Ndër fjalët që më së shumti përdoren në të folurit e përditshëm të njerëzve është pasthirrma që shpreh falënderim a mirënjohje. Edhe përdorimi i kësaj fjale në të shkruar, le të mos flasim për kur shqiptohet, është shpeshherë i gabuar, dhe se trajtat e gabuara të kësaj fjale janë të shumta. Dëgjohet e lexojmë: “falënderit”, “faleminder” etj., gjersa komunikimi përmes programeve kompjuterike a ueb faqeve të shumta në internet “diktojnë” që të përdoret varianti i shkurtuar – “flm”.
Paralelja që tërheqim menjëherë këtu është se duhet të dallojmë kur kemi të bëjmë me pasthirrmë e kur me emër dhe/ose folje, kuptohet që tema është për pasthirrmën që shpreh falënderim. Të nisim së pari me shtjellimin kur vjen si emër dhe si folje, që më pastaj për të vazhduar me analizimin e po këtij nocioni, trajta e mbështjellësit të të cilit vjen si pasthirrmë.
Fillimisht, nëse e analizojmë etimologjikisht, del se kjo fjalë përbëhet prej dy fjalësh: falje dhe nderim. Të nënvizojmë se folja për fjalën “falje” është në diatezën joveprore, përkatësisht në vetvetore. Kështu, kur ndonjëri i shpreh dikujt falënderim a mirënjohje, ai e falënderon atë. Së këtejmi, emri vjen po ia hoqëm kësaj trajte mbaresën “–o(j, n, n, jmë, ni, jnë)” dhe ia vëmë mbaresën “-im”, ndërsa pjesa tjetër e fjalës nuk ndryshon fare – falënderim. Këtë e thamë për të hedhur poshtë trajtën e shumëpërdorur “faleminderim, po bëj/shkruaj një faleminderim”.
Segmenti i dytë që e analizojmë është rasti kur vjen si pasthirrmë, siç edhe cekëm më sipër. Pra, si pasthirrmë ajo merr një trajtë tjetër. Pikësëpari nuk është “falënder...” kur është si pasthirrmë, sikurqë nuk është “faleminderim” kur është si emër. Pra, secila trajtë është e gabuar në kategorinë jopërkatëse. Asgjëmangut, fjalori i gjuhës së sotme shqipe parashkruan që pasthirrmës që shpreh falënderim i thuhet “faleminderit”. Më lart thamë se kjo fjalë përbëhet prej dy fjalësh: falje, ku trajta si folje për këtë është në diatezën joveprore, përkatësisht vetvetore, dhe nderim. Në bazë të kësaj premise, gjykimi logjik-morfologjik është se faleminderit thuhet në situatën kur ana që shpreh falënderimin është në shumës, pra, ne. Ndërkaq, kjo sipas fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe, kur ana që shpreh falënderimin është në njëjës, parashkruhet trajta “falemnderit”, trajtë kjo që s’gjendet te fjalori i gjuhës së sotme shqipe, çuditërisht për një të interesuar të rëndomtë që ndërmerr iniciativë për ta analizuar këtë çështje.
Çështja përmbyllëse për këtë temë është (mos)përdorimi i trajtave të shkurtra të përemrave vetorë në bashkëngjitje me pasthirrmën në fjalë. Kështu, si sintagmë e vetme e shkruar në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, rrjedhimisht edhe e parashkruar, është ajo që pasthirrma përkatëse, varësisht nga numri i folësve, shkon me trajtën e shkurtër të përemrit “ju” të rasës kallëzore, që gjithashtu bën “ju”, pra – “ju faleminderit”. Arsyetimi logjik është se trajta “ju faleminderit” është e (para)shkruar me vetë faktin se kur i drejtohemi një grupi njerëzish, në rastin kur të gjithëve duam t’u shprehim falënderim, atë e mbitheksojmë me ta shtuar trajtën e shkurtër “ju”. E rasti kur i drejtohemi vetëm një qenieje, atëherë nuk bashkëngjisim trajtën e shkurtër “të”, meqenëse edhe shprehësi i falënderimit, edhe ai që pranon atë e dinë se vetëm një qenieje a personi i kushtohet falënderimi në fjalë dhe se për këtë nuk nevojitet asfarë trajte tjetër plotësuese që do të ndërmjetësonte.
Të rikujtojmë edhe një herë se duhet të kemi parasysh numrin e anës shprehëse të falënderimit dhe anën që pranon falënderimin.
Vini re!
Një shprehës falënderimi me një pranues falënderimi: “Falemnderit!”
Një shprehës falënderimi me shumë pranues falënderimi: “Ju falemnderit!”
Shumë shprehës falënderimi me një pranues falënderimi: “Faleminderit!”
Shumë shprehës falënderimi me shumë pranues falënderimi: “Ju faleminderit!”
Arsim Jonuzi, 13.12.2012
Autori është absolvent i filologjisë