I Vetmi (El-Uahid)

I Vetmi është Allahu, i Cili është i Pashoq. Ai është i Vetëm në cilësitë e Tij, kështu që asgjë nuk i ngjan Atij. Ai, po ashtu është i Vetëm në veprat e Tij, kështu që askush nuk mund t’i ndërhyjë në sundim.

Të gjitha krijesat e mrekullueshme që ekzistojnë në gjithësi dëshmojnë se pas këtij krijimi madhështor qëndron një Krijues i Vetëm, i Gjithëfuqishëm, i Cili drejton çdo gjë.

Muslimani duhet t’ia kushtojë tërë adhurimin vetëm Allahut të Lartësuar. Nuk ka Zot që meriton të adhurohet përveç Tij. Vetëm tek Ai strehohemi.

Gjithashtu, muslimani duhet ta dijë se çdo gjë është në dorën e Allahut.

Në vijim po sjellim një tregim që ka të bëjë me këtë që thamë:


Ibrahimi (alejhis-selam) dhe Nemrudi

Kur’ani Fisnik na ka treguar për bisedën që ka ndodhur mes Pejgamberit të Allahut, Ibrahimit (alejhis-selam) dhe Nemrudit, mbretit të Babilit, i cili ishte zullumqar i madh.

Ibrahimi, paqja e Allahut qoftë mbi të, shkoi te Nemrudi për ta ftuar atë të besojë në Allahun, Zotin e Vetëm. Për ta bindur atë se Allahu është i Vetmi Zot që meriton të adhurohet ia solli si argument se Allahu është Jetëdhënësi dhe Jetëmarrësi. Mirëpo, Nemrudi i tha atij: “Edhe unë jam jetëdhënës dhe jetëmarrës.”

“Si thua ashtu?!”, – i tha Ibrahimi.

“Do ta shohësh se ç’do të bëjë!”, – ia ktheu Nemrudi.

Atëherë, urdhëroi që t’ia sillnin dy njerëz. Pastaj, urdhëroi që ta vrisnin njërin, kurse tjetrin ta linin të gjallë.

Pas kësaj, tha: “Ia mora jetën njërit dhe ia dhashë jetën tjetrit.”

“Nëse je ashtu siç pretendon, atëherë dije se Allahu e bën diellin që të lindë nga ana e lindjes, bëje ti pra, që të lindë nga ana e perëndimit!”, – i tha Ibrahimi, alejhis-selam.

Kur dëgjoi këtë Nemrudi heshti dhe nuk mundi të flasë më asnjë fjalë.


Përktheu: Jusuf Kastrati