Tre shokët

Një njeri i kishte tre shokë. Një ditë, papritmas i erdhi lajmi se duhet të nisej në një rrugë të vështirë. Njeriu u brengos shumë, prandaj iu drejtua njërit prej shokëve të tij që ta ndihmonte dhe ta shoqëronte në këtë rrugë. Por, shoku ia ktheu se nuk ka mundësi ta ndihmonte, sepse ai e ka jetën dhe obligimet e veta.

Njeriu vazhdoi dhe iu drejtua shokut të dytë, të cilin e çmonte më pak se të parin. Edhe ky i tha se nuk mund t’i ndihmonte shumë dhe se nuk  dëshironte të nisej për atë rrugë. Pasi që e pa se nuk e ndihmuan dy shokët e parë, njeriu iu drejtua me të njëjtën kërkesë edhe shokut të tij të tretë. Shoku i tretë iu përgjigj: “Unë gjithmonë kam qenë me ty, asnjëherë nuk të kam braktisur, kështu që edhe në këtë rrugë do të nisem me ty”.

Atëherë, njeriu tha: “Unë, nga të gjithë shokët, më së paku kam menduar për ty, më së paku ty të kam kushtuar kohë e tash këta dy shokët më braktisën e mbeta vetëm me ty! Ah, sikur ta dija më herët se je shok kaq i mirë do të brengosesha më tepër për ty!”

Në të vërtetë, këtij njeriu i kishte ardhur vdekja dhe kjo ishte rruga e gjatë dhe e mundimshme në të cilën duhet të shkonte. Shoku i tij i parë është familja e tij, i dyti është pasuria e tij, ndërsa i treti janë veprat(punët) e tij...

Përktheu: Arsim SYLA


Revista Shembulli

01:17:55am