Toka , Melekët dhe Gjymtyrët

Dola nga shtëpia për në namazin e sabahut, vallahi në rrugë ndihej harami, gjynahu, mëkatet, etj.  Për dy minuta udhëtim sa i bëj në këmbe deri te xhamia shumë çka kujtova dhe besa u tmerrova.
Kujtova një hutbe që kam mbajtur para shumë viteve me temën: “Tre dëshmitarët okularë”.

Allah! Allah!

O njerëz! Kujtoni ditën e gjykimit kur do të dilni para Allahut për llogari do të dëshmojnë TOKA , MELEKËT dhe GJYMTYRËT.

O njeri! Ku je duke shkuar, kujdes! Ti ke dëshmitarë që dëshmojnë për ty në çdo vend, në çdo kohë dhe kudo që të shkosh. Mos harro se edhe për veprat dhe sjelljet e tua do të ofrohen prova, prandaj ki kujdes!

Dëshmitari i parë: Toka

Kjo tokë, nëpër të cilën po ecim, po ushqehemi, po pushojmë, do të jetë dëshmitare para Allahut të Lartësuar për mëkatet tona. Po kjo tokë një ditë do të ofrojë prova dhe do të dëshmojë për çdonjërin, do të flasë për çdo mëkat që është bërë në të. Do të vijë një ditë kur ajo do të shpalosë, do të zbulojë, do të publikojë dhe do të nxjerrë fshehtësitë dhe sekretet tuaja.

A thua, i riu i cili bredh me makinë rrugëve të qytetit për të shfryrë epshet shtazarake duke shikuar femrat, a e kujton dëshminë e tokës dhe publikimin e mëkatit të tij?

A thua, ai i cili rrugëton prej një vendi në një vend tjetër për t’i bërë mëkat Allahut të Lartësuar dhe për të bërë imoralitet, a e kujton ditën kur toka do t’i nxjerrë dhe zbulojë mëkatet, haramet e tij?

I nderuar! A po të kujtohet mëkati, kur e bëre në vendin e caktuar? Askush prej njerëzve nuk të ka parë. Por, toka (vendi) ku e bërë do të dëshmojë kundër teje. Padyshim që ti këtë e injorove, por toka e shënoi!

A thua, vajza e cila shëtit nëpër rrugë e rrugica, kafebare, pishina e plazhe shfaq bukurinë e trupit para njerëzve, a mendon se me kaq do të përfundojë?

Jo, vendi në të cilën ka ndenjur do ta publikojë mëkatin e saj!

Dëshmitari i dytë: Melekët

Po, vëlla dhe motër, melekët shënojnë dhe regjistrojnë veprat tuaja të mira dhe të këqija. A të kujtohet nata kur ti ishe pranë ekranit televiziv dhe shikoje kanalet që transmetonin femra të zhveshura, seriale epsharake, filma degjenerues? Ndoshta të kujtohet si veproje. Me siguri se ti ishe vetëm, pa askënd tjetër. Po ta dije se melekët kanë regjistruar çdo gjë, çdo veprim tëndin, nuk do të kishe vepruar ashtu, nuk do të kaloje nga një kanal në tjetrin.

Është e mundur që serialet, pjesët muzikore, filmat, lojërat, bisedat me telefon, qëndrimi i gjatë në internet, të gjitha këto e humbin besimtarin dhe besimtarin dhe e largojnë prej namazit. Por mos harro se melekët dëgjojnë dhe shënojnë veprimet tuaja dhe në Ditën e Gjykimit ato do t’i lexoni: “A mendojnë se Ne nuk dëgjojmë ndjenjën e fshehtë të tyre dhe bisedën midis tyre? Po, e dëgjojmë dhe të dërguarit tanë (melekët përcjellës) që janë pranë tyre, shkruajnë.” (Zuhruf, 80)

I nderuar dhe e nderuar!

Si do ta ndiesh veten kur shënimet e tua do të dëshmojnë për netët e kaluara para serialeve, filmave, këngëve, programeve zbavitëse, degjeneruese, të shfrenuara?
Si do ta ndiesh veten kur do t’i shohësh mëkate e shënuara?
Ah, sikur vetëm ti kishe parë e mos t’i lexoje?
Ç’do të lexosh dhe ç’do të gjesh?

Dëshmitari i tretë: Gjymtyrët

Të nderuar besimtarë!

Dëshmitari i tretë do të jenë gjymtyrët e trupit, si: duart, këmbët, gjuha, sytë, veshët po edhe e tërë lëkura. Të gjitha këto o njeri do të dëshmojnë për ty në Ditën e Gjykimit. Do t’i zbulojnë mëkatet, krimet dhe haramet e tua dhe do t’i bëjnë publike. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot Ne ua mbyllim gojët atyre.” (Jasin, 65)
E më pas ç’do të ndodhë: “Neve na flasin duart e tyre,” (Jasin, 65)
Vallë a do të mbesë me kaq, jo: “Kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan.” (Jasin, 65)
Ah, ditë e rëndë dhe e vështirë do të jetë!!
Duart do të flasin e do të thonë: “O Zot, këto duar kanë blerë revistat e ndyra, cd-të me muzikë. Po këto duar kanë ndërruar kanalet satelitore. Këto duar kanë prekur trupin e femrës së huaj. Këto duar kanë përgatitur duhanin, drogën, alkoolin...”
Këmbët po të njëjtën gjë do të thonë: “Edhe ne kemi ecur për në haram, nuk jemi ngritur për ta falur namazin, kemi kërcyer në klubet e natës, kemi ecur nëpër plazhe..”.
Por edhe më shqetësuese do të jetë kur të flasë lëkura, e ata do të thonë lëkurave të veta: “Përse dëshmuat kundër nesh?” (Fussilet, 21)
Përgjigja do të jetë: “Allahu, që çdo sendi ia ka dhënë të folurit, na dha edhe neve.” (Fussilet, 21)

Të nderuar besimtarë!

Kështu do të përfundojë procedura e dëshmive. Për ty apo kundër teje do të publikohen prova, fakte, argumente. Këtë do ta bëjë toka, melekët, gjymtyrët.
Besimtarë, mendoni për Ditën e Llogarisë, ditën kur do të takoheni me veprat tuaja. Në ditën kur çdo gjë do të jetë shqetësuese, në ditën kur do të publikohen mëkatet.

O Allah mos na dëno dhe mos na shkatërro për shkak të gjynaheve që po bëhen.
O Allah udhëzoje dhe drejtoje këtë popull në rrugë të mbarë.

 

Përgatiti: Ulvi Fejzullahu


Revista Shembulli

10:06:09am