Pushteti i oligarkisë komuniste

 

Justinian Topulli

 

Kush mendon se jemi çliruar një herë e mirë nga kthetrat e ideologjisë së dikurshme komuniste e ka gabim. Ose sepse është i ri në moshë dhe nuk arrin dot të kuptojë vazhdimësinë e saj deri në ditët tona ose sepse nuk e merr mundimin të reflektojë mbi realitetin shqiptar të sotëm. Për ta ndihmuar po citoj Orwellin:

“Thelbi i pushteti oligarkik nuk është trashëgimia nga babai tek djali, por vijueshmëria e një këndvështrimi të botës dhe një mënyre jetese e caktuar, që u imponohet të gjallëve nga të vdekurit. ... Partia nuk është e shqetësuar për të përjetësuar gjakun e udhëheqësve të saj, por veten.” (George Orwell, 1984)

Kështu pra edhe Partia e P(Dh)unës e Shqipërisë me në krye "shokun e saj të lavdishëm" për më se dyzet vjet edukoi me mënyrat e saj, jo-natyrore, një brez të tërë njerëzish të cilin ajo e quante "njeriu i ri socialist". Duke qenë se ky edukim u bë në formë të dhunshme, psikologjike dhe fizike dhe me përmasa gjithëpërfshirëse dhe zgjati bash një kohë të gjatë, ndikimi i tij qe aq i thellë saqë zor se mjafton kalimi i një brezi njerëzish për tu pastruar prej tij.

Sipas këndvështrimit të antropologjisë një brez njerëzish e ruan forcën e tij brenda një periudhë tridhjetëvjeçare, dhe për të ndryshuar një mentalitet të caktuar do të duhen së paku tre breza. Gjithmonë nëse punohet që ky mentalitet të zhduket gradualisht, apo të zëvendësohet nga një tjetër. Kështu që ne si shqiptarë, nëse është caktuar nga Zoti të na ecin punët mbarë, do të na duhet mesatarisht gati edhe një treçerek shekulli për tu çliruar masivisht dhe intelektualisht nga mutacioni i dhunshëm komunist. Kështu që deri atëherë do ta na duhet të merremi me durim të hekurt, deri sa të mbyllim sytë, me brezin e edukuar nga PPSH, jo për t'i ndryshuar të pandryshueshmit, por për të mbajtur prezent dhe publik sa më fuqishëm antipodin apo opinion kritik ndaj gjurmëve që na la ai regjim famëkeq. Me këtë duhet të ruajmë brezin e ri dhe vegjëlinë, që si dikur, mund të mashtrohen përsëri me "lugën e floririt"...

Edhe pse format e jashtme të pengmarrjes së shpirtit kanë ndryshuar dhe janë bërë më joshëse dhe të sofistikuara, ato në thelb tek i njëjti gjiriz të shpien. Të më ndjejnë disa, por një pjesë e atyre që ju kënaq shpirtin injoranca antifetare dhe i tremb e kundërta, nga i njëjti gjiriz janë bërë pis.

Problemi që kanë me fenë shumë prej ateistëve nuk është vetëm antipatia ndaj saj, por sfida e vazhdueshme që feja paraqet për ta, sepse ajo është pengesa kryesore në rrugën drejt zotërimit të botës prej tyre. Dhe siç thoshte një ateist joshqiptar, para pak kohësh se “Çelësi që ne të dominojmë planetin është kultura, ndërsa çelësi i kulturës është feja.” Kështu që duhet t'i kuptojmë fare mirë këta njerëz të cilët nën efektin e etjes për pushtet absolut ndaj shpirtrave të njerëzve, janë verbuar dhe flasin edhe marrëzi.

Lusim Zotin t'i falë e udhëzojë, t'i pastrojë e t'i lajë, se nuk dinë se ç'thonë!