Floktarja e bijës së Faraonit

Nga Ibnu Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

“Natën kur u ngrita në qiell, ndjeva një aromë të këndshme! Thashë: “Ç’është kjo aromë e këndshme, o Xhibril?!”

“Është aroma e floktarës së bijës së Faraonit dhe bijve të saj.” – ma ktheu ai.

Thashë: “Ç’është puna e saj?!”

Tha: “Përderisa po krihte flokët e bijës së Faraonit, i ra krehri nga dora dhe tha: “Bismil-lah (Me emrin e Allahut).”

E bija e Faraonit e pyeti atë: “Të babait tim?!”

Ajo iu përgjigj: “Jo, por të Zotit tim, Zotit tënd dhe Zotit të babait tënd, Allahut.”

Tha: “A ke Zot tjetër përveç babait tim?!”

Ajo ia ktheu: “Po!”

Tha: “T’i tregoj atij për këtë?”

Tha: “Tregoji!”

Kur ajo e lajmëroi Faraonin, ai e thirri menjëherë atë dhe i tha: “Oj filane, mos vallë ke ndonjë Zot tjetër veç meje?”

Ajo iu përgjigj, duke i thënë: “Po! Zoti im dhe Zoti yt është Allahu.”

Atëherë, ai urdhëroi që të sillej një enë e gjerë bakri dhe të vlohej. Pastaj u morën bijtë e saj dhe u hodhën në të, një nga një.

“Kam një kërkesë nga ti!” – tha ajo.

“Ç’kërkesë?” – ia ktheu Faraoni.

“Dëshiroj të mi bashkoni eshtrat e mia me eshtrat e birit tim në një rrobë të vetme dhe të na varrosni së bashku.” – iu përgjigj ajo.

“Do ta bëjmë atë.” – i tha Faraoni.

Bijtë e saj vazhduan të hidheshin në enën e gjerë, derisa në fund i erdhi radha fëmijës së saj, i cili ende ishte foshnjë gjiri. Ajo, sikur filloi të lëkundej për shkak të tij. Por, fëmija i tha: “Oj nëna ime! Hidhu, se dënimi i dunjasë është më i lehtë sesa dënimi i ahiretit.”[1]

 

Dobitë e Hadithit

1.      Durimi dhe qëndrueshmëria gjatë kohëve të sprovave.

2.      Shpërblimi është sipas llojit të veprave.

3.      Shpërblimi i madh i takon atij që është i qëndrueshëm në fenë e tij dhe nuk i trembet qortimit të asnjë qortuesi. ?Vërtet, ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.?.

4.      Lejohet që muslimani të kërkojë ndonjë çështje në të cilën ka dobi edhe nga tagutët, siç ka kërkuar kjo grua që ta varrosë hirin e saj me hirin e bijve të saj.

5.      Allahu iu gjen rrugëdalje miqve të tij gjatë vuajtjeve dhe vështirësive.

6.      Vërtetimi i kerameteve të miqve të devotshëm të Allahut.

7.      Disa nga kerametet janë të jashtëzakonshme.

 

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Marrë nga libri: "60 kissah rauaha En-Nebijju s.a.v.s. ue as'habuhu" - Muhammed ibn Hamid



[1] Hadithin e transmetojnë Ahmedi (3/309), Taberaniu në El-kebir (12279), (12280), dhe Ibnu Hibbani (2892), (2893).

 

 

 


Revista Shembulli

04:01:32pm