Roli i shqiptarëve në çlirimin e Kostandinopojës!

Sulltani Muhamed El-Fatih mblodhi këshilltarët e tij, komandantët e lartë dhe dijetarët që ishin ne mesin e ushtrisë muslimane dhe kërkoi prej të pranishmeve që t’i shprehin mendimet e tyre hapur dhe pa hezitim.

Disa prej të pranishmëve sugjeruan që të tërhiqet ushtria, prej tyre ishte ministri Halil Pasha i cili propozoi tërheqje të ushtrisë, për të mos derdhur gjak dhe paralajmëroi hidhërimin e Evropës së krishtere nëse e marrin muslimanët qytetin dhe çështje tjera. Mirëpo, ai u akuzua për marrëveshje me bizantinët dhe përpjekje që të hiqet dorë nga çlirimi i qytetit. Por, disa personalitete u ngritën duke përkrahur Sulltanin që të vazhdojë sulmin ndaj qytetit derisa të çlirohet dhe të mos merret parasysh Evropa. Ata sugjeruan po ashtu që të entuziazmoheshin ushtarët për çlirimin dhe se kthimi prapa do të kishte pasoja, prej tyre thyerja e ndjenjave të tyre luftarake në rrugën e Allahut. Në mesin e tyre ishte një prej komandantëve të guximshëm me emrin ‘’ZOGNUSH PASHA‘’ i cili ishte shqiptar. Në fillim ai kishte qenë i krishterë, porse më pas kishte pranuar Islamin.

Në librat e historisë përmendet qëndrimi i Zognush Pashës, ku thuhet: Ende pa e mbaruar Sulltan El-Fatihu pyetjen për mendimin e tij, Zognushi ndryshoi pozitën në të cilën qe ulur, ngriti zërin me një turqishte të përzier me theks të shqipes: “Assesi, nuk pajtohem me atë që tha Halil Pasha! Ne nuk kemi ardhur këtu përveçse për të vdekur në rrugën e Allahut e jo të kthehemi.” Kjo gjë shkaktoi gjurmë të thella në fytyrat e të pranishmëve dhe për pak çaste mbretëroi një qetësi. Pastaj, vazhdoi fjalët e tij duke thënë: “Me atë qe tha Halil Pasha dëshiron ta zbehë entuziazmin dhe përkushtimin tuaj, mirëpo përpjekjet e tij rezultuan me dështim dhe humbje. Me të vërtetë, ushtria e Aleksandërit të Maqedonisë, e cila u nis prej Greqisë dhe përparoi drejt Indisë dhe nënshtroi gjysmën e Azisë së madhe, nuk ishte më e madhe se ushtria jonë. Nëse ajo ushtri pati mundësi t’i pushtojë gjithë ato toka të gjera, a nuk kanë mundësi trupat tanë t’i kalojnë muret e këtij qyteti?! Halil Pasha theksoi se shtetet perëndimore do të marshojnë drejt nesh dhe do të hakmerren, mirëpo cilat janë ato shtete?! A janë ato shtetet latine, të cilat janë të armiqësuara ndërmjet veti, apo mos vallë shtetet e detit të mesëm, të cilat nuk kanë forcë përveç vjedhjes dhe piraterisë?! Në qoftë se ato shtete do të donin t’i ndihmonin Bizantit, do ta bënin atë; do të dërgonin ushtri dhe anije, por nëse Perëndimi pas çlirimit të Kostandinopojës do të na luftojë, a do të qëndrojmë ne të palëvizshëm, a nuk kemi ushtri që lufton dhe mbron nderin tonë?!

O udhëheqësi ynë, më pyete për mendimin tim, kështu që do t’i them ca fjalë, duhet që zemrat tona të jenë si shkëmbi, duhet ta vazhdojmë luftën pa u vërejtur tek ne plogështi dhe molisje. Kemi filluar një çështje andaj duhet ta përfundojmë. Duhet t’i shtojmë sulmet në mënyrë që të hapim vrima tek armiku, t’i shkatërrojmë ata me guxim. Nuk di ndonjë zgjidhje tjetër pos kësaj dhe nuk kam mundësi te them diç tjetër pos kësaj….”

Në fytyrën e Sulltanit dukeshin shenjat e gëzimit pas fjalimit të Zognush Pashës. Pas kësaj ai iu drejtua komandantit Turhan duke e pyetur për mendimin e tij, i cili u përgjigj me shpejtësi: “Me të vërtetë, Zognush Pasha ka të drejtë dhe unë e mbështes mendimin e tij.” Pastaj, pyeti dijetarët Ak Shemsud-Dinin dhe Kuranijun për mendimin e tyre, ngaqë Sulltani kishte besim në ta dhe i pranonte mendimet e tyre. Që të dy dijetarët thanë se e mbështesin mendimin e Zognush Pashës duke thënë: “Duhet të vazhdohet lufta, me durim do të arrijmë tek fitorja.”

Entuziazmi u shfaq tek të pranishmit, Sulltani u gëzua dhe përgëzoi me lutjet e dy dijetarëve për fitore, pastaj nuk mundi të përmbahej pa thënë: “Cili nga paraardhësit e mi ka pasur një ushtri sikurse timen sot?!”

Dijetarët mbështetën mendimin për vazhdimin e xhihadit/luftës në rrugën e Allahut. Kjo gjë e gëzoi Sulltanin, kështu që ai u shpreh i mendimit se sulmet duhet të vazhdonin derisa të çlirohet Kostandinopoja. Pas kësaj, mbledhja përfundoi me sugjerimet e fundit të Sulltanit që sulmi i përgjithshëm dhe hyrja në qytet po afrohej dhe se kjo gjë është e pashmangshme dhe se urdhri do të vinte në kohë të përshtatshme dhe ushtarët muslimanë duhej të përgatiteshin për këtë gjë.


Përktheu: Fitim Hasani.
Marrë nga libri : “Perandoria Osmane, elementet e ngritjes dhe shkaqet e rënies.”

 


Revista Shembulli

10:46:53am