Justinian Topulli
Heshtja dhe indiferentizmi ndaj së keqes nuk është sot më një opsion i mençur. Shumë sekte, ide të devijuara, apo besime të gabuara sot përhapen falë mungesës së masave profilaktike, për t'i paraprirë përhapjes së tyre.
Këto ligësi edhe pse nisin si filiza të dobët e të vegjël, falë lirisë së pakontrolluar, dhe mundësisë propagandistike që epoka e teknologjisë së komunikimit ofron sot për të gjithë, gjejnë gjithmonë terren dhe tokë të djerrë të padijes dhe indiferencës, ku ato mund të lulëzojnë lirisht dhe rriten aq sa të bëhen një ditë shqetësuese për të gjithë.
Është e vërtetë që shpesh thuhet se, duke heshtur kontribuojmë në harrimin apo mos nxitjen e një të lige, që thjesht ka nevojë të ngacmohet për tu rritur, por kjo urtësi duket se sot nuk vlen më edhe aq shumë, sepse e liga sot përhapet edhe në heshtje dhe fakti që ka kaq shumë njerëz që e përthithin atë, tregon se është pikërisht mungesa e masa parandaluese një nga shkaqet kryesore të përhapjes së tyre.
Në një shoqëri të hapur dhe shumë interaktive, si kjo e sotmja, masa më e mirë për luftimin e viruseve dhe epidemive është vaksinimi i gjerë i popullsisë. Falë vaksinimit të vazhdueshëm sot ka sëmundje që janë zhdukur nga masat e njerëzve, edhe ai virus nuk mund të mendohet kurrsesi se nuk ekziston më, por e vërteta është se ai nuk gjen më terren ku të përhapet.
E njëjta gjë duhet bërë edhe në fushën e besimit dhe ideve, përndryshe fenomene të tilla deviante si brenda dhe jashtë Islamit si tekfirizmi, harixhizmi, rafiidhizmi apo edhe perenializmi, kadjanizmi e bahaizmi, do të gjejnë gjithmonë shpirtra të zbrazët për të hedhur helmin e tyre mes muslimanëve, e ndaj të cilëve ne kemi përgjegjësi para Zotit.
Edhe në këtë rast na vlen si argument shembulli i Profetit tonë (alejhi salatu ue selam) kur ai paralajmëronte për rreziqet dhe devijimet që do të ndodhnin në të ardhmen në këtë umet, me të vetmen arsye për t'iu ruajtur atyre dhe për të mos qenë të pavëmendshëm; edhe pse puna më e madhe dhe theksi duhet vënë tek mësimi i së mirës dhe së drejtës, heshtja ndaj së ligës nuk është sot më një zgjedhje e mençur.