I huaj në vendin tënd

 

Justinian Topulli

 

Dje gjykata e krimeve të rënda dha një vendim tepër zhgënjyes. Ajo që të zhgënjen më tepër në këtë vendim ishte procesi që e shoqëroi atë dhe arsyetimet apo argumentimi që u ndoq për të dhënë atë vendim ekstrem dhe absurd. Çdo detaj që ka shoqëruar këtë proces që nga momenti i arrestimit të lë shijen e hidhur të përshtypjes se vendimi për ta ishte marrë me kohë dhe se gjyqi qe thjesht një teatër dramatik për ta bërë atë sa më të besueshëm në sytë e opinionit publik, “kurth” ky që mesa duket ranë edhe vetë të akuzuarit, me disa prej qëndrimeve të tyre gjatë atij procesi, duke i dhënë atij “provën” e munguar se një dënim i tillë ishte “i merituar”. E vetmja gjë që ndoshta procesi i zgjatur gjyqësor mundi të provojë qe fakti se disa prej muslimanëve të arrestuar kanë folur apo kanë nxitur apo kanë ndihmuar njerëz për të shkuar në luftën e Sirisë. Në kohën e arrestimit ky veprim nuk përbënte krim, kështu që prokuroria ka përdorur një akuzë tjetër më të rëndë, atë të “rekrutim të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”; “nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” dhe “nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”, për ta sjellë procesin në vendimin e djeshëm. Edhe pse procesi gjyqësor nuk ka përfunduar akoma dhe drejtësia shqiptare nuk ka thënë fjalën e saj të fundit, vendimi në fjalë të bën të ndalesh për të menduar qetësisht dhe reflektuar disa momente për atë që na pëlqen ose jo, mbi gjithë këtë ndodhi kaq të zhurmshme. Nën efektin e emocionit mund të thuhen, deklarohen, mohohen apo pranohen shumë gjëra që shpesh nuk janë reale, nën këtë efekt janë edhe shumë prej deklarimeve emocionale që bëjnë edhe disa të njerëz të nxituar duke fajësuar hoxhallarë dhe mbarë komunitetin e besimtarëve për atë që ndodhi. Shumë teori konspiracioni, aludime dhe akuza të pabaza ose jo mund të hidhen rreth këtij procesi, por duke njohur realitetin shqiptar kam bindjen se ky proces nuk qe tjetër veçse korrupsioni moral i radhës i gjykatave tona, të cilat nuk e korruptojnë ndërgjegjen e tyre vetëm me para, por edhe për “hatër të filanit”, për “antipati personale”, për “konformizëm”, për “të justifikuar zhurmën e bërë” dhe më e shëmtuara ndoshta, për “tu treguar më të zellshëm se kushdo tjetër” në luftën kundra terrorizmit...etj. Them më e shëmtuara, sepse të huajt që kërkojnë prej nesh të reformojmë sistemin e drejtësisë duhet të dinë se tek ne kjo lloj hipokrizie është e zhvilluar deri në ekstreme kriminale. Këtu tek ne nuk e kanë për gjë të shesin nënë e babë, vëlla e motër, jo vetëm për para siç bëjnë trafikantët, por edhe për tu treguar në sytë e të huajve “më katolik se Papa”, madje edhe kur ata nuk ta kërkojnë diçka të tillë. Kush e njeh mirë këtë tip njeriu të ulët te ne, nuk do të habitet dhe as do të revoltohet aspak me këtë që thashë. Por e keqja nuk mbaron me kaq, tek ne gjen me shumicë njerëz që besojnë për ata që nuk i duan dhe i urrejnë edhe nëntëdhjetë e nëntë të zezat, edhe pse mund të mos kenë për ta asnjë fakt të vetëm. Shkurt tek ne thashethemet dhe shpifjet janë në mbretërinë e tyre më të begatë, dhe nga këtu mund të kuptohet fare lehtë pse shqiptarët e kanë për fjalë të urtë, gati absolute, shprehjen që thotë “ku ka zë nuk është pa gjë”, dhe si për t’iu përgjigjur kësaj “norme” të ngritur në traditë zakonore të provës së fajësisë, “fajtorët” janë të detyruar të zgjedhin tragjikisht “më mirë syrin sesa namin”. Kush zgjedh “namin” është i destinuar të vuajë shumë më tepër sesa po të kishte pranuar “të nxirrte syrin”. 

Gjyqi në fjalë nuk dënoi thjesht disa muslimanë, me mungesë të theksuar provash, por me vetëdije ose jo, ai gjyq dënoi “juridikisht” imazhin e besimtarit musliman, atë besimtar që mban mjekër apo shami, atë musliman që falet pa teklif në mes të rrugës dhe që identitetin e tij religjioz nuk do ta fshehë nën petkun e konformizmit social.  Mediat dhe një pjesë e opinionit elitar dhe publik, jo vetëm të akuzuarit për terrorizëm, por të gjithëve ne si muslimanë kanë kohë që na kanë dënuar, gjyqi i djeshëm vetëm sa dha “provën” e munguar juridike për të “përligjur” këtë dënim, që ka kohë që ka zënë rrënjë te ne. 

A kanë faje dhe gabime të akuzuarit për terrorizëm? Natyrisht që faje dhe gabime disa prej tyre mund të kenë, por jo për këto që u akuzuan dhe po dënohen. Gabimi tyre më i madh, është se ata dashur ose pa dashur, kanë kontribuar që muslimanët të ndjehen të huaj më shumë se ç’duhet në këtë vend. Por ky gabim apo faj, nuk është vetëm i tyre, por i një pjesë të mirë të vetë bashkësisë së besimtarëve që e kanë alienizuar veten brenda një shoqërie që nuk i kupton. Ky tëhuajzim i dyanshëm social është faktori më negativ që nxit dhe prish ekuilibrin social, ndaj si shteti dhe organizmat e tij, por jo vetëm, nuk mund të jenë indiferent me veprimet dhe vendimet e tyre, sepse pasojat negative të tyre po i vuajmë dhe do t’i vuajmë të gjithë. Nëse ka diçka madhore për të cilën të gjithë duhet të luftojmë pa asnjë kompromis dhe konformizëm në këtë shoqëri, ato janë parimet morale të nëpërkëmbura kaq lehtësisht, dhe ndryshimi fillon nga vetja.