Tash "mjekra" pengesë për shkollim!

 

Gëzim Kelmendi

 

Është kundërnjerëzore dhe shumë e pakuptimtë që në një vend që synon të integrohet në BE sikur që është Kosova të përjashtohen nxënësit nga procesi mësimor për shkak të mjekrave të tyre, të cilat ishin aq të vogla dhe të mirëmbajtura.

Kjo shkollë e mesme " Sami Frashëri" që po i diskriminon këta nxënës, muaj më parë ishte pjesë e skandaleve të turpshme gjatë ekskursionit me nxënës në Shqipëri.

Tash kërkon "zbulon" rregulla të reja duke shkelur të drejtat e njeriut dhe duke nxitur urrejtje ndërfetare.

Largimi i nxënësve nga procesi mësimor është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me " Nenin 38 " të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar.

Njëherësh largimi i nxënësve nga procesi mësimor paraqet shkeljen e Konventave Ndërkombëtare dhe shkeljen e të Drejtave të Njeriut.

Për institucionet shkollore duhet të jetë me rëndësi mësimi, edukata dhe sjellja e nxënësve, e jo mjekrat e tyre, ngase mjekra është manifestim publik i bindjeve fetare të cilin e mbron fuqishëm "Neni 38" i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Fundja, Kosova është një shtet i ri i cili synon integrimin në BE dhe sjellja e Institucioneve ndaj qytetarëve të Kosovës duhet të jetë në harmoni të plotë me praktikat europiane, ku në të gjitha vendet e BE-së respektohen bindjet fetare.

Kërkoj nga Komuna e Prishtinës, Drejtorati për Arsim, që të i kthej nxënësit në proces mësimor dhe të mos lejojë nxitje dhe urrejtje ndërfetare dhe shkelje të të Drejtave të njeriut, Konventave ndërkombëtare, Kushtetutës dhe Ligjit për Arsimin parauniversitar.