Para se të shkojë Ramazani...

Lamtumirë, muaj i bekuar i Ramazanit! Lamtumirë, muaj i agjërimit dhe i Kur’anit! Lamtumirë, muaj i begative dhe i shpërblimeve të shumta! Lamtumirë!

Ti po shkon, mysafiri ynë i nderuar. E dimë që nuk të kemi pritur ashtu si duhet...!

Ti ishe mundësia më e mirë që ne t’i përmirësojmë lidhjet tona me Krijuesin tonë Madhështor.

Ti, pa dyshim, je rasti më i volitshëm që neve të na falen gjynahet. Njëherë, të Dërguarit të Allahut i erdhi Xhibrili dhe i tha: “I poshtëruar qoftë ai njeri, të cilin e zë Ramazani dhe nuk i falen mëkatet”. Kurse, i Dërguari i Allahut tha: “Amin”.

Po pra, i poshtëruar qoftë ai njeri, të cilin e zuri Ramazani dhe nuk arriti që në këtë muaj të mëshirës ta fitojë mëshirën e të Gjithëmëshirshmit!

Kur dëshiron, pra, të të falen mëkatet, nëse jo në Ramazan, kur?!

Shpresat ende nuk janë shuar, na kanë mbetur edhe pak ditë të Ramazanit. Portat e xhenetit ende janë të hapura, shejtanët ende janë të prangosur. Tashmë jemi në dhjetëshen e fundit të Ramazanit, lidhur me të cilën Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, kur hynte dhjetëshja (e fundit e Ramazanit) gjallëronte natën, e zgjonte familjen dhe shtrëngonte rripin.”[1]

Në këtë dhjetëshe gjendet një natë, e cila është më e mirë se njëmijë muaj, Nata e Kadrit. Mbase, ajo ende nuk ka shkuar. Pejgamberi ynë, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, thoshte për këtë natë: “Atij që falet në Natën e Kadrit me besim dhe duke llogaritur në shpërblim, do t’i falen mëkatet e kaluara.” Pra, a nuk dëshiron të të falen mëkatet?! Nëse po, atëherë shfrytëzoje këtë natë ashtu si duhet; duke falur namaz dhe duke lexuar Kur’an, sepse kjo është nata në të cilën zbriti Kur’ani.

Nëse dëshiron të jesh i lumtur në këtë dhe botën tjetër, atëherë kthehu Krijuesit tënd! Dyert e pendimit janë të hapura, derisa të lindë dielli nga perëndimi.

Pendohu menjëherë, vëlla i dashur dhe ti oj motër e nderuar, dhe adhuroje vetëm Allahun! Fundja, për këtë gjë jemi krijuar; ta adhurojmë vetëm Allahun e Lartësuar. I Lartmadhërishmi thotë në Kur’an: “Xhinët dhe njerëzit nuk i krijova për tjetër, veçse të Më adhurojnë.”[2]

Pendohu para se të bëhet vonë e të bëhesh prej atyre për të cilët Allahu tha: “Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse, deri në ditën kur do të ringjallen.”[3]

Pra, çfarë pret?! Pendohu, pendohu menjëherë! Ti e di se vdekja vjen befas. Pendohu, sepse edhe Zoti gëzohet me pendimin tënd. Madje ai gëzohet më shumë sesa një njeri, të cilit i kishte humbur deveja në shkretëtirë, në të cilën e kishte ushqimin dhe pijen, kështu që u shtri nën hijen e një peme, pasi i humbi të gjitha shpresat. Duke qenë në atë gjendje, papritmas, pa devenë para syve të tij. Atëherë, ai e kapi devenë për litari dhe nga gëzimi i madh tha: “O Allah, ti je robi im dhe unë jam Zoti yt!” Gaboi nga gëzimi i madh. Allahu gëzohet, pra, më shumë sesa ky njeri kur ti pendohesh. Kështu na ka mësuar i Dërguari i Allahut.

Allahu thirri mbarë njerëzimin që të pendohen dhe të kërkojnë falje prej Tij, madje edhe ata që e bënë gjynahun më të madh, ata që thanë se Zoti ka djalë. I Lartësuari thotë në Kur’an: Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë![4]

Sikurse jobesimtarët, gjithashtu edhe besimtarët duhet të pendohen. Përkitazi me këtë, Allahu në Kur’anin Famëlartë thotë“O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”.[5]

Çfarëdo mëkati të kesh bërë, sërish pendohu, sepse Allahu i fal të gjitha gjynahet. Ai thotë në Kur’an: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i  fal  të  gjitha  gjynahet.  Vërtet,  Ai  është  Falësi  i  madh  dhe Mëshirëploti.“[6]

Ndërsa, për fund, këshilloj veten dhe ju me Fjalët e Allahut: “Dhe ruajuni asaj Dite, që do të ktheheni tek Allahu, në  të  cilën,  çdokujt  do  t’i  jepet  ajo  që  ka  fituar,  pa pësuar  as  më  të  voglën  padrejtësi!”[7]

 

 

Jusuf H. Kastrati – Shembulli.com



[1] Muttefekun alejhi.

[2] Sureja edh-Dharijat: 56.

[3] Sureja el-Mu’minunë: 99, 100.

[4] Sureja el-Maide: 74.

[5] Sureja et-Tharim: 8.

[6]Sureja ez-Zumer: 53.

[7]Sureja el-Bekare:282.