Justinian Topulli
Është në natyrën e njeriut të kërkojë pushtet mbi sendet, madje një nga tundimet më të mëdha që e josh atë së tepërmi. Shpesh qytetërimi njerëzor në çdo etapë të tij lexohet pikërisht si një përpjekje e vazhdueshme e njeriut për të sunduar mbi botën, për të zotëruar dhe pasur pushtet mbi çdo gjë që e rrethon. E parë në këtë këndvështrim, zhvillimi teknologjik është prirja e njeriut për të sunduar mbi botën materiale. Njohuria e tij për botën nuk nxitet vetëm nga kërshëria që ai ka për të njohur çdo gjë, por edhe për ta sunduar atë. Shpikja e veglave, zhvillimi i teknologjisë, zbutja e kafshëve, modifikimi gjenetik i qenieve të gjalla, qofshin këto bimë apo kafshë, etj. vjen edhe si shkak i synimit të njerëzve për të pasur kontroll dhe pushtet mbi objektet që e rrethojnë. Por, padyshim sfida më e madhe për njeriun është pushteti i tij mbi sojin e tij, është përpjekja për të ngadhënjyer mbi dobësitë e tij si qenie njerëzore, që ia kufizojnë atij pushtetin, pra mbi vetveten dhe mbi të tjerët. Një nga këto dobësia dhe më rëndësishmja është vdekja. Asnjë pushtet sado i madh dhe i shtrirë që të jetë, nuk mund të jetë i plotë nëse nuk është i përjetshëm. Kështu pra, që lufta për të ngadhënjyer mbi vdekjen dhe fituar përjetësinë, motivohet edhe nga dëshira për pushtet të përjetshëm.
Shpesh joshja e njeriut për të pasur pushtet mbi llojin e tij është më e madhe dhe më e kënaqshme për të, sesa pushteti mbi objektet e pajetë e të palogjikshëm. Dhe pikërisht për këtë, ai e ndjen veten të pushtetshëm, pra vetëm kur ndjen pushtetin e tij mbi njerëzit e tjerë si ai dhe jo thjesht mbi sendet dhe objektet materiale, të cilat nuk ia kënaqin atij egon e pushtetit aq sa duhet. Një nga format e shfaqjes së kësaj prirje është edhe përpjekja e njeriut për t’iu imponuar të tjerëve mendësinë e tij, duke dashur që edhe të tjerët të mendojnë dhe veprojnë si ai, ose ashtu siç dëshiron ai për ta. Sepse, natyrisht vetëm kështu ai mund të arrijë ta ndjejë vërtetë pushtetin e tij mbi të tjerët..
Revolucioni industrial, zhvillimi i shkencave humane dhe përmbysjet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur dhe po ndodhin veçanërisht në këto dy shekujt e fundit, nuk janë –sipas leximit të më sipërm- veçse një përpjeke e intensifikuar tej mase, për rritjen e pushtetit të njeriut, qoftë kjo mbi botën materiale, qoftë kjo mbi racën humane. Mirëpo, është e çuditshme që çdo njeri në vetvete sado i pushtetshëm që të jetë dhe sado që i ndjen kufizimet që i japin dobësitë e tij, përsëri ai kërkon të riprodhojë vetveten, kjo sepse ai mendon se në thelb ai është më i miri, duke e imagjinuar veten shpesh si një rast tejet i veçantë dhe ndoshta i papërsëritshëm, për veçantinë që ka, dhe se vetëm sfida me kohën është ajo që e pengon atë si individ të bëhet më i përsosuri. Pikërisht nisur nga kjo ego e njeriut, ai nuk kërkon një botë dhe njerëz ndryshe nga çfarë ai është në thelb, apo si i imagjinon dhe i ëndërron ai, por kërkon një riprodhim të vetvetes dhe dëshirave të tij. Dhe pikërisht kjo ego e shtyn atë, ndër të tjera të kërkojë përjetësimin e tij në këtë botë me mënyra nga më të ndryshmet. Një nga këto mënyra, sipas tyre, mund të jetë edhe klonimi gjenetik, ku disa njerëz mendojnë se nëpërmjet tij do të mund të përjetësojnë trupin, dëshirat dhe ëndrrat e tyre! Disa të tjerë kërkojnë ta përjetësojnë pushtetin e tyre nëpërmjet ideologjive, të cilat ata i shohin si finale dhe të përfundme, duke dashur kështu të kthehen në zota të hyjnizuar prej njerëzve. Ka njerëz iluzionar që ëndërrojnë se mund ta përjetësojnë vetveten duke e digjitalizuar atë dhe ta zhvendosin atë të jetojë në botën kibernetike, e prej andej të vërtiten ndërmjet kësaj dhe asaj bote! Të tjerë në mënyrë klasike, duan ta arrijnë këtë nëpërmjet diktaturës..., e rëndësishme për ta është të përmbushet kjo dëshirë e pandalshme për përjetësi dhe pushtet, pa mjeti pak rëndësi ka.
E pra është pikërisht ky instinkt i brendshëm njerëzor, që dreqi e pikasi dhe e shfrytëzoi, për ta joshur atë drejt përjetësisë dhe pushtetit të përjetshëm: “Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?” (Kurani, 20:120)
Dhe përfundimi dihet...një mirazh pas të cilit ai do të rend pa arritur kurrë atë!