Ermir Hoxha
“Bah, sa i rrezikshëm paskam qenë”- thotë kështu një personazh në një komedi shqiptare, një batutë që mjeshtërisht shpërfaq absurdin e një sistemi si ai komunist. Kjo më erdhi ndërmendje, teksa pashë të publikuara në një portal lajmesh fotot e Kullës së Jetimit në Prevallë të Sharrit, mbyllur këto ditë nga policia e Kosovës në kuadër të një operacioni kinse antiterror, me vulën policore si vendstrehim terroristësh!!!
Jam banor i rregullt i asaj kulle ç`prej vitesh e ja njoh çdo skutë. Kam qenë aty si gazetar, si protagonist në një film, si pushues, si familjar; kam luajtur aty basketboll e futboll, kam shkuar për skijim apo thjesht për një vakt me prodhime bio; kam takuar aty lloj lloj njerëzish, qose apo me mjekra, me të gjata apo me të shkurtëra, të veshur shik apo sportiv, të rinj e pleq, shqiptarë apo të huaj, deri dhe ushtarakë KFOR-i, por që aty paska patur dhe terroristë, këtë nuk ja fal vetes që nuk e paskam nuhatur.
Po ku paskan qenë xhanëm, se vec të tjerash, jam dhe kurrioz të dij nëse po t`ua prekësh mjekrat, a lëndohen në sedër si ndoca shqiptarë që reagojnë të lënduar po t`ua prekësh majën e hundës?! Si nuk e paskam ndjerë erën e barotit në qofte?! Si nuk e paskam vënë re që thika me të cilën priteshin domatet e kastravecat për sallatë, paska qenë njëherësh dhe për prerje kokash?! Si nuk paskam mundur të shoh prapa portretit të administratorit, Haxhi Qemalit dora vetë, burrnisë, paqes e urtërisë së tij, rekrutuesin e rafinuar të terroristëve?!
Si munda që një ditë prej ditësh të çojë aty menaxherin e kompanisë më të madhe turistike shqiptare, që për më tepër mbeti i mahnitur nga shërbimi, edukata, cilësia e ushqimit e përkorsësia në sjelljen e stafit?! Si munda që një ditë prej ditësh t`i propozoj mikut tim Auron Tare, që bashkë me familjen e tij të mirë që ka e gëzon, të kalojë ca ditë dimri te Kulla e Jetimit, ndonëse Tare vuan të takojë e të intervistojë një luftëtar kauzash religjoze?! Hej Kosovë, ç`po më befason! Si komunizmi dikur, edhe ti po më bën të dyshoj, se mos jam terrorist e nuk di gjë?!