Intervistoi: Blerta Maliqaj
Intervistë me prof. dr. Isa Bajçinca
Në një intervistë për gazetën "Bota Sot" prof. Isa Bajçinca evidentoi faktorët që e kërcënojnë gjuhën shqipe sot si dhe mënyrat të cilat duhet ndërmarrë për ta ndryshuar këtë gjendje.
“Bota sot”: Çfarë e rrezikon gjuhën shqipe sot?
I. Bajçinca: Gjuha shqipe sot rrezikohet nga shqiptarët. Në radhë të parë nga intelektualët, ngase ata janë shpërfillësit më të mëdhenj të rregullave të gramatikës së gjuhës shqipe. Kjo për arsye se në Universitetin e Prishtinës, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, kur u themelua universiteti edhe më tutje, u përkthyen shumë libra nga shkenca të ndryshme nga gjuha sllave, serbe apo kroate, të cilat i përkthyen “intelektualët”, që nuk e zotëronin gjuhën shqipe si duhet. Ata e dinin shumë më mirë gjuhën e huaj se atë shqipe dhe tani për ato shprehje që janë tipike për sllavishten, ata nuk i dinin ngase nuk e dinin standardin e shqipes. Krijuan të ashtuquajturat kalke, shprehje të cilat nuk kanë fare lidhje me shqipen. Kjo do të thotë që ajo gjuhë e cila ishte mbjellë gabimisht, ajo farë e keqe tani është shtrirë për shkak të ligjërimit të profesorëve, për shkak të librave që kishin lexuar, dhe për shkak të gazetarëve të cilët vazhdimisht i riprodhojnë po ato. Ato gjëra janë mbjellë edhe tek të rinjtë të cilët nuk e dinë fare gjuhën serbe apo ndonjë gjuhë tjetër sllave. Për brezin e ri ato shprehje janë krejtësisht tipike në gjuhën standarde dhe kjo ushqehet sidomos për faktin se ne sikur jemi mësuar që çkado që nuk e gjejmë në gjuhën e folur të popullit do të jetë patjetër standarde. Këtë mënyrë e kanë krijuar intelektualët dhe këtu bëhet fjalë vërtet për një prishje të tmerrshme të strukturës së gjuhës shqipe. Asnjë nga këto nuk i gjen në gjuhën shqipe në Shqipëri.
“Bota sot”: Çfarë mund dhe duhet të bëjmë për ta ndryshuar këtë gjendje?
I. Bajçinca: Është shkolla, mediat-televizioni në radhë të parë, i cili ka një ndikim shumë të madh mbi formimin gjuhësor dhe përgjithësisht mbi kulturën e gjuhës. Janë udhëheqësit politikë shtetërorë, të cilët po thuaj çdo ditë parakalojnë nëpër ekranet tona, janë intelektualët e tjerë të lartë, janë debatuesit e pandërprerë nëpër televizionet tona për problemet nga më të ndryshmet, që janë mbjellësit e kësaj të keqeje dhe mësuesit po ashtu nuk kanë arritur dot ta zotërojnë gjuhën shqipe. Më në fund kam përshtypjen që askush nuk e lexon gramatikën e gjuhës shqipe, pra nuk lexojnë gramatikë fare, as libra letrarë dhe nuk mund të mësohet ndryshe gjuha shqipe.
“Bota sot”: Sipas jush, prezenca e ndërkombëtarëve në Kosovë, a ka ndikim tek shqiptarët, në humbjen e gjuhës?
I. Bajçinca: Kjo është një e keqe më e vogël, pra kjo mund të ndikojë në leksik, ngase fjalët mund të hyjnë në fjalorin tonë. Këto fjalë mund të nxirren nga fjalori ynë me një dekret, p.sh. në qoftë se vjen një kohë dhe thuhet që tash e tutje nuk do të lejohet përdorimi i këtyre fjalëve, ato ndalohen dhe përdorimi i tyre ka pasojë gjobën. Kurse ndryshimet që kanë ndodhur në strukturën e gjuhës, ato janë një e keqe e madhe.
“Bota sot”: Po gazetarët, ku qëndrojnë në këtë aspekt?
I. Bajçinca: Ka gazetarë që shkruajnë mirë, por shumica nuk shkruajnë mirë. Dhe kam një vërejtje tjetër për gazetarët që në qoftë se riprodhojnë mendimin e një politikani, një udhëheqësi apo dikujt tjetër, unë propozoj që nëse ata e gabojnë dhe shtrembërojnë gjuhën, gazetarët duhet ta përmirësojnë, dhe jo të përdorin gjuhë ngërçi që shumica absolute e politikanëve tanë, e ministrave, dhe përgjithësisht intelektualët e mëdhenj e shtrembërojnë atë.
“Bota sot”: Cila është porosia juaj për të rinjtë lidhur me gjuhën shqipe?
I. Bajçinca: Porosia ime për të rinjtë është të lexojnë shqip, të lexojnë vepra letrare shqip dhe ta shfletojnë gramatikën dhe fjalorin shqip. Mendoj që Kosova ka më shumë se tetëmijë apo dhjetëmijë fjalorë të gjuhës shqipe, dhe ka me qindra mijëra fjalorë të gjuhës angleze, dhe kjo tregon mjaft.