Morfema dhe llojet e saj

LËNDA MORFOLOGJI - LEKSIONI 4

Morfema dhe llojet e saj në gjuhën shqipe

Çështjet që do të trajtohen:

- Llojet  e morfemave

- Ç’janë morfemat rrënjore? Po ato ndajshtesore?

 

Morfemat janë rrënjore dhe ndajshtesore

Morfema rrënjore ose rrënja përfaqëson në vetvete bërthamën leksikore të fjalës. Ajo është bartësja e kuptimit leksikor dhe themelor të fjalës. Nga pikëpamja materiale rrënja është e barabartë me temën e parme, d.m.th. me atë pjesë të fjalës që mbetet mbasi hiqen të gjitha morfemat ndajshtesore.

Morfemat rrënjore si rregull, kanë kuptim të mëvetësishëm, të pavarur nga kuptimet e morfemave ndajshtesore që mund të shoqërojnë rrënjën në përbërjen e një fjale. Në shumicën e rasteve kuptimi i rrënjës është i qartë dhe kapet lehtë. Shembull: largo-j, larg-im, larg-esë, larg-ësi.

Kemi rrënjë të lira dhe rrënjë të lidhura

Rrënjë të lira: kur mund të përdoren të pashoqëruara me ndonjë ndajshtesë fjalëformuese, d.m.th. mund të përkojnë me temën e ndonjë fjale të parme ose me vetë fjalën e parme në trajtën përfaqësuese të saj.

Rrënjë të lidhura: Nuk mund të shërbejnë si temë e një fjale të parme, d.m.th. nuk mund të përdoren të pashoqëruara me ndonjë ndajshtesë fjalëformuese.

Shembull: rrënja bath në fjalën zbath, mbath. Pastaj gri dhe kri e foljeve shkrij dhe ngrij.

Morfemat ndajshtesore shërbejnë për të formuar fjalë të reja duke i dhënë temës me të cilën bashkohen një kuptim të ri plotësues ose për të formuar trajtat e eptimit d.m.th. për të shprehur kuptime gramatikore. Ato ndahen në parashtesa, prapashtesa, mbaresa dhe nyja.
Parashtesa, quhen ato morfema fjalëformuese që në përbërjen e fjalëformës qëndrojnë përpara rrënjës (ose para një prapashtese tjetër) p.sh. për-hap, nën-drejtor mos-besim. Prapashtesa, quhen ato morfema fjalëformuese ose trajtëformuese që në përbërjen e fjalëformës qëndrojnë pas rrënjës.

Mbaresa quhen ato morfema që qëndrojnë në fund të fjalëformave të një pjese të ndryshueshme të ligjëratës dhe që duke u shkëmbyer me njëra tjetrën në një paradigmë shprehin kuptimet gramatikore të rasës, të shquarsisë e pashquarsisë tek emri, gjinisë e numrit tek mbiemri etj.

Nyjat janë morfema që qëndrojnë në ballë të disa fjalëve ose formave të fjalëve të eptueshme. Ato shkruhen ndaras nga fjala ose forma të cilës i takojnë. Nyjat janë kryesisht morfema trajtëformuese, por ato shërbejnë edhe për të formuar fjalë të reja.

Identifikimi i morfemave

Për të identifikuar morfemat, për të përcaktuar kufijtë e pjesës së kuptimshme të një fjale, duhen krahasuar fjalëformat e ndryshme të paradigmës së një fjale (për morfemat trajtëformuese) ose fjalë të ndryshme që janë kuptimisht e formalisht të bashkëlidhura (për morfemat fjalëformuese).

Si bëhet: rregulli është: ndryshim minimal në formë, ndryshim të pjesshëm në kuptim
Unë shko-j – vendoset në të gjithë paradigmën e saj. Po të mos vendoset nuk gjendet:

Ti     shko-n

Ai, ajo shko-n

Ne shko-jmë

Ju  shko-ni

Ata, ato shko-jnë

Për të identifikuar morfemat rrënjore të ndajshtesave fjalëformuese duhen krahasuar fjalë me ndryshim minimal në formë e me ndryshim të pjesshëm në kuptim.

Padrejtësisht: padrejtësi identifikohet prapashtesa sht; padrejtësi: drejtësi: identifikohet parashtesa pa; drejtësi: I drejtë identifikohet prapashtesa si

I drejtë – drejt identifikohet prapashtesa - ë.

Pra fjala padrejtësisht përbehet prej morfemave pa-drejt-ë-si dhe sht.

Ato nuk mund të ndahen në njësi më të vogla të kuptimshme.

Burimi: http://www.ikub.al