Ballafaqimi i Austrisë me muslimanët dhe shkaqet e njohjes së Islamit me ligjin e vitit 1912

 

Hajret Beluli

 

Po jetojmë në një kohë kur në Evropën tonë moderne dhe në përgjithësi në botë, forcat radikale, qofshin ato djathtiste, nacionaliste apo populiste gjithnjë e më shumë po fitojnë mbështetjen e popullatës dhe po bëhen faktorë të rëndësishën në jetën publike. Shembulli më i mirë për këtë janë zgjedhjet presidenciale në SHBA me kandidat Donald Trumpin, ose zgjedhjet po ashtu presidenciale të Austrisë që do të mbahen në dhjetor dhe ku gjasa të mëdha për fitore ka kandidati i së djathtës ekstreme. E në vende tjera si Hungaria, Polonia ose Çekia vërejmë se këto parti vetëm se udhëheqin vendet e lartëpërmendura. Atë që të gjithë këto rryma kanë të përbashkët është urrejtja e tyre për Islamin dhe prezentimi i Islamit si diçka joevropian dhe si diçka i huaj.

Mirëpo faktikisht Islami vetëm se është një fe evropiane dhe është pjesë përbërese e identitetit evropian duke pasur parasysh Spanjën muslimane dhe duke mos harruar se në Evropë kemi shtete të tëra që kanë një popullsi me shumicë muslimane siç janë Bosnja, Kosova e Shqipëria. Nëse kthehemi në kohë, e më saktësisht në vitin 1912 perandoria e atëhershme austro-hungareze mori një hap që e bëri atë vendin e parë evropian dhe shembull për gjithë Evropën duke njohur islamin me ligj të veçantë si fe të barabartë me fetë tjera në perandori. Një hap i tillë natyrisht se nuk erdhi sot për nesër por ka një histori të gjatë të zhvillimëve në perandorinë e atëhershme. Prandaj dua t’i shpalos hapat më të rëndësishëm që shtyu autoritetet austro-hungareze të votojnë një ligj të tillë.

Hyrje

Evropa shumë herët erdhi në kontakt me Islamin, qoftë në mënyrë vullnetare apo jo, mirëpo zhvillimet historike në këtë shkrim do të fillojnë nga viti 1526 me betejën e Mohaçit (Mohács) dhe arritjen e osmanëve deri para Vjenës në vitin 1529 ku Austria e atëhershme për herë të parë në historinë e saj bëhet fqinje me komunitetin musliman apo me një perandori islame siç ishte ajo osmane. Muslimanët do të jetonin nën perandorinë austro-hungareze me „Traktatin e paqes në Karlowitz“ (1699) ku Hungaria dhe Transilvania (gjerm.: Siebenbürgen) bëhet pjesë e perandorisë dhe më pastaj me „Traktatin e paqes në Passarowitz“ (1718) ku zona e Banatit, Serbia veriore dhe zonat e vogla vllahe kalojnë në perandorinë austriake, zona këto në të cilat jetonin edhe një pakicë turke muslimane. Në traktatin e paqes në Passarowitz mes perandorit Karl VI. dhe Sulltan Ahmetit III. popullsisë së të dyja perandorive iu garantohet liria e plotë për tregti dhe shkëmbim të mallrave. Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, shpeshtohen kontaktet njerëzore si dhe rriten marrëdheniet tregtare me Perandorinë Osmane. Kulmi i këtyre marrëdhënieve arrin në vitin 1754 ku perandoresha Maria Theresia bën hapjen e „Akademisë austro-hungareze të gjuhëve orientale“ me seli në Vjenë.

Gjatë kësaj kohe vërehet një rivlerësim i Islamit në shoqëri. Këtë tezë e mbështet „Akti i Tolerancës“ i vitit 1781 ku u lejohet protestantëve praktika e përbashkët private e fesë. Si pjesë e këtij akti do të tolerohen edhe pasuesit e të ashtuquajturës „fe mohamediane“, pra pasuesit e besimit islam.

Kjo frymë dhe klimë e re e tolerancës dhe pranimit të feve të tjera në mbretëri reflektohet edhe në literaturën e kohës. Në vitin 1783 shkrimtari i njohur Lessing shkruan në veprën e tij „Nathan der Weise“ (Nathani i urtë) parablën e tij të famshme (e njohur në literaturë si „Ringparabel“) e cila mbështet idenë e barazisë së tri religjioneve monoteiste, pra krishterizmin, hebreizmin dhe islamin.  Në vitin 1819 e pason atë Goethe me divanin perëndimoro-lindor (gjerm. West-östliches Divan). Nga tani e tutje fillon nje epokë e re në trajtimin e Islamit në monarkinë habsburge.

Muslimanët para njohjes me ligj

Edhe pse muslimanët toleroheshin në perandori, duhet theksuar se në këtë kohë shumë pak muslimanë kanë jetuar në monarkinë habsburge. Me „Aktin e 4. Marsit 1849“ do të njihen të

gjitha kishat dhe komunitetet fetare duke përfshirë këtu edhe izraelitët. Pasuesit e Islamit e kanë të drejtën e lirisë së besimit, të ndergjëgjës së lirë dhe të praktimit të fesë përbrenda shtëpisë. Por ata nuk do të njihen si një shoqëri apo bashkësi fetare.

Kjo periudhë është shumë e rëndësishme për zhvillimin e feve në Austri sepse në këtë kohë do të arrihet marrëveshja me Vatikanin, do të fillohet me mësimin fetar në shkollat publike dhe të gjithë do ta kenë të drejtën e praktimit të fesë. Kjo e drejtë për „të gjithë“ është shkruar në ligjin e vitit 1867 dhe  luan për muslimanët një rol të rëndësishëm sepse u hap atyre rrugë të reja dhe ua mundëson praktikim e brendshëm fetar.

Me „ligjin e njohjes“ së vitit 1874 u hapet rruga të gjithë pasuesve të një shoqërie fetare, deri më tani jo të njohur juridikisht, për një personalitet juridik. Ky ligj është me rëndësi sepse cakton kushtet që duhet të plotësojë një shoqëri fetare që ajo të njihet nga shteti. Pra, hap rrugën muslimanëve, që nëse plotësojnë kushtet që parasheh ligji, të njihen çdo kohë nga perandoria.

Aneksimi i Bosnjës dhe Hercegovinës

Fuqitë e mëdha të kohës janë mbledhur në vitin 1878 në Berlin për të punuar në një zgjidhje të përbashkët të krizës ballkanike. Traktati i Berlinit i lëshon perandorisë austro-hungareze mandatin për pushtimin dhe administrimin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Megjithatë, vendi edhe më tutje duhet të mbetet nën sovranitetin e sulltanit osman. Në po të njëjtin vit perandoria austro-hungareze përdor të drejtën e saj dhe fillon pushtimin, përkundër rezistencës së popullatës lokale, të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe e vë atë nën administrimin e saj.

Kjo ngjarje dhe pasojat që do të rezultojnë për Islamin në Austri do ta ndjekin vendin edhe njëqind vjet më pas. Nga ky moment, më shumë se një gjysmë milioni muslimanë do të jetojnë nën perandorinë austro-hungareze. Perandoria osmane kërkoi që muslimanëve t’u sigurohen të drejtat e tyre dhe kjo do të vendoset në “Konventën e Konstatinopojës” në vitin 1879 ku Austro-Hungaria garanton sulltanit osman lirinë fetare të popullit të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Tani administrata e re filloi me reforma të mëdha në çështjet e organizimit të jetës fetare, të sistemit shkollor dhe të vakufëve. Për më tepër, administrata austro-hungareze krijoi institucione të reja islame. Si shembull i këtij angazhimi është viti 1882, ku perandoria austro-hungareze emëroi muftiun e Sarajevës si udhëheqësin shpirtëror të muslimanëve të Bosnjës dhe Hercegovinës me titullin “Reis-ul-Ulema” dhe i krijoi atij “takimin e Ulemave” prej katër teologësh që do t’i ndihmonin në punën e tij.

Ligji islam i vitit 1912

Me 15 Korrik të vitit 1912 perandori Franz Joseph në shenjë respekti për popullatën e re në perandori lëshon dekretin e ligjit islam në të cilin i njeh pasuesit e besimit islam sipas shkollës juridike hanefite si bashkësi fetare. Në bazë të këtij ligji muslimanët ndërtuan insituticionet e tyre fetare, themeluan   Bashkësinë Islame të Austrisë dhe organizuan jetën fetare gjerë në vitin 2015, ku hyri në fuqi ligji i ri islam, i cili ngjalli jo pak debate në publik.  

Pra, njohja e Islamit me ligj në Austri ishte një zhvillim ndër shekuj mirëpo megjithatë aneksimi i Bosnjës dhe Hercegovinës ishte shkaku i fundit që shtyu në njohjen e Islamit. Statistikat që kam pasur mundësi t’i shikoj tregojnë se në vitin 1912 perandoria e atëhershme kishte një populli prej 600.000 muslimanësh në vend. Më interesant është fakti se edhe në vitin 2016 popullsia muslimane mbeti e njëjtë, edhe pse gjatë periudhave të ndryshme kohore ky numër ndryshoi shumë pasi që pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore ra perandoria dhe humbi Bosnjën e Hercegovinës.

Për fund vlen të theksohet se perandoria austro-hungareze ishte shembull në Evropë sa i përket pozitës juridike të religjioneve të ndryshme dhe edhe gjatë kërkimeve të mia kam vërejtur se shteti austriak edhe sot e kësaj dite e ka ruajtur këtë komunikim të mirë më bashkësitë e ndryshme fetare në vend.


Autori është student në Universitetin e Innsbruckut, Austri, Departamenti për Pedagogji Islame


Burimet:

ASLAN EDNAN (ed.), Islamische Erziehung in Europa, Vjenë 2009.

BAIR JOHANN, Das Islamgesetz. An den Schnittstellen zwischen österreichischer Rechtsgeschichte und österreichischem Staatsrecht, Vjenë 2002.

DÖRLER ELISABETH, Vom bosniakischen zum österreichischen Islam. Pluralismus und Islam in Österreich, në: Kirche und Islam im Dialog, ed. Peter Hünseler/Salvatore Di Noia, Regensburg 2010, f. 262.

JANDA ALEXANDER/VOGL MATHIAS (ed.), Islam in Österreich, Vjenë 2010.

POTZ RICHARD, Das Islamgesetz 1912 und der religionsrechtliche Diskurs in Österreich zu Beginn des 20. Jahrhunderts, në: Grundlagen der österreichischen Rechtskultur, ed. Thomas Olechowski/ Christian Neschwara/Alina Lengauer, Vjenë 2010, f. 385-407.

SCHWARZ KARL W., Das Verhältnis von Staat und in Kirche in Österreich, në: Zeitschrift für evangelisches Kirchenrecht, Numri 52, 3, f.464-494.

WALLNER LUKAS, Die staatliche Anerkennung von Religionsgemeinschaften. Die historische und aktuelle Umsetzung der religiösen Vereinigungsfreiheit in Österreich unter Berücksichtigung des deutschen Religionsrechts, Frankfurt am Main-Vjenë 2007.