Dorlir Kraja
Ishte viti 1999 kur ne si xhematlinj dhe gjimnazistë dëgjonim dhe na tregonin mbi luftëtarin kundër forcave çetnike në Bosnjë, pastaj komandantin e një njësiti të UÇK-së, mik të Ilaz Kodrës dhe dashamir të Adem Jasharit në kohën kur ai ishte gjallë. Në këtë kohë ky ish-komandant ishte në burgjet e Serbisë bashkë me Albin Kurtin dhe shumë ish-ushtarë të UÇK-së.
Mund ta paramendoni se çfarë ndjesie ka qenë për ne (mua) të dëgjonim për këtë njeri në atë kohë. Ishte viti 2002 kur Zoti ma mundësoi që me sytë e mi të shoh këtë hero të gjallë, bile jo vetëm ta shoh, por ta takoj dhe të përshëndetem me të. Edhe pse me ambientet e xhamisë, atmosferën xhematore dhe praktikimin e fesë isha në kontakt që nga vitet e nëntëdhjeta si fëmijë i vogël fillorist.
Sigurisht krejt kjo që thash duket pak subjektive, emocionale dhe pak 'letrare', duke u bazuar nga mosha që kisha në atë kohë dhe nevoja për të pasur një hero.
Por, çfarë më dëshmuan vitet në vijim? Takimet dhe ndejat më nuk ishin të rralla, sepse tani hoxha mbante ligjërata në xhami dhe vende të tjera, takoheshim dhe bisedonim, kurse pyetjet dhe paqartësitë që kishim që nga çështjet e besimit deri te hollësitë e jetës së përditshme ua parashtronim çdo ditë. Ai kurrë nuk fliste për të kaluarën e tij në luftë dhe as vuajtjet në burg, përveç nëse fliste ndonjë fjalë të mirë për të bashkëburgosurit e tij e që ndoshta s'ishin fare me bindje Islame. Kurrë nuk dëshironte të impononte pozitën e vet dhe të kaluarën e tij për t'u treguar më i veçantë karshi gjithë shoqërisë e në veçanti karshi xhematit.
Është ky Hoxha Ekrem Avdiu, i cili 12 vjet të tëra na mësoi vetëm rregullat e sjelljes islame, moralin e mirë dhe bashkëjetesën me ata që mendojnë dhe besojnë ndryshe. Është ky Hoxha Ekrem i cili ishte dhe është alergjik nga çdo tollovi, protestë dhe hallakamë. Është ky Hoxha Ekrem të cilit kurrë nuk i skuqej dhe nuk i skuqet fytyra (e merrte me gjakftohtësi) për të bëmat e islamofobëve dhe armiqve të Fesë, por i skuqej fytyra për gabimet dhe skandalet e myslimanëve dhe të xhematit. Opozitar i rreptë i ideologjisë tekfiriste/havarixhe (ekstreme). Hoxhë i cili përkundër shtypjeve, shpifjeve dhe padrejtësive të shumta s'është ndikuar kurrë dhe as që ndikohet nga emocionet.
Në anën tjetër e kemi Hoxhën Enis, i cili gjithashtu ishte pjesëtar i UÇK-së, si lider i vërtetë shpirtëror, ku tash e dhjetë vjet kryekëput nuk ligjëroi asgjë më shumë se sa për pastrim të shpirtit, kuptim të drejtë të Islamit dhe afrimin me të "tjerët". Hoxhë i cili kategorikisht ka kundërshtuar dhe kundërshton ideologjitë e devijuara te tekfirit, ku dhe si pasojë e kësaj u akuzua dhe akuzohet si: "Shërbëtor i Tagutit (Tiranëve jobesimtarë)", "Njeri i shitur i Ambasadës Amerikane", "Frikacak" dhe "I devijuar". Hoxhë i cili përkundër të gjitha provokimeve nga elementet ekstreme tekfiriste dhe nga islamofobët, kurrë s'ka ndërruar qëndrim dhe s'është luhatur, edhe pse ishte kërcënuar me vrasje.
Mbas gjithë kësaj përvoje time nga mosha e vegjëlisë deri tani kur tashmë kam krijuar karrierë dhe familje, ka kaluar koha e emocioneve dhe e nevojës së domosdoshme për të pasur hero. Tashmë me këtë që po u bëhet hoxhallarëve tanë pas gjithë kësaj besoj dhe jam dëshmitar i gjallë se këta janë heronj të vërtetë, janë shëmbëllim i historisë njëmijekatërqind vjeçare të Islamit të burgosjes së Imamëve të mëdhenj nga pushtetet si: Imam Ebu Hanifja (emër në të cilin qeveritarët dhe pseudoanalistët pa ditur kush ka qenë Ebu Hanifja thirren), Imam Ahmedi, Ibn Tejmija etj.
Ne nuk do të bëhemi ekstremistë kurrën e kurrës e as që do të devijojmë nga bindjet tona islame, çdo gjë do të shkojë njëjtë.
Vetëm një gjë është forcuar...
Hoxhallarët janë shembujt e vërtetë të heroizmit, shëmbëlltyrë e përqendrimit dhe maturisë dhe liderët tanë pas të cilëve, që nga tani, do të kapemi me dhëmballë.