Të përdorësh laps dhe letër për të shkruar, ka nisur të bëhet një gjë gjithnjë e më e rrallë në ditët tona (veç shkollarëve), duke pasur parasysh ritmin e çmendur ku na ka përfshirë teknologjia e kompjuterëve, të cilët në fakt kanë edhe programin e rregullimit automatik të gabimeve.
Kështu që kur shkruajmë me laps dhe letër jemi më të predispozuar të bëjmë më shumë gabime. Por tani vjen në ndihmë një stilolaps i ri hi-tech, i cili dridhet sa herë që ndesh në një gabim gjuhësor.
Stilolapsi i veçantë është dizajnuar nga kompania gjermane, Lernstift, veçanërisht për t’i ardhur në ndihmë vogëlushëve që të mësojnë të shkruajnë pa gabime, por duke pasur parasysh nivelin e kulturës gjuhësore në përgjithësi, ai do të ishte pa dyshim i vlefshëm për të gjitha moshat.
Stilolapsi, ende në fazën e prototipit, është i aftë t’i evidentojë gabimet drejtshkrimore, morfologjike ose të formimit në kohë reale, duke e lajmëruar shkruesin me një dridhje në dorën e tij./shqip/