LËNDA MORFOLOGJI - LEKSIONI 5
Tema: Llojet e temave
Çështjet që do të trajtohen:
- Klasifikimi i llojit të temave
Tema e fjalës
Tema e fjalës është pjesa e fjalës që mbetet si të hiqen mbaresa dhe prapashtesa trajtëformuese kur ka të tilla det-i, shok-u
Te pjesët e pandryshueshme të ligjëratës tema përkon me vetë fjalën: mirë, keq
Tema mund të jetë e parme ose jo e parme
Temat e parme janë të pazbërthyeshme morfologjikisht dhe të pamotivueshme semantikisht. Ato përbëhen vetëm prej një morfeme, pra përputhen me rrënjën e fjalës.
Shembull: shok, lis, pëllumb
Temat jo të parme janë të zbërthyeshme morfologjikisht dhe të zbërthyeshme semantikisht. Ato paraqiten si tërësi të përbëra nga bashkime të ndryshme morfemash, rrënjësh, parashtesash dhe prapashtesash.
Shembull: qytetar - qytet, i zjarrtë – zjarr.
Për të gjetur temën, nga përbërja e fjalës duhen veçuar vetëm ndajshtesat trajtëformuese.
Tema fjalëformuese: quhet tema prej së cilës është formuar në të vërtetë ose ndihet si e formuar një temë jo e parme. Nga tema e parme e emrit besë është formuar mbiemri besnik. Për të tema besë është temë fjalëformuese prej së cilës është formuar me anë të prapashtesës – nik tema jo e parme besnik.
Analiza morfemore dhe analiza fjalëformuese.
Analiza morfemore, bëhet zbërthimi i fjalës në rrënjë, parashtesa, prapashtesa dhe mbaresa. Së pari veçohet mbaresa, pastaj përcaktohet karakteri i temës, nëse tema është jo e parme, gjendet tema fjalëformuese dhe me anë të krahasimit veçohen ndajshtesat fjalëformuese. Por kjo analizë mund të bëhet edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Shembull: paaftësi temë jo e parme, tema fjalëformuese aftësi – ndajshtesa pa, aftësi temë jo e parme, tema e parme i aftë ndajshtesa si: i aftë temë e parme, rrënja e fjalës.
Analiza fjalëformuese ka detyrë të zbulojë mënyrën e bashkimit të morfemave që përbëjnë një fjalë me temë jo të parme, që të sqarojë sistemin e lidhjeve dhe të marrëdhënieve që kanë ato midis tyre.
Në analizën e fjalës nga pikëpamja e formimit të saj në radhë të parë përcaktohet tema ose temat fjalëformuese.
Shembull: pakënaqësi ka si temë fjalëformuese kënaqësi dhe është formuar me anë të parashtesës pa, pra me parashtesim.
Pagjumësi – ka si temë fjalëformuese gjumë dhe është formuar me prapashtesën si, pra me prapashtesim të një togu parafjalor pagjumë
Pafundësi – ka si temë fjalëformuese mbiemrin i pafund dhe është formuar me prapashtesim (ë) si
Pra këtu kishim tri fjalë të ngjashme nga ndërtimi, por të ndryshme nga formimi.
Burimi: http://www.ikub.al