Halebi po digjet!

 

Ibrahim Kalin

 

Lufta në Siri, e cila tani ka hyrë në vitin e pestë të fillimit të saj, dalëngadalë po ‘bie’ nga titujt e faqeve të para të gazetave dhe agjenda botërore. Ndërsa bota përqendrohet tek lajmi i radhës i “minutës së fundit”, në Siri vazhdojnë masakrat duke shkatërruar jetët e njerëzve, komunitetet, historinë dhe mbi të gjitha, shkatërrojnë shpresat që kjo luftë një ditë do të përfundojë si dhe shpresat e sirianëve për të parë përsëri paqe dhe mirëqenie. 

Gjatë katër viteve të fundit, Siria e ka mbajtur në tërësi barrën e kësaj lufte të përgjakshme. Por Halebi, qyteti i dytë më i madh i vendit dhe qendra e tij kulturore dhe financiare, këto javët e fundit ka qenë në qendër të luftimeve më intensive. Rënia e Halebit do të jetë një fitim kyç për regjimin dhe mbështetësit e tij. Por kjo do të thellojë edhe më tej situatën humanitare tashmë tragjike në terren dhe do të detyrojë dhjetëra-mijëra refugjatë të rinj të lëvizin drejt Turqisë. Mbi të gjitha, rënia e Halebit do të inkurajojë regjimin e Esadit përballë indiferencë së botës ndaj luftës më mizore dhe brutale të kohëve të fundit.

Rezoluta Nr.2254 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar më 18 dhjetor 2015, supozohej të kishte përcaktuar një kornizë të re dhe një kalendar të caktuar me qëllim për t'i dhënë fund luftës, për të siguruar hyrjen e ndihmave humanitare dhe për të filluar procesin e tranzicionit politik për një qeveri legjitime, demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Siri. Ishte menduar gjithashtu që kjo rezolutë të ndihmonte edhe në luftën kundër DAESH-it.

Vetëm se kjo rezolutë e OKB-së nuk ka arritur të realizojë asnjë nga këto qëllime, ndërkohë që regjimi gjatë kësaj kohe ka vazhduar të sulmojë objektivat dhe pozicionet e opozitës dhe civilët në Idlib, në Haleb dhe në pjesën tjetër të vendit me mbështetjen e Rusisë nga ajri dhe të grupeve militante shiite në terren.

Marrëveshja e Mynihut, e pranuar më 11 shkurt, “për ndërprerjen e armiqësive" është dashur të përgatisë terrenin për bisedimet e udhëhequra nga OKB-ja në Gjenevë. Megjithëse kjo marrëveshje e ka ulur intensitetin e dhunës në fund të shkurtit dhe gjatë muajit mars, situata tani vjen duke u përkeqësuar përsëri nga dita në ditë. Përveç kësaj, ka pasur pak progres edhe në luftën kundër DAESH-it në Siri dhe Irak.

Siç e konfirmojnë edhe zyrtarët e OKB-së, regjimi i Esadit e ka shkelur vazhdimisht Rezolutën Nr.2254 dhe Marrëveshjen e Mynihut. Regjimi i Damaskut vazhdon të bombardojë zonat civile dhe ato që kontrollohen nga opozitarët në veri të Latakias, në Haleb dhe Idlip duke vrarë qindra civilë dhe të pengojë ndihmat humanitare me destinacion personat në nevojë.

Kurse tani regjimi sulmet i ka përqendruar mbi Halebin. Forcat e regjimit marrin në shënjestër shkolla, furra buke, spitale dhe rrugë, dhe këtë e bëjnë me qëllim për të ndëshkuar civilët që jetojnë në zonat e kontrolluara nga opozitarët. Kjo është njëtaktikë tipike ruse: nëse përveç luftëtarëve bombardoni edhe familjet e tyre, shtëpitë dhe qytetet e tyre, atëherë ata do të heqin dorë nga lufta pa hedhur asnjë plumb. Opozita ka rezistuar ndaj këtyre vrasjeve pa bërë asnjë dallim. Por tani brenda dhe përreth qytetit të lashtë të Halebit nuk ka mbetur më ndonjë zonë e sigurt. Pa asnjë dritë shprese në horizont, Halebi po shndërrohet në një qytet fantazmë. Shkatërrimi total i tij është një shenjë tragjike e dështimit të bashkësisë ndërkombëtare për të shpëtuar Sirinë dhe popullin e saj.

Që nga fillimi i luftës në Siri, shumë vetë kanë thënë se nuk ka zgjidhje ushtarake në Siri. Por regjimi i Esadit, Rusia dhe grupet militante shiite që mbështesin regjimin në Damask, kanë provuar se e kundërta është e vërtetë. Për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve ata kanë përdorur çdo formë të fuqisë ushtarake, duke përfshirë armët kimike, bombat thërrmuese dhe ato fuçi e sulmet ajrore. Nisma diplomatike e OKB-së nën udhëheqjen e ShBA-së dhe Rusisë është manipuluar për ti zgjatur jetën e regjimit të Esadit dhe për të garantuar llogaritë politike të mbështetësve të këtij regjimi.

Ndërkohë, DAESH-i vazhdon të mbajë zonat e kontrolluara prej tij. Politika e sorollatjes dhe vonesa në bisedimet e udhëhequra nga OKB-ja në Gjenevë është duke e ndihmuar këtë grup terrorist në drejtim të rekrutimit të anëtarëve të rinj dhe zgjerimin e sferave ndikuese.Sulmet ajrore të koalicionit janë duke ia kufizuar patjetër DAESH-it kapacitetet operacionale në disa pjesë të Sirisë dhe Irakut. Por me sa duket trupi kryesor i DAESH-it ka arritur të mbetet mjaft e fortë për të ndërmarrë sulme të reja terroriste.

Një rast i tillë është qyteti turk, Kilis, që gjendet në afërsi të kufirit me Sirinë, dhe ku sulmet me raketa të DAESH-it, që kanë marrë në shënjestër këtë qytet, kanë vrarë deri tani 21 persona. Forcat e Armatosura Turke (FAT) kanë bombarduar objektivat e DAESH-it që ndodhen përballë Kilisit, duke neutralizuar dhjetëra terroristë të DAESH. Forcat ushtarake turke janë mbështetur nga forcat ajrore të koalicionit ndërkombëtar (që është krijuar për të luftuar DAESH-in). Turqia do të vazhdojë të bëjë çdo gjë që është e nevojshme për të ndaluar këto sulme me raketa.
Por fakti i thjeshtë është se për aq kohë sa regjimi i Esadit mbetet në fuqi dhe vazhdon luftën e tij sfilitëse nën maskën e bisedimeve të paqes, DAESH-i do të mbetet një forcë efektive në terren. Të dy përbindëshat e luftës siriane, d.m.th. regjimi kriminal i Esadit dhe DAESH-i terrorist, ushqehen me njëri-tjetrin dhe ndajnë krimin e shkatërrimit të Sirisë dhe popullit të saj.
Ajo që regjimi i Essadit është duke i bërë Halebit dhe trashëgimisë së tij historike nuk është më pak barbare se ajo çfarë bëri vitin e kaluar DAESH-i në Palmira. Vrasja pa dallim e grave dhe fëmijëve, mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të ndihmave humanitare nuk është asgjë tjetër përveçse krim lufte dhe kundër njerëzimit.

Këto që po ndodhin në Haleb janë veçse një përsëritje e atyre që ndodhën në vitet 1990 në Bosnjë, vetëm se sot bëhen në një mënyrë më shkatërruese dhe çnjerëzore. Mosveprimi i botës për të ndaluar gjenocidin në Bosnje në atë kohë ka mbetur si një njollë e errët në historinë moderne. Në të njëjtën mënyrë, edhe indiferenca që po tregohet ndaj vuajtjeve të popullit sirian do të zërë vend në histori si një turp i thellë për njerëzimin.

Rënia e Halebit do të jetë një çështje që nënkupton më shumë se sa humbja e një qyteti. Do të jetë shkatërrimi i shpresës së fundit të popullit sirian për paqe, liri dhe dinjitet. Nëse bie Halebi, regjimi gjakatar i Esadit do të shpërblehet me një tjetër fitore mburravece. Por më tragjikja është mesazhi që do ti jepet popullit sirian, mesazhi që ai është lënë i vetëm dhe në mëshirën e fatit në këtë luftë.  

Nëse OKB-ja, ShBA-ja dhe Rusia janë me të vërtetë serioze në ndalimin e kësaj poshtërsie të madhe, pikë së pari ato duhet të ndalojnë regjimin e Esadit, i cili ka minuar çdo gjë që ka mbetur prapa nga shpresa për ti sjellë Sirisë paqen, sigurinë dhe prosperitetin. Bisedimet e Gjenevës nuk kanë kuptim nëse bombat fuçi dhe sulmet ajrore djegin dhe shkatërrojnë çdo gjë në Haleb.


Autor është Ambasador dhe Zëdhënës i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Serdar HUSEYNI ​