Jusuf Thaçi
Në çdo rast të arrestimeve për çështje të ndjeshme, para se gjykata ta thotë fjalën e vet përfundimtare, të tjerët po ia bëjnë gjyqin publik të akuzuarve. Gjyqësia publike, përveç që është cilësi e shoqërive primitive, ajo e polarizon shoqërinë panevojshëm e sforcërisht, duke i barrikaduar pozicionet e kundërta artificialisht.
Dy shembujt e fundit:
1. Kur u arrestuan disa komandantë të UÇK-së që po akuzohen për krime lufte (Grupi i Drenicës), disa “adhurues të drejtësisë” dhe “humanistë e parimorë ekstremë” i shpallën menjëherë fajtorë këta persona. Në anën tjetër, disa “të dashuruar pas UÇK-së” dhe “liridashës e patriotë ekstremë” i hyjnizuan këta persona. Kjo gjyqësi publike bëri që edhe shoqëria jonë të ndahet në “kundërshtarë të UÇK-së” dhe “përkrahës të UÇK-së” kur në fakt nuk besoj që ndër shqiptarë ekziston ndonjë kundërshtar i UÇK-së.
2. Tani që u arrestuan këta 40 persona që po akuzohen për terrorizëm (e gjëra që lidhen me këtë), menjëherë u bë gjyqi publik dhe nga disa këta persona u shpallën terroristë e nga disa të tjerë u shpallën engjëj. Edhe në këtë rast po na e ndajnë shoqërinë në “kundërshtarë të terrorizmit” dhe “përkrahës të terrorizmit” kur në fakt nuk besoj që ndër shqiptarë ekziston ndonjë përkrahës i terrorizmit (përveç ndonjë terroristi i dëshmuar me vendim gjykate si i tillë).
Më e keqja është se këtë GJYQËSI PUBLIKE nuk po e bënë kushdo, por (nëse i marrim për bazë vetëm dy shembujt e sipër-përmendur), gjyqësinë publike po e bënë Kryetarja e vendit, Kryeministri i vendit, disa ministra, disa deputetë, disa parti politike, disa media, disa opinionistë e disa organizata të ndryshme. Për t’ia vënë kapakun, në rastin e fundit, gjyqësisë publike iu bashkëngjiten edhe disa ambasadorë të shteteve të ndryshme dhe kjo është për keqardhje, sepse në vendet prej nga vijnë këta ambasadorë, të akuzuarit gjykohen në gjykatë e nuk iu bëhet gjyqësi publike.
Të gjithëve, aman mjaft me gjyqësi publike se po na e përçani e po na e shkatërroni shoqërinë!
[quote width="auto" align="left" border="#F89406" color="#F89406"]"Opinionet e autorëve nuk paraqesin doemos edhe opinionin e redaksisë së portalit Shembulli.com"[/quote]