Ibrahim ibën Ed’hemi dhe njeriu gjynahqar

Transmetohet se një njeri erdhi tek Ibrahim ibën Ed’hemi dhe i tha atij: “O babai i Is’hakut! Unë i bëj zullum vetes sime (duke bërë mëkate), andaj më trego diçka që është qortim për veten time dhe shpëtim për zemrën time!”

Ibrahimi i tha atij: “Në qoftë se i pranon pesë parime dhe i përmbahesh atyre, atëherë nuk do të të bëjë dëm asnjë mëkat dhe nuk do të ndahesh nga kënaqësitë.”

Njeriu: “M’i trego ato parime, o babai i Is’hakut!”

Ibrahimi: “E para: Nëse dëshiron t’i bësh mëkat Allahut, atëherë mos e ha furnizimin e Tij!”

Njeriu: “Po nga të ha atëherë, kur çdo gjë që gjendet në tokë është nga furnizimi i Tij?!”

Ibrahimi: “O njeri! A është në rregull të hash furnizimin e Tij dhe në anën tjetër t’i bësh mëkat?!”

Njeriu: “Jo! Ma trego të dytën!”

Ibrahimi: “Nëse dëshiron t’i bësh mëkat Allahut, atëherë mos bano në asnjë vend të Tij!”

Njeriu: “Po kjo qenka më e vështirë se e para! Ku të banoj, kur dihet që lindja, perëndimi dhe çdo gjë që ka mes tyre është e Allahut?!”

Ibrahimi: “Atëherë, a është në rregull që të hash prej furnizimit të Tij, të banosh në tokën e Tij dhe t’i bësh mëkat?!”

Njeriu: “Jo! Ma trego të tretën!”

Ibrahimi: “Nëse dëshiron t’i bësh mëkat Allahut duke qenë nën furnizimin e Tij dhe në tokën e Tij, atëherë gjeje ndonjë vend ku nuk të sheh Allahu dhe bëji mëkat në të!”

Njeriu: “O Ibrahim! Po si ta bëj këtë kur Ai i sheh të gjitha fshehtësitë?!”

Ibrahimi: “Atëherë, a është në rregull që të hash prej furnizimit të Tij, të banosh në tokën e Tij dhe t’i bësh mëkat Atij kur Ai të sheh ty dhe veprën tënde?!”

Njeriu: “Jo! Ma trego të katërtën!”

Ibrahimi: “Kur të të vijë meleku i vdekjes për të ta marrë shpirtin thuaji atij: ‘Më afatizo pak derisa të pendohem sinqerisht dhe të bëj vepra të mira për Allahun’!

Njeriu: “Ai nuk do ta pranojë këtë gjë.”

Ibrahimi: “O njeri! Nëse ti nuk mund ta shtysh vdekjen që të pendohesh dhe e di se kur të vijë vdekja nuk mund të vonohet, atëherë si shpreson që të shpëtosh?!”

Njeriu: “Ma trego të pestën!”

Ibrahimi: “Kur të të vijnë zebanitë (melekët e ndëshkimit) Ditën e Kijametit që të të dërgojnë në zjarr, mos shko me ta!”

Njeriu: “Ata nuk më lëshojnë e as që pranojnë nga unë një gjë të tillë.”

Ibrahimi: “Atëherë, si shpreson që të shpëtosh?!!”

Njeriu: “Mjaft më, o Ibrahim! Unë i kërkoj falje Allahut dhe pendohem tek Ai:”

Pas kësaj, ky njeri e shoqëroi Ibrahimin në ibadet (adhurim ndaj Allahut) derisa i ndau vdekja.


Marrë nga: “Kitab et-teuabijn (libri i të penduarve)” i Ibën Kudames.

Përktheu: Jusuf Kastrati


Revista Shembulli

02:14:19am