Jepja besën Allahut se do ta falësh rregullisht namazin

Ajet kuranor

Allahu i Madhërishëm thotë:

﴿قَدْ أَفْلَحَ مَنْ تَزَكَّى١٤ وَذَكَرَ اسْمَ رَبِّهِ فَصَلَّى١٥ بَلْ تُؤْثِرُونَ الْحَيَاةَ الدُّنْيَا١٦ وَالْآخِرَةُ خَيْرٌ وَأَبْقَى١٧﴾

"I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz! Por ju, përkundrazi, më shumë po e parapëlqeni jetën e kësaj bote, ndonëse jeta tjetër është më e mirë dhe e amshuar." (Kurani, 87:14-17)

Thënie profetike

I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ, ka thënë:

"Allahu i Madhërishëm ka thënë: "Unë ia kam bërë detyrë umetit tënd pesë namaze dhe kam dhënë besën se, kushdo që i ruan ato, duke i falur në kohën e tyre, do ta fus në Xhenet, kurse për atë që nuk i ruan ato, nuk kam dhënë besë."

[E shënojnë Ebu Davudi dhe Ibn Maxhe.]

Urtësi

Ibn Ashuri thoshte: "Allahu (në ajetin e mësipërm) ka përmendur pastrimin para përmendjes së Zotit dhe namazit, për shkak se ai është thelbi i këtyre veprave. Kjo, se, kur pastrohet shpirti, në të ndriçon nuri i udhëzimit, rrjedhimisht e kupton vlerën dhe dobitë e këtyre veprave (dhikrit dhe namazit), andaj i shton ato."

Nesër do të filloj të falem (!)

E kush të siguron ty se do ta arrish ditën e nesërme? Mos harro asnjëherë, vdekja vjen papritmas! Të shumtën e herëve lënia e një mirësie për nesër është kurth i shejtanit që të mos fillosh sot mbarësinë.

Këshillë

Allahu ka dhënë besën se do ta fusë në Xhenet atë që i fal pesë namazet e detyrueshme ditore, andaj jepja edhe ti besën Allahut se do të kujdesesh për namazin, në mënyrë që Allahu të të bëjë banor të Xhenetit, sepse Ai nuk e thyen premtimin!


Përgatiti: Hoxhë Jusuf Kastrati


Revista Shembulli

04:14:07pm