Ne e besojmë Jezusin, Isanë, alejhis-selam (I)

NE E BESOJMË JEZUSIN, ISANË, paqja qoftë mbi të (pjesa e I-rë)

 

PARATHËNIE

Po e shpërndajmë këtë shkrim, duke dashur me këtë ta heqim fajin për mospërhapjen e së vërtetës, para Zotit në Ditën e Ringjalljes. Me këtë vepër ne nuk synojmë ta gëzojmë ndokënd apo të fitojmë lëvdata, gjëja e vetme që kërkojmë është kënaqësia e Allahut të Lartësuar.

Në Kur’anin Famëlartë thuhet:

Thoni: “Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (12 bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi”. [Kur’an 2:136]

Ne si muslimanë besojmë në Një të Vetmin Krijues dhe në të gjithë Pejgamberët, në mesin e të cilëve ishte edhe Jezusi, gjegjësisht Isai (paqja qoftë mbi të), të cilin e konsiderojmë si një ndër Pejgamberët më të mëdhenj. Ne e pranojmë se ai ishte Mesihu, sikundër që e pranojmë se ai është Fjala e Allahut dhe se kishte lindur në një mënyrë të mrekullueshme, pa asnjë ndërhyrje mashkulli. Gjithashtu, ne jemi të bindur se ai, me lejen e Allahut, ringjallte të vdekurit, shëronte të verbrit e lindur dhe të lebrosurit. Kur’ani Fisnik, në krahasim me librat e tjerë të zbritur, vë në dukje aspektet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me nënën e Isait (paqja qoftë mbi të), me lindjen, misionin dhe ngritjen e tij në qiell.

 

VIRGJËRESHA MERJEME (MARI)

Tregimi i Isait (paqja qoftë mbi të) në Kur’anin Fisnik fillon me shtatzëninë e nënës së tij, Merjemes (paqja qoftë mbi të), kur gruaja e Imranit, gjegjësisht nëna e Merjemes, u zotua se do ta lë fëmijën e saj në tempull, që t’i shërbejë Allahut të Madhërishëm. Kjo gjë përmendet në ajetin vijues:

Kujto kur gruaja e Imranit tha: “Zoti im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, dëgjon dhe di çdo gjë.” E kur ajo lindi, tha: “Zoti im! Unë linda femër, - Allahu e di më mirë se çfarë lindi ajo, - e mashkulli nuk është si femra. Unë ia vura emrin Merjeme dhe i kam lënë atë me pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar”. Zoti e pranoi atë (Merjemen) me ëndje, e bëri që të rritet mirë dhe e la nën kujdestarinë e Zekerias. Sa herë që hynte Zekeria në dhomën e saj, gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: “O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?” Ajo përgjigjej: “Ky është nga Allahu, se Allahu e furnizon kë të dojë, pa kufi”. [Kur’an 3:35-37]

Në Kur’anin Fisnik thuhet se Allahu i Plotfuqishëm zgjodhi Merjemen, e pastroi atë dhe e parapëlqeu mbi të gjitha gratë e botës. Kjo gjë përmendet në ajetin vijues:

(Kujto) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka parapëlqyer ty mbi të gjitha gratë e botës. O Merjeme! Bindju Zotit tënd! Bëj sexhde dhe përkulu në ruku bashkë me ata që përkulen (duke adhuruar Allahun)!” [Kur’an 3:42-43]

 

LINDJA E JASHTËZAKONSHME E ISAIT

Përkitazi me lindjen e Isait (paqja qoftë mbi të), Allahu në Kur’anin Fisnik, në suren Merjem thotë:

Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje, duke e fshehur veten nga ata. Ne i dërguam Shpirtin Tonë,[1] i cili iu paraqit asaj si një njeri i plotë. Ajo i tha: “Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut. Ai tha: “Në të vërtetë, unë jam vetëm një i dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër.” Ajo tha: “Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk jam as e pacipë?!” Iu përgjigj: “Kështu është! Zoti yt ka thënë: ‘Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë’. Dhe kjo është punë e kryer.” Ajo mbeti me barrë e u tërhoq me të në një vend të largët. Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme. Ajo tha: “Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!” Një zë e thirri nga poshtë: “Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje! Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta! Ha, pi dhe qetësohu. Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: “Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.” Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur fëmijën. Ata i thanë: “O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme! O motra e Harunit! Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur.” Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: “Si t’i flasim ne fëmijës që është në djep?” Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë. Allahu nuk ka mbetur të marrë dikë për bir. Qoftë i lavdëruar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të “Bëhu!” dhe ajo bëhet. (Isai tha): “Vërtet, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj; andaj adhuroni vetëm Atë! Kjo është udha e drejtë”. [Kur’an 19:16-36]

 

ISAI, I BIRI I MERJEMES (PAQJA QOFTË MBI TË)

Kisha pretendon se Isai është “i biri i vetëm i lindur” i Allahut dhe se vetë Allahu përbëhet nga tri pjesë: nga i biri, i ati dhe “shpirti i shenjtë” – në të njëjtën kohë! Pos kësaj, katolikët theksojnë gjithashtu edhe hyjnizimin e Merjemes si “nëna e Zotit”. Mirëpo, Islami hedh poshtë tërësisht të gjitha këto mendime. Allahu i Lartmadhërishëm thotë në Kur’an:

Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!”, sepse vetë Mesihu ka thënë: “O bijtë e Izraelit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj! Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës.

Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është njëri prej Trinisë!” Nuk ka veçse një Zot të Vetëm të vërtetë! Nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t’i godasë një dënim i dhembshëm.

Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë!

Mesihu, i biri i Merjemes, është vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të dërguar. Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë. Që të dy, hanin ushqim. Shiko si ua shpjegojmë atyre shpalljet tona dhe shih si largohen nga e Vërteta! [Kur’an 5:72-75]

Kurse, muslimanët thonë se lindja e Isait (paqja qoftë mbi të) pa babë nuk e bën atë Zot apo bir “të lindur” të Zotit. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’anin Famëlartë:

Ata thonë: “Allahu ka bërë një fëmijë”. I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Ai! Përkundrazi, Atij i përket çdo gjë që gjendet në qiej e në Tokë dhe Atij i nënshtrohet gjithçka. Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, pa shembull të mëparshëm dhe, kur vendos për diçka, vetëm thotë për të: “Bëhu!” - dhe ajo bëhet. [Kur’an 2:116-117]

Lidhur me këtë, Allahu në Kur’anin Fisnik thotë:

Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” [Kur’an 112]

Lindja e Isait nuk ishte diçka më e jashtëzakonshme sesa lindja e babait tonë, Ademit. Allahu e përmend këtë në Kur’anin Famëmadh, kur thotë:

Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” - dhe ai u bë. [Kur’an 3:59]

 

 

Vijon pjesa e dytë...

Nga: Sulejman H. El-Buti

Përktheu nga gjermanishtja: Jusuf H. Kastrati

www.shembulli.com



[1] D.m.th. engjëllin Xhebrail. Allahu e ka quajtur atë “Shpirtin Tonë” për ta nderuar dhe për ta ngritur lart, jo se Xhebraili është pjesë e Qenies Hyjnore. Ai është një prej shpirtrave më të nderuar që ka krijuar Allahu. (Kur’ani i Madhërishëm, përkthimi i Hasan Nahit, botimi i katërt, AIITC). Sh.p.


Revista Shembulli

10:46:55am