Arsyet e rritjes me 9 pikë të votave të Partisë AK

 

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK), e cila pësoi 9 pikë humbje në zgjedhjet legjislative të 7 qershorit 2015, korri një sukses të jashtëzakonshëm, duke i rimarrë në zgjedhjet e 1 nëntorit votat e humbura vetëm 5 muaj më parë.

Forca politike, që qeverisë Turqinë prej 13 vitesh, arriti jo vetëm që të bindë zgjedhësit e saj, të cilët nuk votuan në zgjedhjet e 7 qershorit, për të përdorur votën e tyre më 1 nëntor; por edhe të shtojë pjesëmarrjen e zgjedhësve jashtë shtetit.

Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetari i Partisë AK, Ahmet Davutoglu, në një vlerësim lidhur me suksesin e forcës politike të tij në zgjedhjet e të dielës, deklaroi se sinqeriteti është faktori më i madh i kësaj arritjeje.

“Fitues të zgjedhjeve janë zërat e heshtur dhe të shtypurit”, u shpreh ai dhe theksoi se mazhoranca e heshtur është ajo që ka ngritur në pushtet Partinë AK.

Shefi i Ankarasë zyrtare u bëri thirrje për bashkim të gjitha subjekteve politike në vend.

“Turqia duhet të hedhë pas krahëve të gjitha polemikat dhe të përqendrohet në objektivat e të ardhmes. Ne kemi synime madhore. Do të punojmë natë e ditë. Gjuha e armiqësisë, e urrejtjes dhe ajo e dhunës do të humbasin; Turqia do të vazhdojë të bëhet më e lirë dhe më e zhvilluar nëpërmjet demokracisë. Do të distancohemi nga çdolloj polarizimi, konflikti dhe tensionimi”, komentoi Davutoglu.

Mirëpo cilët janë saktësisht faktorët, që rigjallëruan Partinë AK pas zhgënjimit të 7 qershorit?

Faktori më i rëndësishëm në këtë rast është rikandidimi i të hatërmbeturve dhe i emrave të fuqishëm, të cilët në zgjedhjet e kaluara nuk mund të kandidonin për shkak të Rregullores së Partisë AK, që nuk lejon më shumë se 3 mandate të njëpasnjëshme. Kongresi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim u zhvillua më 12 shtator, më herët sesa ishte parashikuar; duke sjellë ndryshime në kryesi. Emra me peshë, si Ali Babacan, Binali Yildirim, Besir Atalay, Bekir Bozdag, Faruk Çelik, Taner Yildiz dhe Mehdi Eker; të cilët nuk kandiduan dot në zgjedhjet e 7 qershorit për shkak të rregullit të 3 mandateve, fituan një pozitë të fuqishme dhe u riaktivizuan në skenën politike.

I dyti faktor për nga rëndësia lidhet drejtpërsëdrejti me premtimet ekonomike. Më 7 qershor, premtimet elektorale më të bujshme ishin ato të Partisë Popullore Republikane (CHP) për ekonominë e vendit. Në manifestin e ri elektoral të saj, Partia AK u kushtoi më shumë vëmendje këtyre premtimeve. Shumë efektiv ishte padyshim edhe sinjali për treshen timoniere të ekonomisë turke, që sipas gjasave do të formohet nga Ali Babacan, Mehmet Simsek dhe Naci Agbal. Vetëm 2-3 ditë përpara zgjedhjeve, më datë 28 tetor, Kryeministri Ahmet Davutoglu shpalli gjithashtu një paketë sihariqesh 10-pikëshe; ku renditeshin premtime të gëzueshme për studentët, policët, ushtarët profesionistë dhe qytetarët. Çka spikati më shumë në këtë paketë ishin premtimet për rritjen e bursave të studimeve në universitetet shtetërore në të paktën 400 lira turke (130 euro), fshirja e borxheve të përgjithshme shëndetësore të qytetarëve, si dhe 3-fishimi i rrogave të ushtarëve profesionistë.

Një tjetër faktor me peshë në rritjen me 9 pikë të votave të Partisë AK ka të bëjë me lëvizjet strategjike të Presidentit Recep Tayyip Erdogan. Manovrat e opozitës së krijuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit rezultuan të pamjaftueshme ndaj planit të lojës politike të Presidentit Erdogan dhe Partisë AK. Kjo situatë i dha Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim shansin për të jetësuar planin e saj, duke e kthyer rrjedhën e ngjarjeve sërish në favorin e vetë.

Po ashtu, edhe pse fituan 60 për qind të votave në zgjedhjet e 7 qershorit, partitë opozitare nuk arritën dot të gjejnë një gjuhë të përbashkët në lidhje me shumë çështje, ku ia vlen të përmendet votimi për Presidiumin e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë; duke prodhuar kështu një tjetër avantazh për Partinë AK. Shanset për formimin e koalicionit u shuan me kalimin e kohës. Situata në fjalë nxiti sërish dëshirën për “stabilitet” tek ato shtresa të shoqërisë, që ishin mësuar me pushtetin njëpartiak 13-vjeçar.

Tjetër faktor i rëndësishëm rezultoi edhe pauza në Procesin e Zgjidhjes për t’i dhënë fund terrorit në vend. Procesi në fjalë, që synonte zgjidhjen paqësore të problemit kurd, nuk gjeti mbështetje tek një pjesë e shoqërisë në Turqi. Pezullimi i Procesit të Zgjidhjes nga Presidenti Erdogan dhe operacionet e ushtrisë turke kundër organizatave terroriste PKK e DAESH u shndërruan në vota për Partinë AK.

Lufta antiterror i dha shtysë vertikale grafikut të votave të Partisë AK. Sulmet terroriste të PKK-së ngjallën reagim në popull. Partia Demokratike e Popujve (HDP) nuk arriti të mbajë një qëndrim qartësisht të palëkundur kundër presionit të PKK-së, që shkaktoi indinjatë popullore. Përshkallëzimi i terrorit të PKK-së dhe DAESH-it, por edhe tensioni i krijuar prej tij, përforcoi tek zgjedhësit ndjenjën për të kërkuar stabilitet edhe nga aspekti i sigurisë. Sakaq, Partia AK përcolli mesazhin se koalicioni do të jetë faktor destabiliteti edhe për sa i takon sigurisë.

Më 7 qershor, Partia AK kishte vendosur debatet mbi sistemin presidencial në qendër të fushatës elektorale. Por shumica e popullit reagoi kundër sistemit presidencial dhe fushata përfundoi në disfavor të Partisë AK. Ndërsa në zgjedhjet e 1 nëntorit, sistemi presidencial zuri përsëri vend në manifestin elektoral të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, por nuk u ngrit në rend të ditës. Kjo bëri që në plan të parë të dalin premtimet ekonomike.

Partia AK realizoi gjithashtu një fushatë elektorale shumë më efektive dhe sistematike sesa forcat e tjera politike. Kryeministri Davutoglu punoi më fuqishëm sesa liderët e tjerë. Organizimi kishte një shtrirje më të gjerë.

Së fundmi, Partia AK nuk kishte arritur të bindte një numër të madh zgjedhësish për të votuar në 7 qershor. Për arsye të ndryshme, një pjesë e rëndësishme e votuesve të Partisë AK kishte përdorur vota të pavlefshme. Kurse më 1 nëntor nuk ndodhi kështu, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim jo vetëm që ia doli me sukses të rrisë pjesëmarrjen në zgjedhje brenda Turqisë, por njëherësh edhe të fitojë epërsi jashtë shtetit.

 

TRT - Departamenti i Transmetimeve të Jashtme, Ankara
Shqipëroi: Hilmi Velagoshti