Dr. Vjosa Musliu
Kur Martti Ahtisaari përpiloi dokumentin e tij për statusin e Kosovës, e shpalli Kosovën shtet «pa fe zyrtare». Ndonëse kjo gjë u vendos në mënyrë problematike në versionin anglisht dhe atë shqip, Kosova do të ishte diçka në mes të sekulares (versioni anglisht) dhe laikes (versioni shqip). Për Ahtisaarin dhe sponsorët e pavarësisë, kishte rëndësi që në bërjen e Kosovës të mos kishte përparësi për asnjë etni, grup fetar apo gjuhësor. Të barabartë me çdo kusht. Edhe nëse kjo do të ishte demografikisht e pamundur.
Në projektin politik të elitës në Kosovë ky sekularizëm dhe laicitet u përkthye kështu: Kosova është demokratike, pro-perëndimore, europiane, sekulare. Nuk kemi asnjë lidhje me «lindorët», me islamin, me otomanët e Turqisë. E duam Kosovën pro-perëndimore, europiane, sekulare. E duam Kosovën me të drejta të barabarta për të gjitha pakicat etnike, kulturore e seksuale. Por paralelisht e duam Kosovën pa shami, pa mjekroshë me pantallona të shkurtuara. Ata nuk ekzistojnë. Nuk janë pjesë e kartolinave të qytetit. Nuk janë pjesë e debateve në televizion e në shoqëri. Ata nuk janë si ne. Ose më saktë, ata nuk janë ata që ne duam të bëhemi – europianë me çdo kusht.
Shamia e tyre është shkelje e të drejtave të grave nga shoqëritë «mesjetare» e maskiliste. Nëpër hapësirat publike dhe rrjete sociale bërtasim dhe alarmojmë se një modë e tillë e ka vendin në Arabinë Saudite e jo në Prishtinë. Harrojmë dhe e abstrahojmë faktin se një modë e tillë është edhe në Berlin, Paris e Londër. Në anën tjetër, gratë që defilojnë si porn-stare nëpër televizione kombëtare nuk janë të shkelura nga maskiliteti. Ato thjeshtë kanë dëshirë dhe pavarësi të nxjerrin gjithçka në shesh.
Paralelisht me atë që quhet fundamentalizëm fetar në Kosovë vazhdon të zhvillohet një lloj fundamentalizmi sekular i cili shpërfaqet në dy diskurse: 1) europianë me çdo kusht, dhe 2) pro-perëndimorë dhe pro-amerikanë me çdo kusht. Fundamentalizmi sekular ka për bazë projektin e modernitetit perëndimor dhe idealet e Renesansës. Pjesë e këtij moderniteti janë po ashtu kultura e përbashkët e krishterë e sistemeve politike sekulare. Në Kosovë ky fundamentalizëm sekular manifestohet kryesisht me aversion ndaj islamit. Gjithçka që i takon islamit, «Lindjes», të kaluarës tonë otomane, është në esencë e prapambetur përkrah vlerave të modernitetit. Si e tillë ajo duhet diskredituar dhe harruar, për ta zëvendësuar me vlerat «moderne» perëndimore.
Për dallim nga fundamentalizmi fetar, fundamentalizmi sekular është më i padukshmi. Propaganduesit e tij pretendojnë se janë më tolerantë se të gjithë ne të tjerët. Në Europën perëndimore, sidomos në Francë dhe Britani të Madhe, fundamentalistët sekularë fshihen pas kampanjave anti-raciste, anti-homofobe dhe anti-seksiste. Në Kosovë në anën tjetër, këtyre fundamentalistëve thjeshtë u pengon xhamia si pjesë e identitetit, u pengon rritja e identifikimit fetar të kosovarëve edhe nëse kjo është rrjedhë normale e transicionit. Ashtu si fundamentalizmi fetar, edhe ai sekular kërkon të vendosë të vërtetën e tij. Pak rëndësi ka nëse kjo e vërtetë është Allahu apo e ardhmja europiane. Në kuptimin logjik të dyja janë dogma. Dogmë është çdo projekt që vendoset në mënyrë arbitrare, pa debat dhe pa legjitimitet demokratik. Në kuptimin politik të dyja kërkojnë të vendosin monopolin e të vërtetës. Një gjë e tillë nuk është problematike se po minohet identiteti islam apo ndonjë identitet tjetër fetar, por sepse një projekt i tërë po imponohet me çdo kusht si më i miri, më i vlefshmi dhe më legjitimi.
Duhet thënë se ky fenomen nuk është unik për Kosovën. Vendet e tjera të Ballkanit, sidomos ato me të kaluar otomane, janë vazhdimisht në arratisje nga këto «prapambeturi». Të njëjtin fenomen e hasim edhe në Turqi dhe disa prej vendeve arabe. Në vitin 1923 kur u themelua Republika e Turqisë, ose siç thuhet rëndom me nostalgji «Turqia moderne», Kemal Ataturku ndërmori projektin infantil për të inxhinieruar me çdo kusht identitetin europian dhe projektin modern për turqit. Shamia, ferexhja dhe përkatësia fetare e më vonë edhe ajo etnike ishin elemente turpi. Turqit ishin nisur për t’u bërë më laikë se laikët. Modelin e laicitetit francez e çuan në ekstremin tjetër duke rrëzuar për tokë moralisht e politikisht të gjitha strukturat e lidhura me fenë islame. Që prej atëherë, elitat intelektuale turke kanë kultivuar një aversion patologjik për fenë dhe grupet fetare në përgjithësi. Eksperimenti i Ataturkut i është kthyer bumerang Turqisë tash e disa dekada derisa turqit po kërkojnë të rigjejnë identitetet e shtypura me komplekse inferioriteti dhe orientalizma të vetëpranuara.
Në këtë kuptim, është e rëndësishme që këto çështje të diskutohen hapur në hapësirat tona publike dhe intelektuale, për të kuptuar drejtë ndryshimet në shoqëri.
Si njeri, e palidhur as shpirtërisht e as materialisht me perënditë, jam përkrahëse e mënjanimit të dogmave, sidomos atyre fetare. Si studiuese e demokracisë, e kam problem vendosjen e një sistemi politik i cili imponon një doktrinë absolutiste për të ndarë tërësisht fenë dhe shtetin. Kjo për mua është mosrespektim i vlerave demokratike. Megjithatë, në rastin e Kosovës problemi qëndron në faktin se ky «emancipim» nuk po vjen si rezultat i parimit për të mos pranuar dogmat fetare, islamin në këtë rast, si të tilla. Por sepse ne jemi të kompleksuar në identifikimin me «dogmën islame» para se gjithash. Vite më parë Mehmet Kraja shkruante se kosovarët kanë problem të identifikohen me të kaluarën socialiste dhe të majtën në përgjithësi, sepse në vetvete kanë frikë të identifikohen me atë që në të vërtetë janë.
Fundamentalizmi islam në Kosovë, i çfarëdo përmasash qoftë ai, duhet parë ndërmjet tjerash edhe si reagim ndaj projektit hegjemonik për Kosovën europiane. Për Kosovën të shfytyruar nga e kaluara dhe nga identiteti i saj. Për Kosovën si peng i të ardhmes së saj.