Përmende Allahun dhe ha me të djathtën

Nga Omer ibën Ebi Seleme - radijallahu anhu – përcillet të ketë thënë: “Isha i vogël, nën përkujdesjen e të Dërguarit të Allahut - sal-lallahu alejhi ve sel-lem – dhe dora ime endej në enë (gjatë ngrënies). I Dërguari i Allahut - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - më tha: "O vogëlush, përmende Allahun (thuaj bismil-lah), ha me të djathtën dhe ha para vetes sate!" Pas kësaj, vazhdimisht kam vepruar kështu gjatë ngrënies."

Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi. Ky është termi i Buhariut

Domethënia e Hadithit

Pejgamberi - sal-lallahu alejhi ve sel-lem – u martua me Ummu Selemen pasi asaj i vdiq burri, Ebu Seleme. Omeri i biri i Ebu Selemes jetonte me nënën e tij në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Një ditë prej ditësh djaloshi u ul për të ngrënë ushqim me Pejgamberin - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - kurse dora e tij nuk qëndronte në një vend të ushqimit, kështu që Pejgamberi - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - ia mësoi atij disa rregulla të ushqimit, e ato janë:

1- Që në fillim të të ngrënit të thotë: Bismil-lah.

2- Të hajë me dorën e djathtë.

3- Të hajë nga ajo që e ka afër vetes, e të mos e zgjasë dorën në ushqimin që është afër të tjerëve.

Omeri vepronte sipas urdhrit të Pejgamberit - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - dhe kjo gjë u bë zakon në mënyrën e tij të të ushqyerit.

Dobitë e hadithit

1- Besmeleja (thënia bismil-lah) në fillim të të ngrënit.

2- Ngrënia me dorën e djathtë.

3- Të hajë njeriu nga ushqimi që e ka afër e të mos e zgjasë dorën në ushqimin që është afër të tjerëve.

4. Po qe se ka lloje të ndryshme të ushqimit, atëherë lejohet të hahet nga ushqimi i cili nuk është afër./Shembulli/

 

Përktheu: Jusuf Kastrati
Marrë nga libri “Hadithi II”, Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe, Universiteti “Imam” - Riad


Revista Shembulli