A na janë shtuar festat?

Argumentet që kanë ardhur në lidhje me ekzistimin e festave në Islam kanë legjitimuar tri festa: festa e fitër bajramit, kurban bajramit dhe dita e xhuma. Pra, nga kjo kuptojmë se festimi i ditës së lindjes dhe të ngjashme nuk kanë qenë prezentë në kohën e Muhamedit, alejhi-selam, e as në kohën e gjeneratave të arta. Kjo është një risi e shpikur që ka depërtuar tek muslimanët nga të tjerët (të krishterët dhe jehudët). Me këtë janë sprovuar dhe sot e festojnë si të jetë nga festat islame ose edhe më shumë.

Është obligim për muslimanët të lënë këtë praktikë dhe të bëjnë kujdes ngaqë nuk është e jona, ta refuzojmë dhe t’ia tërheqim vërejtjen atij që e vepron dhe të mos e shpërndajmë dhe nxisim të tjerët në këtë, kështu të mendon masa se një gjë e tillë është e lejuar dhe bën të veprohet.

Aishja, Allahu qoftë e kënaqur me të ka thënë se i dërguari i Allahut ka thënë: ”Kush shpikë në fenë tonë atë që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar”. Buhariu dhe Muslimi.

Nga Abdullah b Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, ka thënë: ”Kush i përngjet një populli, ai është prej tyre”. Imam Ahmedi.

Ne a po i përngjajmë të tjerëve me festimin e ditëlindjes apo jo?

Nga Ebu Seid, Allahu qoftë i kënaqur më atë përcillet se Muhamedi, alejhi-selam, ka thënë: ”Do t’i pasoni traditat e atyre që kanë qenë para jush, hap pas hapi dhe pëllëmbë pas pëllëmbe, derisa nëse hyjnë në vrimë të hardhucës, ju do t’i pasoni”. Thamë: O i Dërguari i Allahut, krishterët dhe jehudët? Tha: Po, kë tjetër? Buhariu.

Hadithi i fundit dhe të tjerët tregojnë për obligueshmërinë e tërheqjes së vërejtjes nga përngjasimi me armiqtë e Allahut në festat e tyre dhe të tjera. Andaj, le të na mjaftojë si argument dhe kërcënim për ne ky hadith i Muhamedi, alejhi-selam, dhe hadithet e tjera.

Ne e dimë se i Dërguari i Allahut dhe njeriu më i mirë asnjëherë nuk e festoi ditëlindjen e tij sa ishte gjallë, e as nuk ia festuan pas vdekjes së tij shokët e tij, atëherë pse ne të veprojmë një gjë të tillë? Bile as katër imamet e mëdhenj nuk e kanë bërë një gjë të tillë edhe pse ishin shumë më të ditur se ne për fenë e Allahut. Kështu që, i bie ose ne jemi më të ditur se gjeneratat e para, e që nuk është e vërtetë, ose ata janë më të ditur dhe s’ka pikë dyshimi në këtë dhe duhet ndjekur ata. Shpeshherë dimë t’i referohemi katër imamëve të mëdhenj në shumë gjëra, por jo edhe tek ditëlindja. A thua a ia kanë festuar ata dikujt ditëlindjen, ose a e kane festuar ditëlindjen e tyre?

Ne jemi plotësisht të bindur se sikur të ishte kjo diçka e mirë do të na paraprinin shokët e Muhamedi, alejhi-selam, me këtë, e nëse ata kanë heshtur dhe nuk kanë vepruar, të veprojmë edhe ne njësoj sikurse ata.

Nëse themi së bën të festojmë ditëlindjen, pyesim:

A është kjo e njohur tek muslimanet e hershëm apo jo?

A e kanë festuar gjyshërit tanë këtë festë, kjo vlen për ata që kërkojnë Islam tradicional dhe ne këtë po e kërkojmë?

Le të pyesim edhe këta pak pleq që na kanë mbetur se a mbajnë në mend që një hoxhë ka lejuar festimin e ditëlindjes?

Nëse kjo është një vepër e të krishterëve dhe s’ka dyshim se është e tyre dhe jo e njohur tek ne më herët, a futemi nën kërcënimin e hadithit të mësipërm?

A çdo send që bëjnë ata edhe ne duhet ta bëjmë se nuk bënë ndryshe dhe na përqeshë bota?
Ku mbeti krenaria te muslimanët dhe xhelozia e tyre për fenë e Allahut?

Shtoja kësaj edhe të metat tjera, si: shpenzimi i pasurisë në dhurata të ndryshme, në blerjen e pijeve alkoolike, përzierja e meshkujve dhe femra në një vend, këndimi i frazës së njohur “happy birthday to you”, e ajo më e rrezikshmja që është, është se me këtë përngjasohen me jobesimtarët dhe kjo duhej të na mjaftonte.

Nuk lejohet që muslimani të veçojë ditën e lindjes së tij me agjërim, duke u bazuar në hadithin ku Muhamedi, alejhi-selam, thotë: “Është dita në të cilën kam lindur…”, sepse ai ka agjëruar si falënderim ndaj Allahu për tri dhunti që janë bashkuar në atë ditë: lindja, dita në të cilën i ka ardhur shpallja dhe zbritja e Kuranit, e jo vetëm dita e lindjes.

Këtë nuk ia ka legjitimuar i Dërguari i Allahut asnjërit prej shokëve ose të tjerëve që të agjërojnë ditëlindjen e tyre, e kjo na tregon për jolegjitimitetin e një vepre të tillë, dhe sikur këtë ta bënin shokët e të dërguarit në ditën e lindjes së tyre, do të kishte argument që të festohet ditëlindja. Në hadithin e lartpërmendur, i Dërguari i Allahu pyetet për agjërimin e ditës së hënë, dhe jo për agjërimin e ditës së lindjes së tij. Pra, është një dallim i madh nëse e analizojmë këtë mes dy shkaqeve. Muhamedi, alejhi-selam, ka veçuar ditën e hëne me agjërim, e jo ditën e 12 të muajit Rebiul-evel, pra s’kemi qoftë edhe një transmetim se i dërguari ka agjëruar ditën e 12 të Rebiul-evel.

Le të mos i shtrembërojmë argumentet e fesë gjatë argumentimit për të kënaqur masën ose për të argumentuar një vepër që s’ka bazë në fenë tonë të pastër, vetëm e vetëm të dukemi më perëndimorë, ose më liberal në fe, e të tjerët më ekstremistë. Jemi të thirrur të pasojmë argumentin edhe nëse është kundër nesh, e jo të pasojmë njerëzit vetëm pse është më lehtë për ne.

Dita e lindjes tregon moshë, jo festë.

Allahu na bëftë nga ata që pasojnë Muhamedi, alejhi-selam, në fjalë dhe vepra.

 

Hoxhë Valdet Kamberi


Revista Shembulli

01:21:06am