Justinian Topulli
Një shoqëri e zhvilluar nuk matet vetëm nga mirëqenia që ajo ofron apo zhvillimi teknologjik që ajo ka, sesa nga shkalla e civilizimit në të cilin ajo i ka ngritur qytetarët e saj.
Në një shoqëri të civilizuar nuk ka rëndësi nëse je nga fshati apo qyteti, nga jugu apo veriu, nga lindja apo perëndimi, rëndësi ka sesa i gatshëm je të respektosh rregullat e lojës që kërkon qytetërimi. Një nga këto rregulla është edhe të mos qenit autoreferencial në marrëdhëniet komunitare dhe institucionale me të tjerët.
Është njerëzore që njeriu të ketë bindjet e tij që e dallojnë nga të tjerët dhe të besoj se ai është në të drejtën dhe të mirën, shumë më tepër sesa të tjerët, dhe është po ashtu e kuptueshme që njerëzit të besojnë se ata e meritojnë të jenë model për të tjerët , e pse jo edhe lider shpirtëror dhe politik të tyre.
Këto dëshira dhe bindje, sado objektive ose jo, sado të drejta ose jo, ngelen njerëzore dhe të kuptueshme dhe asnjë lloj civilizimi nuk i eliminon dot, por ajo çka përbën problem dhe bie ndesh me qytetarinë dhe moralin është kur përtej këtyre bindjeve njerëzit nuk zbatojnë rregullat asnjanëse të lojës së qytetarisë, të cilat i kanë vendosur po vetë ata, në mënyrë që subjektivizmi dhe bindjet individuale apo sektare të tyre të mos kthehen në shkak për uzurpime dhe imponime të padrejta institucionale dhe komunitare.
Këtu nuk e kam fjalën për ata qindra njerëz të cilët për të mbrojtur apo marrë të drejtën e nëpërkëmbur të tyre detyrohen të thyejnë rregullat e lojës të shoqërisë dhe institucioneve, sepse ata janë pasojë dhe jo shkak, por për ata njerëz që të bindur se janë më të mirë dhe më të drejtë dhe më të vërtetë se të tjerët, i përligjin vetvetes në mënyrë të pamoralshme dhe pa më të voglin hezitim prishjen e rregullave të lojës.
Një shoqëri e shëndetshme dhe me garanci për të jetuar gjatë nuk mbështet mbi numrin e sukseseve materiale që ajo nxjerrë, por mbi aftësinë që ajo ka për të edukuar dhe zbatuar një moral qytetar dhe për të respektuar rregullat e lojës.
Pikërisht edhe regjimi diktatorial komunist, sado idealist të ishte në ideologjinë e tij, dhe sado të mira materiale që t'i ketë sjellë këtij vendi, ai u urrye, dështoi dhe u përmbys pikërisht edhe për këtë arsye, sepse ai nuk qe kurrë i gatshëm të respektonte rregullat e lojës qytetare, ndaj dhe ngeli një njollë e zezë në historinë e këtij kombi.
Herët ose vonë kështu ndodh me të gjithë ata që prishin rregullat e lojës, gjithsecili sipas nivelit të tij të zullumit "Sikur Allahu të mos i zmbrapste disa me disa të tjerë, bota do të ishte shkatërruar, por Allahu është Bamirës me mbarë krijesat." (2:251)