BIK-u dhe Qeveria përballë luftës së ekstremizmit

 

Premtim Kastrati

 

Para pak ditësh Qeveria e Kosovës hartoi të ashtuquajturën “Strategjia për parandalimin e ekstremizmit që shpie në terrorizëm 2015-2020” dhe kjo strategji pastaj u diskutua edhe në “Këshillin për Siguri të Kosovës” me iniciativën e kryeministrit, për të cilat pastaj do të njoftohet edhe presidentja. Gjithashtu rastis që këto ditë po bëhen një vit që kur hoxhallarët u arrestuan dhe ndaj tyre u ngrit akuzë për terrorizëm dhe nxitje të ekstremizmit. Pastaj në këtë javë, po ashtu në shkollat fillore të Mitrovicës dhe të Vushtrrisë, u mbajtën ligjërata vetëdijësuese rreth ekstremizmit, për t`i njoftuar nxënësit me rrezikun që e shkakton ekstremizmi. Këto, dhe shumë ngjarje dhe iniciativa të tjera përbejnë një përkushtim të madh nga ana e shumë faktorëve në vendin tonë, të cilët kanë një qëllim të përbashkët e që është “Luftimi i ekstremizmit dhe gjetja e mënyrës së duhur për të parandaluar radikalizmin”. Kur flitet për ekstremizmin, ne në fokus kemi numrin e shqiptarëve pjesëmarrës në luftën e ISIS-it në Siri dhe Irak, dhe pikërisht në këtë pikë tentohet të gjendet një zgjidhje në mënyrë që të ndalet numri i pjesëmarrësve në luftën e Shamit.

Kohëve të fundit vazhdimisht flitet rreth ekstremizmit, radikalizmit, terrorizmit dhe termave tjera që sillen rreth tyre. Bile këto janë temat kryesore dhe që zgjojnë kureshtjen e të gjithëve. Pastaj për këto tema hartohen shumë strategji, mbahen shumë debate dhe seminare. Gjithashtu shkruhen shumë shkrime dhe analiza të natyrës teorike por edhe empirike. Mirëpo ajo çka është me rëndësi është se sa janë produktive të gjitha këto iniciativa dhe hulumtime? Sa ka rezultate në Kosovë nga lufta kundër ekstremizmit dhe sa është ndalur trendi i rritjes së shkallës së terrorizmit dhe radikalizmit në kohën e fundit? Për t`iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të analizohet tendenca e rritjes së personave të eksremizuar, dhe kjo analizë pastaj të bëhet duke u bazuar në raportet kredibile empirike dhe statistikore të cilat paraqesin shifrat që shpalosin gjendjen reale në këtë rrafsh.

Unë në kontestin e një praktikuesi të fesë, tash e disa vite, por edhe si ndjekës me interesim i zhvillimeve rreth këtyre çështjeve, mendoj se roli kryesor për të përmirësuar ose për të përkeqësuar nivelin e ekstremizmit në Kosovë i takon Qeverisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK). Qeveria nga njëra anë përfaqëson të gjithë qytetarët e rrezikuar nga ky fenomen dhe roli i saj është të eliminojë shkaqet që e nxisin zhvillimin e ekstremizmit, në mënyrë që të sigurojë mirëqenien për të gjithë shtetasit e rrezikuar, ngase problemi më i madh i kësaj dukurie është aspekti i sigurisë. Ndërsa BIK-u nga ana tjetër, përfaqëson besimtarët dhe është kompetent që t`ua mësojë fenë besimtarëve dhe t`i edukojë ata në mënyrën e shëndoshë për të cilën thërret islami. Roli i këtyre dy institucioneve është jashtëzakonisht i nevojshëm, sepse pikërisht këta dy faktorë janë shumë të rëndësishëm në evitimin a eventualisht përhapjen e ekstremizmit apo radikalizmit. Për mendimin tim, edhe Qeveria edhe BIK-u në mënyra të ndryshme kanë ndihmuar, apo thënë më butë, kanë hapur rrugë ekstremizmit dhe përhapjes së radikalizmit në Kosovë dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe më tutje. Kjo bëhet në disa pika të cilat do të cekën në vazhdim, të cilat janë duke e stimuluar rritjen e tendencës  ekstremiste, edhe pse ndoshta kjo bëhet pa qëllim nga të dyja palët.

Qeveria dhe vendimet e saj përballë ekstremizmit e kanë stimuluar këtë fenomen kur, tash një vit, duke u munduar ta ndalin ekstremizmin, organet e sigurisë dhe Ministrisë së Brendshme arrestuan hoxhallarët më të njohur. Dështimi i qeverisë në këtë pikë qëndron te fakti se te të gjithë hoxhallarët nuk u gjete asnjë fakt qe ka të bëjë me akuzën. Përkundrazi të gjithë imamët e arrestuar e që janë më të ndjekurit në shoqëri, kanë qenë indikatorët më të mëdhenj përballë luftimit të ekstremizmit, dhe vazhdimisht kanë shërbyer si faktorë për de-ekstremizmin e shoqërisë. Bile ka nga ata imamë që kanë pasur më shumë studentë në ligjëratat e tyre nëpër xhamia, sesa profesorët universitarë nëpër fakultete. Shumica e praktikuesve kanë formuluar botëkuptimin e tyre për luftën e Sirisë, duke u bazuar në ligjëratat e këtyre imamëve që kanë kundërshtuar ISIS-in ende sa ka qenë në hapat e parë të tij. E gjitha kjo i bie që me arrestimin e tyre, i është hapur një rrugë nxitjes së ekstremizmit.

Ne Raportin për shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak (KCSS, Prill 2015), i cili ka analizuar thellë dhe ka bërë hulumtim akademik në detaje rreth kësaj teme, ceket se imamët kredibilë të cilët kanë qenë të arrestuar, kanë shërbyer vazhdimisht si faktorë për de-radikalizëm të shoqërisë dhe gjithashtu, ky raporti hulumtues tregon hoxhallarët si kundërshtarët më të zëshëm të ekstremizmit e që është një kontrast me burgimin e tyre.

Një mënyrë tjetër me të cilën qeveria lejon rritjen e numrit të pjesëmarrësve në luftën e ISIS-it në Siri dhe Irak është nëpërmjet nxjerrjes së akteve nënligjore dhe në hartimin e ligjeve, duke caktuar dënimin me 15 vjet burg për pjesëmarrësit në luftën e Sirisë. Kjo ndikon negativisht te personat të cilët dëshirojnë të kthehen nga lufta, sepse me t`u kthyer në Kosove ata i pret burgu, prandaj edhe hezitojnë të kthehen nga lufta.

Bashkësia Islame e Kosovës, në disa mënyra ka bërë lëshime dhe ka ndihmuar tërthorazi përhapjen e ekstremizmit në Kosovë edhe pse jo në mënyrë direkte. Me arrestimin e hoxhallarëve (anëtarë të BIK-ut), BIK-u e forcoi ndikim dhe kontrollin e saj mbi imamët e arrestuar duke i penguar ata nga fryma liberale e ligjërimit e cila ka shërbyer për de-ekstremizëm. BIK-u imamëve ua cakton temat dhe trajtën për të cilën ligjërohet, dhe kjo pastaj po e ndryshon strukturën hierarkike liberale të BIK-ut dhe po e shndërron atë në një diktaturë apo në një konservatorizëm të natyrës së ligjërimit. Mandej e gjitha kjo reflekton negativisht në marrjen e mësimeve nga besimtarët nëpër xhamia. BIK-u duhet të jetë i vetëdijshëm në momentin e pranimit në punë të një imami, pasi ajo duhet ta njohë natyrën, mënyrën dhe pikëpamjet e personit i cili emërohet si imam nga BIK-u.

Pikë tjetër me rëndësi për rrezikun e përhapjes së ekstremizmit është edhe suspendimi i imamëve nga xhamitë. Këta imamë janë të njëjtit të cilët jo vetëm që kanë qenë të arrestuar dhe janë liruar si të pafajshëm, por edhe janë konsideruar si pika kyçe me të cilët është luftuar ekstremizmi dhe zëri i tyre kundër kësaj dukurie ka qenë i njohur vazhdimisht. BIK-u me suspendimin e tyre, po ndalon thirrje të fuqishme të imamëve për largimin nga terrorizmi dhe ekstremizmi. Pra, privimi i tyre nga puna është një rritje e mundësisë për ekstremizëm.

Largimi i imamëve nga xhamia, rrezikon që ta nxisë frymën e ligjërimeve islame të imamëve të ndryshëm në ambientet e izoluara dhe jashtë xhamive dhe kjo pastaj do ta pezullojë kontrollin e temave të ligjëratave dhe do t`i shndërrojë ato në ligjërime të fshehura të cilat kanë gjasa të nxisin praktikimin e ideologjive me të cilat propagandohet ekstremizmi dhe radikalizmi. Nga ana tjetër, të gjithë e dimë se xhamia dhe roli i saj në edukim dhe arsim fetar është shumë i madh dhe xhamitë vazhdimisht kanë shërbyer si qendra në të cilat është mësuar feja në mënyrë të drejtë. Gjithashtu xhamitë kanë qenë gjithmonë liberale edhe secili ka mundur t`i ndjekë ligjëratat, sepse ato kanë qenë të hapura. Brenda xhamive nuk ka pasur asnjë rast me të cilin janë eksremizuar individët, por përkundrazi të gjitha vendet ku janë ekstremizuar personat, kanë qenë vende larg xhamive dhe vende të mbyllura në të cilat nuk është ditur asnjëherë se çfarë po ligjërohet.

Për fund, si rezultat i kësaj analize mund të themi se përmirësimi i pikave të lartcekura, si nga ana e Qeverisë, po ashtu edhe nga BIK-u është një bashkim i fuqishëm, i cili patjetër se do të zvogëlojë trendin e rritjes së ekstremizmit dhe me kalimin e viteve do të mund të ndihmonte që të zhduket apo të parandalohet krejtësisht kjo dukuri.

(Autori është student në master – Universiteti i Prishtinës – Fakulteti ekonomik)