Shikoje atë me të cilën dëshiron të martohesh

Ajo qe me shtyu te shkruaj këtë shkrim është pikërisht një ngjarje që ka ndodhur në Medine (të cilën e ka publikuar dhe media jonë në shqip) ku dhëndri ndan nusen ditën e martesës në momentin kur e shikon atë!

Është për të ardhur keq që shumë gjera bëhen si pasoje e traditës dhe jo e fesë, sepse feja shpesh herë urdhëron të kundërtën.

Gjykimi fetar në shikimin e asaj me të cilën dëshiron të martohesh

Nuk ka kundërshtim mes dijetarëve të fikhut në lidhje me lejueshmërinë e shikimit të asaj me të cilën kërkon të martohesh, madje disa prej tyre e kanë konsideruar një gjë të tillë si një vepër të pëlqyer, madje pohuan se një veprim i tillë është pikërisht nga tradita profetike.

Argumentet e tyre

Ebu Hurejre transmeton e thotë: Isha te Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ndërkohë që i erdhi dikush dhe i tregoi se do të martohej me një grua medinase, Profeti i tha: "A e ke parë atë? Jo, iu përgjigj personi, Profeti atëherë i tha: "Shko e shikoje se në sytë e grave të Medinës ka diçka". (Muslimi)

Ndërsa Xhabir bin Abdullah përcjell se Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: "Nëse dikush nga ju dëshiron të martohet me ndonjë grua dhe ka mundësi ta shohë atë, le ta bëj". Xhabiri thotë: Doja të martohesha me një vajzë nga fisi Benu Seleme dhe fshehurazi shikoja tek ajo çka më nxiste të martohesha me të. (Ahmedi në Musned)

Mugira bin Shu'be transmeton se ai donte të martohej me një grua, në këtë rast Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të,  i tha: "Shikoje atë, sepse vërtet të jep mundësi më shumë në vazhdueshmërinë e martesës". (Tirmidhiu)

Një nga dijetaret e njohur të legjislacionit Islam, Ibën Kudame, ka thëne: " Nuk di që mes dijetarëve të ketë mosmarrëveshje në lidhje me lejueshmërinë e shikimit të gruas me të cilën dëshiron të martohesh.

Ndaj duhet të bëjmë dallimin e traditës nga feja në mënyrë që të mos bëjmë edhe ne gabime të tilla.

 

Hoxhë Bledar Haxhiu


Revista Shembulli

10:31:46am