Fshehtësitë dhe rregullat e agjërimit

Agjërimi ndahet në tri shkallë: agjërimi i rëndomtë, agjërimi i veçantë dhe agjërimi më se i veçantë.

Agjërimi i rëndomtë është ndalimi nga ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet seksuale.

Agjërimi i veçantë është ndalimi i shikimit, gjuhës, dorës, këmbës, dëgjimit dhe i të gjitha gjymtyrëve tjera të trupit nga mëkatet.

Ndërsa, agjërimi më se i veçantë është agjërimi i zemrës nga të gjitha pasionet e ulëta, nga mendimet që e largojnë atë nga Allahu i Lartësuar dhe largimi i tërësishëm nga çdo gjë tjetër pos Allahut të Madhërishëm.

Në rregullat e agjërimit të veçantë bëjnë pjesë: ulja e shikimit, ruajtja e gjuhës nga çdo fjalë e ndaluar, e papëlqyer apo e padobishme dhe, njëkohësisht, ruajtja e të gjitha gjymtyrëve trupore.

Në një hadith të transmetuar nga Buhariu thuhet se i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nëse një njeri nuk i lë fjalët e këqija dhe të vepruarit me to, atëherë Allahu nuk ka nevojë që ai njeri të ndalohet nga ushqimi dhe pirja.”

Gjithashtu, prej rregullave të agjërimit të veçantë mund të cekim: që agjëruesi të mos hajë tepër gjatë natës, por të hajë me masë, sepse gjëja më e keqe, të cilën e mbush biri i Ademit është stomaku i tij. Ai njeri që ngopet në fillim të natës, nuk do të mund ta shfrytëzojë pjesën tjetër të natës, dhe ai njeri që ngopet (plotësisht) në syfyr nuk do të mund ta shfrytëzojë ditën gjer në drekë, ngase ngrënia e tepërt shkakton dembeli. Madje, në këtë mënyrë humbet edhe qëllimi i agjërimit, sepse qëllimi i tij është shijimi i urisë dhe lënia e epsheve.

 

Përktheu: Jusuf Kastrati - Shembulli.com

Shkëputur nga libri: “Mukhtesar minhaxhi’l-kasidin” të autorit Ahmed ibën Abdurrahman ibën Kudame el-Makdesi


Revista Shembulli

04:03:38pm