Burimi i haudit dhe ura e siratit

Haudi:

Haudi është burimi i Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) tek i cili do të shkojnë ummeti islam Ditën e Gjykimit dhe do të pinë ujë prej tij. Uji i tij është më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël se mjalti. Numri i enëve të tij është sa i yjeve që janë në qiell. Gjatësia e tij është sa një muaj, po ashtu edhe gjerësia e tij. Kush pi një gllënjkë prej tij, nuk etet më kurrë.

Sirati:

Sirati është ura e shtruar përmbi xhehenem që gjendet ndërmjet xhenetit dhe zjarrit. Në një hadith që e transmeton Muslimi nga Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thuhet: "Na është thënë se ura (sirati) është më e hollë se fija e flokut dhe më e mprehtë se tehu i shpatës."[1] Njerëzit e kalojnë atë në bazë të veprave të tyre. Dikush e kalon sa çel e mbyll sytë, dikush si vetëtima, dikush si era, dikush sikurse kali i shpejtë, dikush si shaluesit e deveve, dikush duke vrapuar, dikush duke ecur, dikush duke u zvarritur, e dikush rrëmbehet e hidhet në xhehenem. Ai që e kalon urën e siratit hyn në xhenet. Pasi njerëzit ta kalojnë këtë urë, ndalen në një bregore ndërmjet xhenetit dhe zjarrit, ku marrin hakun ndaj njëri-tjetrit. E, kur të pastrohen tërësisht e të jenë të gatshëm iu lejohet atyre hyrja në xhenet. I pari që do ta hapë portën e xhenetit është Muhamedi, (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).


Pyetje

1. Kush është i pari që do të hyjë në xhenet?

2. Ç'është haudi?

3. Përshkruaje ujin e burimit haud!

4. Ç'është sirati?

5. Si e kalojnë njerëzit urën e siratit?

6. Ku do të ndalen njerëzit pas kapërcimit të siratit dhe përse?

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Marrë nga libri: “Et-Teuhid” - Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe - Universiteti "Imam" në Riad.



[1] Hadithi i lartpërmendur është shtesë e përkthyesit.


Revista Shembulli

04:05:36pm