'Krimi i jakës së bardhë' apo 'krimi i çallmës së bardhë'

Hoxhë Valdet Kamberi

Ngjarjet e fundit në Kosovë, me jehonën të cilën e krijuan, na mësuan apo më mirë të them na imponuan kuptimin ndryshe të krimit, terrorit, shpëlarjes së parave etj. Po të mos ndodhte ajo që ndodhi, nuk do ta dinim se pasuria e hoxhës quhet ‘shpëlarje pararash’, ndërsa pasuria (e majme) e pushtetarëve quhet ‘fitim hallall’. Tani e tutje nuk bën të habitemi nëse Qeveria e Kosovës (MASHT) do të formojë komisione për të ndërhyrë edhe në tekstet (juridike) e kode penale për të dhënë shpjegimet ‘e drejta’ të këtyre emërtimeve, përndryshe studentët shumë lehtë mund të dështojnë në provime, si pasojë e mosnjohjes së këtyre definicioneve. Megjithatë, lutemi që kjo të mos ndodhë.

A kemi menduar ndonjëherë pse shkalla e varfërisë në Kosovë është shumë e lartë, pse janë analfabetë 4.18% në popullsinë mbi 15 vjeç, ndërsa në mesin e grave 5.07%, pse në çdo 50 të punësuar nuk punësohet një me aftësi të kufizuara (ashtu siç e parasheh ligji), pse privilegjohet komuniteti serb në krahasim me komunitetet tjera, pse presidenten e zgjedh Amerika, e jo ata vetë, pse e ndajnë qytetin në veri dhe jug, pse janë i vetmi vend në Evropë që akoma nuk e ka fituar liberalizimin e vizave, pse edhe tre muaj pas zgjedhjeve ende nuk po arrijnë ta formojnë qeverinë, pse nuk po i gjejnë të zhdukurit, pse veteranët e luftës jetojnë në mjerim, dhe shumë e shumë pse të tjera! Sado që është e madhe shumëllojshmëria e pse-ve, sepse-të kanë një emërues të përbashkët, e ai gjendet në pjesën e parë të titullit.

Por, kush fshihet pas një rinie, të cilën sot e ke më respektuese të prindërve se sa më herët, sot e ke më larg nga dukuritë degjeneruese të shoqërisë kosovare, sot e ke më të përkushtuar për mësim e dije, sot e ke më bamirëse se shumë të pasur të tjerë, sot e ke më afër nevojave të hallexhinjve, sot e ke më të familjarizuar, sot e ke më respektuese të të moshuarve në mesin e tyre dhe shumë aspekte pozitive të cilët ata i transmetojnë aty ku janë. E gjithë përgjigja gjendet në pjesën e dytë të titullit.

Tani për akterët kryesorë që urdhëruan arrestimin, unë nuk di si të lutem: “O Zot, fali sepse ata nuk e dinë se ç’bëjnë!”, apo “O Zot, mos i fal, se ata e dinë se ç’bëjnë!”