Momentalisht kushtet klimatike ua mundësojnë banorëve dhe vizitorëve të Katarit që të qëndrojnë nëpër rrugët e kryeqytetit të tij, megjithatë, pas dy javëve, do të jetë e pamundur për ta që të qëndrojnë jashtë, andaj edhe shumica e tyre do të kërkojnë strehë brenda shtëpive të tyre. Tani, njerëzit dalin për të shijuar pasditen në qytetin i cili ka ndryshuar shumë përgjatë viteve të fundit. Në vendin ku më herët kishte vetëm rërë, tani janë ngritur ndërtesa të shumta, që lënë përshtypjen sikur je duke shikuar një mal të çeliktë. 'Jemi bërë urbanë,' thotë Dr Kaltham Al Ghanim, profesor i sociologjisë në Universitetin e Katarit. 'Jeta jonë ekonomike dhe shoqërore ka ndryshuar, ashtu siç kanë ndryshuar edhe familjet'. Për më pak se një shekull, Katari ka arritur të shndërrohet nga njëri prej vendeve më të varfra në botë në njërin ndër shtetet më të pasura, ku të ardhurat për kokë banori janë 72.000 euro. Ajo që është më pak besueshme është fakti që edhe shoqëria në Katar ka ndryshuar shumë shpejtë.
40 për qind e martesave përfundojnë me divorc
Kryeqyteti i Katarit, Doha, është njëri prej qyteteve ku janë duke u bërë më së shumti ndërtime në Katar, ku janë duke u krijuar ndërtesa të reja apo janë duke u shkatërruar ndërtesat e vjetra për t'ua liruar vendin të rejave. Trafiku është bërë shumë i dendur, duke bërë kështu që popullsia në Katar ta humbin durimin e tyre. Mediet lokale raportojnë që 40 për qind e martesave në Katar përfundojnë me divorc, ndërsa dy të tretat e të rinjve dhe fëmijëve në Katar janë me mbipeshë. Megjithatë, e gjithë kjo begati në Katar ka shkaktuar shumë probleme. 'Studentët, të cilët diplomojnë nga universitetet në Katar, ballafaqohen me më shumë se 20 oferta për punë dhe janë nën presion të zgjedhjes së punës së duhur', ka thënë një akademik i cili punon në Universitetin Amerikan në Katar. Studentët dhe banorët e huaj ankohen pasi që mendojnë që janë të diskriminuar, pasi që banorët vendas janë të privilegjuar me punët më fitimprurëse që ekzistojnë në Katar. Nga kjo mund të kuptohet që zhvillimi i shpejtë ka ndikuar në humbjen e një gjëje tjetër shumë të rëndësishme.
Siguron jetesën përmes qumështit të deveve
Familjet në Katar kanë ndryshuar shumë, pasi që shumica e fëmijëve në Katar tani rriten nga ana e dadove, të cilat sillen nga Filipinet, Nepali apo Indonezia, duke kontribuar kështu në rritjen e dallimeve në mes të gjeneratave. Umm Khalaf, një grua e cila ka mbushur 60 vjet, përshkruan bukurinë e jetës kur ajo ishte e re. 'Kemi qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin në atë kohë dhe është më të vërtetë e dhimbshme kur shoh që ka humbur intimiteti familjar'. Jashtë kryeqytetit të Katarit, në vendin e quajtur Umm Al Afai, i cili më tepër njihet si vendi i Gjarpërinjve, fermeri Ali al-Jehani e siguron jetesën përmes qumështit të deveve. 'Më herët, vetëm njerëzit të cilët kanë punuar kanë pasur mundësi të pasurohen, mirëpo tani është ndryshe. Qeveria po mundohet të ndihmojë, mirëpo gjërat janë duke lëvizur shumë shpejtë'.
Padrejtësi e madhe, sa u përket aspekteve racore
Politikanët janë të shqetësuar shumë për organizimin e mirëfilltë të Kampionatit Botëror, i cili do të zhvillohet në vitin 2022 në Katar, dhe janë nën presion të madh të mediave, të cilat po presin me padurim nëse Katari do t'ia dalë që të rregullojë infrastrukturën për t'i përmbushur nevojat e Kupës së Botës. Mariam Dahrouj, e cila ka diplomuar në gazetari, teksa rregullon shaminë e saj thotë: 'Njerëzit në Katar janë të frikësuar, e gjithë bota dëshiron të na shoh neve dhe dëshirojnë të sjellin ndryshime në shtetin tonë. Si mund t'i shprehim ne vlerat tona?' Shoqëria e Katarit karakterizohet me një padrejtësi të madhe sa u përket aspekteve racore. Pastërtia është një tjetër fiksim i popullsisë së Katarit.
'Mua më dhimbset Katari', thotë një antropolog amerikan, i cili ka kaluar vite të tëra në Doha. 'Ata kanë humbur pothuajse gjithçka që është e vlefshme'.