A mund të quhen fjalët e reja "huazime"?

Përmbledhje

Në këtë shkrim autori është marrë me çështjen e përdorimit të disa fjalëve të ardhura nga gjuhë të ndryshme në gjuhën tonë, të cilat tashmë kanë bërë një jetë të gjatë në fondin tonë leksikor, porse edhe sot e kësaj dite gjuhësia shqiptare i konsideron si HUAZIME.

Me këtë term dhe me këtë qëndrim ndaj këtyre fjalëve, autori i këtij shkrimi nuk pajtohet dhe sjell disa të dhëna e argumente, të cilat mund t’i shihni në kuadër të këtij shkrimi.

Dihet se gjuha është organizëm i gjallë, e cila jeton, zhvillohet, pasurohet nga njerëzit që e hasin atë. Secila gjuhë ka një fond të caktuar të fjalëve. Po a thua ky fond do të jetë i mjaftueshëm për atë gjuhë, pa pasur nevojë të marrë fjalë të reja nga gjuhët e tjera? Shkalla e marrjes apo e dhënies gjithmonë shkon në shpërpjesëtim me atë se cila gjuhë, në një etapë të caktuar të zhvillimit shoqëror e kulturor, ka qenë më mbizotëruese përballë tjetrës. Nga nevoja që ka gjuha disa fjalë shpesh merren nga ndonjë gjuhë tjetër, qëndrojnë aty, por shpesh, me zhvillimin e mëvonshëm të saj edhe mund të dalin nga përdorimi, madje mund të harrohen fare. Kësisoj ka ndodhur edhe me gjuhën shqipe. Historikisht në gjuhën tonë, për shkak të nevojës që kishte, janë futur fjalë të reja nga gjuhë të ndryshme, si nga latinishtja, greqishtja, turqishtja etj. Në kohën më të re edhe nga anglishtja e nga ndonjë gjuhë tjetër.

Po a ishin dhe a janë këto fjalë "huazime", siç ndeshet shpesh ky term në gjuhësinë shqiptare? Kush i "huazoi" këto fjalë? Fundja si ka mundësi të huazohet fjala? Këtu qëndron edhe gabimi i këtij emërtimi, se fjalët, në fakt, nuk mund të huazohen, por hyjnë në gjuhë si mjet shërbyes për t’u marrë vesh më mirë me njëri- tjetrin. Fjalët hyjnë spontanisht në gjuhë. Shtresa e gjerë popullore nuk lodhet shumë për atë se kjo apo ajo fjalë është apo s’është e burimit shqip. Me rëndësi është të merren vesh me njëri-tjetrin. Gjuhëtarët janë ata të cilët duhet të merren me këtë çështje, por sa po merren gjuhëtarët sot me këtë problematikë, është çështje më vete. Sidoqoftë, pasi që jemi tek "huazimi", le të shohim se si e shpjegon kuptimin e fjalës (emrit) "HUA,-JA" Fjalori i shqipes së sotme, Tiranë, 2002, f. 488: "'HUA,-JA f. sh.-,-T. Para (të holla) ose diçka tjetër me vlerë që i merret a i jepet dikujt, për një kohë të caktuar dhe i kthehet përsëri. Hua shtetërore, I mori (i dha i kërkoi) hua". Edhe emri huazim shpjegohet me: "Veprimi sipas fjalëve HUAZOJ, HUAZOHET. Huazimi i fjalëve. Huazimi i librit. 2. gjuh. Fjalë a njësi tjetër gjuhësore, që janë marrë prej një gjuhe të huaj" (po aty f. 489).

Nga shpjegimi që na jep fjalori shohim se huaja përcakton diçka (çfarëdo qoftë ajo) që merret, por që pastaj duhet edhe të kthehet, por në shpjegimin vijues, huazimi i fjalëve, mbetet aty. Pra, çështja që del këtu është se fjalët nuk kthehen! Sipas vetë përkufizimit që është bërë nga vetë hartuesit e FSHS-së del se huazimi është diçka që merret hua, pra, që të kthehet pas një kohe, por si është e mundur të huazohet diçka e të mos kthehet? Hartuesit e fjalorit edhe librin e kanë futur në rangun e fjalëve a njësive gjuhësore, të cilat, sipas fjalorit huazohen dhe nuk kthehen kurrë! Po libri kthehet, apo jo? Problemi është që përkufizimi nën numrin 1. E kundërshton përkufizimin në numrin 2!

Po ta shikojmë historikun e gjuhës shqipe do të vërejmë se kemi fjalë me origjinë greke, që janë përdorur dhe përdoren edhe sot në gjuhën shqipe si: monizëm, nomad, ikonë, nikoqir, taksë etj. Të gjitha këto fjalë janë në fjalorin e gjuhës shqipe. Shumë mirë! A mund të quhen më këto fjalë huazime, kur përdoren në gjuhën shqipe me vite e dekada a ndoshta edhe me shekuj? Njësoj kemi edhe fjalë të tjera me origjinë latine, si: monitor, orator(për gojëtar), erudit, akceptoj, investigoj, involvoj, prononcoj, okular (në fjalorin e 2002-ës është vetëm okulist), kamera, kancer etj. Nëse këto fjalë me origjinë nga gjuha latine, të cilat kanë përdorim të gjerë për një kohë të gjatë në gjuhën shqipe, atëherë as këto më nuk janë fjalë të huazuara nga latinishtja. Këto anë fjalë shqipe me origjinë nga latinishtja. Për disa nga këto fjalë dhe fjalë të tjera ka edhe fjalë shqipe për ato kuptime. Sigurisht fjala shqipe duhet të ketë përparësi por a mund të përjashtohen këto me një dekret nga gjuha si "të huaja"? Këtu duhet pasur kujdes të gjithë, e në rend të parë gjuhëtarët, sepse një gjë e tillë do të ishte e pamundur. Ajo çfarë do të ishte më e logjikshme për gjuhëtarët do të ishte të sugjeronin fjalën e re shqipe, por duke e lënë atë fjalë si sinonim. Pas një kohe disavjeçare do të shihet se cila fjalë do të qëndrojë. Është krejt në rregull që për "orator" të përdoret fjala shqipe "gojëtar", sikundër edhe për fjalët (foljet) akceptoj, investigoj, pronocoj, të përdoren fjalët shqipe "pranoj"', "hulumtoj", "kumtoj" .

Kriteret, të cilat ndiqen nga gjuhët perëndimore lidhur me fjalët me origjinë të huaj janë shumë të qarta. Gjuhëtarët anglezë, p. sh. për ta konsideruar një fjalë me origjinë të huaj, si të veten, përdorin këtë kriter: Ata caktojnë pesë pika të ndryshme gjeografike ku flitet gjuha angleze, vërtetojnë se e njëjta fjalë a është shkruar në këto pesë pika brenda pesë vitesh së paku pesë here. Dhe nëse është kështu ajo fjalë konsiderohet si fjalë angleze. Pas kësaj kohe ajo fjalë nuk trajtohet më si fjalë e huaj ose "huazim" siç ndodh në gjuhën shqipe, por ajo fjalë quhet fjalë e gjuhës angleze dhe futet menjëherë në fjalor.

Disa fjalë me origjinë latine nga përdorimi shumë i gjatë i tyre në gjuhën shqipe (pothuaj në tërë trevat shqiptare), edhe po të duash s’ke se i largon. Këto janë tanimë fjalë shqipe, por me origjinë latine. Nëse s'është kështu, atëherë si do t'i themi kamerës, kancerit, madje edhe kishës shqip?

Edhe me origjinë turke kemi fjalët: xhep, tepsi, xhamadan, papuçe, bajrak (për flamur), adet (për zakon), "jo" (nga "yok"), kanape, xhezve, filxhan, çarçaf, çorapa, çardak, bardak (për gotë), penxhere (për dritare), minder, vezir, zabit (për oficer), nizam (për ushtar) etj. etj. Duke e ndjekur këtë kriter, pra kriterin se këto fjalë ishin e disa janë edhe sot në përdorim thuaja në gjithë trevat shqiptare, shohim se gjuha i mban vetëm ato fjalë të cilat i nevojiten. Ato që s'i duhen i hedh jashtë. Fjalë të tilla, të cilat shqipja i kishte futur në leksikun e vet shekullor kishte plotë , por po i përmendim vetëm disa. Sot dëgjohen shumë më rrallë fjalët: çardak , bardak, penxhere, minder, vezir, zabit, nizam etj. Por janë disa që jetojnë edhe sot në leksikun e shqipes dhe është pa kuptim të trajtohen si fjalë "të huazuara" nga turqishtja. A ka kuptim ne sot t'i quajmë "huazime", ose fjalë turke, fjalët: "xhep", "tepsi","xhezve", "_lxhan", "çarçaf", "çorapa", "jorgan" etj.? Nëse do të trajohen si të tilla, si do t'u themi këtyre shqip? Është interesante të theksohet se edhe pjesëza mohuese jo, pra është me origjinë nga gjuha turke, nga yok, që pastaj me kohë kjo k fundore ra dhe mbeti vetëm "jo" për fjalën shqipe "nuk", e cila, si fjalë burimore shqipe, sot përdoret mjaft rrallë. Përdoret vetëm në disa të folme të shqipes, si tek shqiptarët e Maqedonisë: në rrethin e Tetovës, Gostivarit etj. Pra, ejani e ta heqim fjalën "jo" nga gjuha shqipe, si një fjalë të huaj!

Tani në kohën më të re situata për të "marrë" apo për të "'dhënë" fjalë është krejt ndryshe nga kohët e kaluara. Sot ka institucione që merren me studimin e leksikut (ose të themi më mirë duhet të merren me studimin e leksikut, apo fjalëve). Gjuhëtarët, në rend të parë, janë ata që do të duhej të kishin kontroll më të madh në këtë fushë. Po kjo nuk do të thotë se ata do të kenë rol vendimtar, sepse, siç thamë më lart, fjalët nuk ka mundësi t'i "ndalojë" askush në mënyrë arbitrare, pra, as gjuhëtarët. Në mënyrë të pashmangshme disa fjalë futen në gjuhë (shpesh bashkë me mjetin). Varësisht se si dhe kur futen në gjuhë fjalët duhet të regjistrohen, të verifikohen dhe nëse përdoren më gjatë se pesë vjet, të futen edhe në fjalor. Po si të shpjegohet madje fakti që fjalët, kompjuter e internet të përdoren në gjuhën shqipe së paku qe dy dekada dhe nuk janë në asnjë fjalor të gjuhës shqipe! Pse po ndodh kjo? Kjo ndoshta po ndodh, sepse ne jemi mësuar t'i konsiderojmë të huaja", ani pse përdoren në gjithë hapësirën shqiptare për rreth njëzet vjet, e ndoshta edhe më gjatë! Është paradoksale që fjala kompjuter (por edhe shumë fjalë të tjera të reja) të mos jetë në fjalorin e gjuhës shqipe botuar më 2002. Nuk është as në fjalorin më të ri të gjuhës shqipe hartuar nga Mehmet Elezi dhe i botuar më 2006, i cili, madje, në parathënien e fjalorit e përmend disa herë fjalën "kompjuter"!

Të kësaj fushe janë edhe fjalë të tjera që po përdoren në shqip, të cilat në vitet e fundit kanë gjetur përdorim shumë të gjerë. Të tilla janë: monitor, printer, pasword, update (apdejt), download (dounloud), e-majl, llaptop, chat (çat). Janë disa përpjekje, do të thosha, më shumë jashtëinstitucionale që kanë krijuar disa terma shqipe në fushën e kompjuteristikës, p. sh. për password përdoret fjala shqipe fjalëkalim, për update përditësim, për download, shkarkim, për email, postel, (shkurt për postë elektronike). Po si t'i themi llaptopit shqip?

Në qoftë se këto fjalë lihen të qëndrojnë kështu me vite dhe nisin të jetojnë në gojën e shqiptarëve, pa kujdesin e gjuhëtarëve, apo thjesht pa kujdesin e institucioneve gjuhësore për të krijuar fjalë shqipe, edhe këto fjalë do të mbesin si huazime të përhershme, por në përdorim të vazhdueshëm në gjuhën shqipe! Kështu ato do të bëhen fjalë të thesarit të shqipes, doemos. /Shkenca.org/

Sami Islami

3 shkurt 2011