Struktura morfologjike e fjalës

LËNDA MORFOLOGJI - LEKSIONI 3

Struktura morfologjike e fjalës

Çështjet që do të trajtohen:

- Fjala si njësia themelore e gjuhës

- Ndryshimi i fjalës nga morfema

- Kushtet për të qenë alomorfe

Fjala është njësia themelore e gjuhës. Ajo ekziston në gjuhë përgjithësisht si një sistem fjalëformash.

Fjalëformë quhet forma konkrete e një fjale në një fjali të dhënë. Ato dallohen nga njëra-tjetra nga kuptimet e ndryshme gramatikore dhe nga mjetet shprehëse të këtyre kuptimeve. Në sistem të fjalëformave njëra caktohet si fjalë përfaqësuese (formë përfaqësuese).

Tek emrat: rasa emërore, trajta e pashquar, numri njëjës

Tek foljet: veta e parë, numri njëjës, koha e tashme, mënyra dëftore.

Shumica e fjalëformave zbërthehen në njësi më të vogla që quhen morfema. Morfema është njësia më e vogël e kuptimshme që mund të dallohet në përbërjen e fjalës. Ajo nuk mund të zbërthehet më tej.

Morfema mund të përbëhet nga disa fonema ose nga një fonemë e vetme, por ndryshimi i tyre nuk është sasior është cilësor.

Ndryshimi i fjalës nga morfema

Fjala është njësi leksikore gramatikore, d.m.th. ka kuptim leksikor dhe formë gramatikore dhe në një fjali të dhënë kryen një funksion të caktuar.

1)Fjala është njësi e mëvetësishme e gjuhës, kurse morfema nuk është.

2)Fjala mund të ndahet në morfema kurse morfema nuk ndahet.

3)Fjala është e formësuar morfologjikisht dhe kryen funksione sintaksore, kurse morfema jo.

Por ka edhe fjalë të përbëra nga një morfemë: lart, ha, tre, etj.

Shfaqja konkrete e një morfeme të dhënë në një fjalëformë quhet morf.

Një morfemë mund të mos paraqitet përherë në të njëjtën formë fonetike. P.sh. gjatë zgjedhimit  morfema rrënjore e foljes djeg del: djeg, digj, dogj. Këto nuk janë tri morfema të ndryshme, por janë tri morfe të së njëjtës morfemë.

Format e ndryshme të së njëjtës morfemë quhen alomorfe.

Kushtet për të qenë alomorfe

1) Të kenë të njëjtin kuptim.

2) Nuk mund të përdoren në vend të njëri-tjetrit tek e njëjta fjalëformë.

3) Ndryshimet tingëllore ndërmjet tyre të jenë të kushtëzuara morfologjikisht ose fonetikisht.

Shembuj alomorfesh:

1) mbaresa i dhe u të gjinores

2) a dhe va, e dhe ve të së kryerës së thjeshtë

3) sh, zh dhe ç përdorimi i të cilave është i kushtëzuar nga përdorimi i tingullit ndjekës

4) asazi në fjalët barkas dhe barkazi.

Burimi: http://www.ikub.al