Nga: Rexhep Elezaj
Nuk ka dyshim se arrestimi i 42 qytetarëve të Republikës së Kosovës para tri ditëve në orët e hershme të mëngjesit, nën pretekstin si të dyshuar për vepra dhe akte të terrorizmit ndërkombëtar si dhe për pjesëmarrje në luftën në Siri, imazhit dhe rendit kushtetues të shtetit të Kosovës i ka dhënë një goditje të rënd dhe vetë denigruese para gjithë botës. Ngase, në mënyrë zyrtare komunitetit ndërkombëtar i është bërë më dije se në Kosovë veprojnë elemente dhe grupe radikale dhe terroriste, gjë e cila nuk është aspak e vërtetë..!?
Shtrohet pyetja e pashmangshme; si ka mundësi që në një shtet të vogël dhe ende të pa konsoliduar në kuptimin e mirëfilltë juridik dhe demokratik, pastaj pretendues për t’u integruar në familjen e popujve të bashkuar të Evropës, siç është Kosova aktualisht e ballafaquar më vështirësi të mëdha ekonomike, politike dhe sociale, ku zhvillimi i ultë ekonomik dhe papunësia arrijnë shkallën më të lartë në rajon dhe Evropë, më një rini të lënë në rrugë dhe pa përkujdesje institucionale, etj, si rrufeja nga qielli i kthjelltë të nisë aksioni policorë më aq bujë dhe zhurmë mediale kundër qytetarëve të vetë, po sikur aktet terroriste të cilat po ndodhin çdo ditë në Siri të bëheshin në Kosovë, e jo në një vend më largësi gjeografike mbi 10.000 km vijë ajrore.?!
Askush nga qytetarët e Kosovës që ka në kokë një trohë mend nuk i përkrah dhe as nuk i mbron veprat kriminale dhe terrorizmin, pa marrë parasysh vendin, shkaqet dhe aktorët e tyre, prandaj t’ia veshësh qytetarëve të shtetit tënd dyshimin e pa faktuar për vepra terroriste, ose t’i arrestosh nën reflektorët e kamerave televizive, duke prejudikuar aktakuza kundër 42 njerëzve, ende pa e thënë fjalën e vetë organet e drejtësisë, pa dyshim se ka qenë një veprim skandaloz i llojit të paparë deri më tash në Kosovë. Sepse, edhe po të ishte e vërtetë se në Kosovë veprojnë grupe ekstremiste, radikale dhe terroriste islamike, arrestimi i tyre do duhej bërë pa spektaklin që e pamë ditën kur ata u kapën nga policia dhe në mënyrë të qetë e pa zhurmë, ashtu siç veprohet në raste të këtilla në çdo shtet demokratik në botë. Ngase, duke u sjellë ashtu siç veproi policia jonë, në fakt organet tona shtetërore lanë të kuptohet se në Kosovë ka grupe terroriste dhe ekstremiste (?!). Dhe, nëse kjo ka qenë “strategjia” e organeve të sigurisë në Kosovë, si e tillë del pikë për pikë e ngjashme më metodat e regjimit serb të bëra më dekada kundër shqiptarëve, sidomos në fund të shekullit të kaluar se gjoja “në Kosovë ekstremistët dhe radikalistët islam po bëjnë akte terroriste kundër Serbisë..se UÇK-ja është organizatë xhihadiste dhe terroriste islamike, se në Kosovë shqiptarët po bëjnë luftë fetare për krijimin e shtetit etnik dhe mysliman në Evropë..”, etj, etj..!? Më një fjalë, mënyra dhe dramaciteti i arrestimit të 42 të dyshuarve për akte terroriste në Siri, drejtpërdrejt i kanë shkuar në favor të politikës antishqiptare të Serbisë në Ballkan dhe më gjerë, kur dihet fakti, se është vetë regjimi i Serbisë ai i cili ka bërë më qindra akte terroriste kundër popullit shqiptar në Kosovë, se kishte dërguar më dhjetëra grupe terroriste që të vrisnin dhe t’ua prisnin kokat mijëra shqiptarëve si dhe akte tjera kriminale, por që kurrë nuk e pranoi botërisht se ato grupe kriminale kanë bërë vepra terroriste në Kosovë..?! Pra, regjimi kriminal i Beogradit kurrë nuk e pranoi faktin, pranë gjithë trysnisë ndërkombëtare, se kishte dërguar ekspedita terrori dhe gjenocidi në Kosovë për ta zhbërë popullin shqiptar, dhe kështu më radhë, duke i mohuar kategorikisht të gjitha krimet e bëra në Kosovë në vitet 1990-1999 ndaj shqiptarëve..!?
Ndërsa, regjimi në ikje i Hashim Thaçit, ende pa e thënë fjalën e tyre gjykatat përkatëse ndaj 42 të dyshuarve për terrorizëm, akuzon publikisht dhe arreston qytetarët e saj (Kosovës) se na qenkan terrorist, ekstremist dhe radikalist islamist, për faktin e vetëm se gjoja paskan marrë pjesë në luftërat e grupeve radikale islamiste në Siri dhe Irak, duke i ekzagjeruar pa nevojë rastet individuale për t’ iu dhënë karakter të përgjithshëm, se gjoja në Kosovë paska grupe të rrezikshme terroriste dhe ekstremiste fetare islame, e që në fakt nuk është e vërtetë..!?
Se çka nënkupton termi radikalizëm dhe ekstremizëm islam, nuk besoj se e dinë dhe e kanë të qartë shumica e qeveritarëve tanë, prandaj, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë faktin e hidhur, është e sigurt se veprimet e fundit të qeverisë në ikje të H. Thaçit si dhe aksioni i policisë, imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare i kanë shkaktuar dëme të pariparueshme, prandaj më bindje të plotë e them se një vendim i tillë i qeverisë së H. Thaçit nuk ka mundur kurrsesi të jetë ndërmarrë më sugjerimin dhe në koordinim më miqtë tanë ndërkombëtarë, por i njëjti vendim duhet të jetë marrë brenda një rrethi të ngushtë qeveritarësh në ikje, jo më qëllim të ruajtjes së sigurisë së shtetit të Kosovës siç po thuhet, sepse ajo nuk është e rrezikuar nga askush, por thjeshtë për interesat e tyre personale dhe karrieriste. Përndryshe, as që mund të ketë pasur prapavijë tjetër arrestimi dhe akuzat ende të verifikuara ndaj 42 qytetarëve të pafajshëm të Republikës së Kosovës, mbase ditët në vijim do të na tregojnë qartë se tërë kjo zallamahi dhe lojë e dëmshme politike ka qenë vetëm një skenar i dështuar i disa qeveritarëve në largim, dëmet e të cilit siç ka ndodhur më dhjetëra herë në këto 15 vitet e fundit do t’i paguan populli ynë i shumëvuajtur dhe i rraskapitur nga gjendja e rënd ekonomike dhe sociale..!?
[quote width="auto" align="left" border="#F89406" color="#F89406"]"Opinionet e autorëve nuk paraqesin doemos edhe opinionin e redaksisë së portalit Shembulli.com"[/quote]