por, ja, Zoti lëshoi mëshirë mbi ne dhe pas shirave që filluan muajt e fundit, veçanërisht në maj, gjendja ndryshoi. Madje jo vetëm që ra shi më bollëk, por ndodhën edhe vërshime gjithandej Ballkanit. Falë Zotit, ne shpëtuam lehtë në krahasim me atë që përjetuan vendet fqinje.

Mëshira e Zotit ndaj nesh ishte e madhe, Ai jo vetëm që na lëshoi shi të mjaftueshëm, saqë u mbushën liqenet, puset, lumenjtë, por edhe atë shi e lëshoi ngadalë, qetë dhe me masë e kontroll të duhur. Sa i madh e i dashur je Ti o Zoti im!

Disa të gjorë, nga mosdija, e disa edhe nga kryeneçësia, u tallën kur ne i drejtuam duatë dhe lutjet tona Zotit fuqiplotë në xhami dhe jashtë saj, që të na begatojë me shi dhe mos të na dënojë për shkak të gjynaheve të disave nga ne. Nuk ka dert, sepse njerëz të këtillë kishte edhe në kohën e Pejgamberëve të Zotit dhe talleshin me ta, ndaj ata(ato) do të vazhdojnë të tallën, derisa të vijë koha kur besimtarët të marrin shpërblimin në botën e amshueshme, e tallësit dhe mospërfillësit të mbeten me gisht në gojë, siç ka thënë Pejgamberi Nuh alejhi selam:

“Ai (Nuhi) u thoshte: "Nëse talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu siç ju po talleni me ne!" (Hud, 38).

Sido që të jetë, ne nuk merremi me ta, por me pasojat që mund t’i përjetojmë së bashku për shkak të gjynaheve të tyre dhe rebelimit ndaj Zotit. Pa asnjë dyshim, ishte e mundur që i madhi Zot këtë vend të vockël tonin ta bënte ta gëlltiste toka ashtu siç ndodhi me vendet fqinje, të cilat për një shekull e më shumë nuk mbajnë mend vërshime të këtilla.

Kjo dukuri mund të interpretohet në forma të ndryshme, por, ne si besimtarë, e interpretojmë si pasojë e çrregullimit të botës njerëzore, e thyerjeve dhe shkeljeve të ligjeve të natyrës, kundërshtimit të kodit njerëzor, përhapjes së antivlerave si dhe luftimit të vlerave dhe kundërshtimit të rikthimit të tyre. A nuk shihni tërë këtë degjenerim? A nuk shihni se si njerëzit kanë filluar ta promovojnë atë që as shtazët nuk e bëjnë, ndërsa nuk kursehen t’i sulmojnë të tjerët se kinse këta të prapambetur nuk po i kuptuakan vlerat.

A ka diçka më të shëmtuar sesa të promovohen antivlerat, të konsiderohet vlerë martesa e të njëjtës gji, madje edhe të mbrohet me ligj, ndërsa të ndalohet martesa me gjininë e kundërt nëse kalon numrin një, pavarësisht vullnetit dhe dëshirës se palëve dhe mungesës së njërës palë! Për më tepër, antivlerat arrijnë deri në atë shkallë sa që të gjithë njerëzit normal që kundërshtojnë antivlerat, duke tërhequr vërejtjen në mënyrë racionale dhe të moderuar se një gjë e tillë nuk është në rregull, cilësohen si të sëmurë, të pacivilizuar, kundërshtar të demokracisë dhe ‘vlerave’ liberale etj.

Si të mos e mbaj këtë qëndrim kur për shfrenim anormal të së njëjtës gjini Allahu ka ndëshkuar popuj me gurë nga qielli dhe ka përmbytur vende të tëra që historia i njeh si Sodomë dhe Gomorë?! Me besoni apo jo, shpesh herë shoh veten para një ankthi e frike se mos do të na zbres edhe neve ndonjë dënim nga qielli, ndoshta Allahu deshi të na tërheq vërejtjen përmes asaj që pamë në Serbi e Bosnjë e Hercegovinë, e pas saj edhe tërmeti në Shqipëri.

Si të mos kemi frikë kur po shohim dhe po përjetojmë tërë këto dukuri negative të cilat po na ngulfatin? Nuk mbeti dukuri negative nga Lindja në Perëndim që nuk ia mësyu vendit tonë. Ky vend ani pse me hapësirë i vogël, megjithatë është bërë një teren “i përshtatshëm” për të përhapur antivlera e për të praktikuar aty lloj-lloj testesh e provash. Zaten jo rastësisht kanë thanë të vjetrit “tokën e shkretë e punon gjithkush?’.

Si të mos frikësohemi kur kaq shumë padrejtësi kanë kapluar këtë shoqëri? Krim, korrupsion, ryshfet, shantazh, shpifje, vjedhje, kidnapime, e çka jo tjetër.

Si të mos frikësohemi kur gjysma e popullit jeton me kredi të ndaluara fetarisht? E Pejgamberi i Zotit ka paralajmëruar se kur të paraqitën këto dukuri negative, apo disa nga to, atëherë prite kiametin, ka thënë ai i bekuar:

“Kur përgjegjësia (udhëheqja e vendit) u jepet në dorë njerëzve që nuk janë të aftë e meritor, atëherë prite kiametin.”

dhe ka thënë ai i bekuar:

Para se të ndodh kiameti do të shfaqen kamata, imoraliteti dhe pijet alkoolike.

Ndaj, të gjitha këto, por edhe shumë më shumë, i kemi sot prezent në çdo cep të shoqërisë sonë. Andaj Allahu na mëshiroftë e na ndihmoftë, se punët nuk i kemi aspak mirë.

Lusim të madhin Zot që ta drejtojë këtë popull e këtë shoqëri, të nxjerrë nga bijtë dhe bijat e këtij populli vizionarë që bëjnë reforma dhe e përmirësojnë gjendjen tonë. Mos na dëno o Zot për gjynahet tona. Amin, deri në javën tjetër selam alejkum...