A duhet ta shqiptojmë ia [ia] apo [ja]?

Kur takohen trajta e shkurtër e përemrit vetor të rasës dhanore "i" dhe trajta e shkurtër e përemrit vetor të rasës kallëzore e kthyer në "a" dhe bëjnë "ia"; sipas normave drejtshqiptimore të shqipes standarde, shqiptohet [ja] dhe jo [ia].

Pra, shqiptojmë: ia shpjegova [ja shpjegova], ia dhashë [ja dhashë], ia tregova [ja tregova]...

Shqiptimi [ia] që është shmangie nga norma drejtshqiptimore, ndikohet nga forma e shkruar e fjalëve duke i shqiptuar shkronjë për shkronjë, si të thuash, duke bërë shqiptim drejtshkrimor.

Sikur drejtshkrimi shqip të mbështetej vetëm në parimin fonetik, do të ishte në rregull shqiptimi shkronjë për shkronjë, por ai ndjek edhe parimin morfologjik dhe parimin historik-tradicional.

Kjo shmangie nga shqiptimi standard mund t'u falet krejtve, por jo edhe televizionit publik RTK, sepse atë paguajmë ne që të na japë model gjuhe për ne dhe sidomos për fëmijët tanë!

Ilmi Rexhepi