Studimi: Fëmijët para ekranit më të rrezikuarit ndaj sëmundjeve

SIDNEJ - Fëmijët që shohin shumë televizor kanë më tepër rrezik me kalimin e kohës të preken nga sëmundje kardiake, hipertensioni apo diabeti, sipas një studimi australian bërë publik sot.

Fëmijët e analizuar, të moshës 6-7 vjeç, që shikojnë shumë televizor kanë arterie më të ngushta prapa syve, sipas këtij studimi të Universitetit të Sidnejt, i prezantuar si i pari i këtij lloji.

Kjo rrit më vonë rrezikun e sëmundjeve kardiake, të hipertensionit dhe diabetit.

"Prindërit duhet të nxisin fëmijët për më tepër aktivitet fizik dhe t'i largojnë nga televizori", rekomandon Bamini Gopinath, përgjegjës për studimin e kryer tek 1 500 fëmijë 6-7 vjeç në 34 shkolla fillore të Sidneit.

Fëmijët e ekzaminuar kalonin mesatarisht 1,9 orë në ditë para televizorit dhe vetëm për 36 minuta në ditë kryenin aktivitete fizike.
Ata që kishin më tepër aktivitet fizik, një orë ose më tepër në ditë, i kishin arteriet dukshëm më të zgjerura se ata që ushtronin më pak se një orë aktivitet fizik në ditë.

"Ne zbuluam se fëmijët që ushtronin aktivitet fizik më të lartë paraqisnin edhe një profil më të mirë mikrovaskular në krahasim me të tjerët", shpjegoi Gopinath.

"Kjo të lë të mendosh se sjelljet më pak të dobishme për shëndetin mund të ndikojnë në mikroqarkullimin tepër herët dhe mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiake dhe të hipertensionit më vonë", shtoi ai.

Qëndrimi para televizorit çon në reduktim të aktivitetit fizik, në reflekse të gabuara të të ushqyeri dhe shtim në peshë, shtoi ai.
Studimi u botua këtë javë në "Journal of the American Heart Association".
(atsh/BalkanWeb)