Klasifikimi i fjalëve në pjesë të ligjëratës

LËNDA MORFOLOGJI - LEKSIONI 2

Klasifikimi i fjalëve në pjesë të ligjëratës në gjuhën shqipe

Çështjet që do të trajtohen:

- Pjesët e ligjëratës

- Klasifikimi sipas kriterit leksikor

- Klasifikimi sipas kriterit morfologjik

 

Klasifikimi sipas kriterit sintaksor

Pjesët e ligjëratës

Të gjitha fjalët e një gjuhe, sipas veçorive të përbashkëta leksiko-gramatikore, grupohen nëpër kategori a klasa leksiko-gramatikore të cilat quhen pjesë të ligjëratës.

Përkatësia e një fjale në atë apo këtë pjesë të ligjëratës përcaktohet nga kuptimi leksikor kategorial dhe nga veçoritë e saj gramatikore duke përfshirë në këto të fundit përveç veçorive morfologjike edhe funksionet sintaksore.

Ato janë: emri, mbiemri, numërori, përemri, folja, ndajfolja, parafjala, lidhëza, pjesëza dhe pasthirrma.

Kufijtë që ndajnë pjesët e ndryshme të ligjëratës nuk janë te pakapërcyeshëm, shpeshherë një fjalë gjatë përdorimit të saj, merr një përmbajtje leksikore dhe veçori gramatikore të ndryshme nga ato të klasës përkatëse. Si rregull duhen pasur parasysh ndryshimet që ajo pëson në përmbajtjen leksikore kategoriale dhe veçoritë gramatikore .

Klasifikimi sipas kriterit leksikor

Në bazë të veçorive leksikore pjesët e ligjëratës ndahen në tri grupe të mëdha: Fjalë kuptimplota, fjalë jokuptimplota dhe fjalë thirrmore.

Fjalë kuptimplota janë ato fjalë që e kanë kuptimin leksikor të plotë:

1) fjale emëruese: qe emërtojnë sende (emrat), cilësi (mbiemrat), veprime dhe procese (foljet), rrethana(ndajfoljet)

2) fjalë numëruese, fjalë të cilat numërojnë (numëroret)

3) fjale treguese që tregojnë pa emëruar sende, cilësi ose sasi (përemrat)

Fjalë jokuptimplota janë ato fjalë që kanë një kuptim leksikor të kushtëzuar:

1) parafjalët dhe lidhëzat që shprehin lidhje sintaksore midis dy gjymtyrësh

2) pjesëzat që shprehin ngjyrime kuptimore

3) pasthirrmat

Ndarja në bazë të veçorive morfologjike

Pjesët e ligjëratës ndahen në pjesë të ndryshueshme dhe jo të ndryshueshme.

Pjesë të ndryshueshme janë: emri, mbiemri, përemri, folja e në njëfarë mase numërori

Pjesë të pandryshueshme janë: ndajfolja, parafjala, lidhëza, pjesëza dhe pasthirrma.

Ndarja në bazë të kriterit sintaksor

Fjalë të mëvetësishme: emri, folja, mbiemri, numërori, përemri, ndajfolja dhe pasthirrma

Fjalë të pamëvetësishme: parafjala, lidhëza, pjesëza.

Lokucionet: Me vlerën e një pjese të ligjëratës mund të përdoren edhe një grup fjalësh që kanë lidhje të qëndrueshme midis tyre dhe që si kuptimisht ashtu edhe gramatikisht janë të barasvlershme me një fjalë të vetme, por jo të njëjta me te. Grupe të tilla fjalësh quhen lokucione.

Ai fliste në tym – lokucion (kot më kot).

Mos rri këtu në tym – emër.

 

Burimi: http://www.ikub.al